Zgjedhja e Trump “për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë”. Kështu ka deklaruar Rama në Budapest të Hungarisë ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, për çështjet e sigurisë. Ai e ka përforcuar mendimin e tij përpara gazetërëve duke shtuar: “Asgjë nuk ndryshon. Shqiptarët janë komuniteti më pro-amerikan në Evropë, kështu që kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë, nuk bën ndonjë dallim të madh”, tha ai duke e kosnideruar politikat e Trump njësoj si të Biden.
Donald Trump që u zgjodh të martën presidenti i 47 i SHBA-ve, por që do të marë detyrën në janarin e ardhshëm, ka shkaktuar shumë frikë dhe shqetësim midis vendeve aleate në perëndim. Por kryeministri Shqiptar ka zgjedhur të mbajë anën e atyre që besojnë se një gjë e tillë do të forcojë NATO-n dhe nuk do të jetë detyrimisht fatkeqësi për Ukrainën. “Ja kam thënë (Zelenskit-shënim i Lapsi.al), mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë. Kur u zgjodh herën e parë, të gjithë po dridheshin, sepse ndoshta NATO-s do t’i vinte fundit, por NATO-ja u bë më e fortë” tha Rama nga mjediset e samitit.