Kur do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në Gjermani

Po të ndiqje zhvillimet e ditëve të fundit, dështimi i qeverisë ishte si kronikë e një dështimi të paralajmëruar, e megjithatë lajmi i prishjes së koalicionit në Berlin erdhi si shok për gjermanët, që në sondazhe nuk qanë kushedi për këtë qeveri, përkundrazi miratuan zgjedhje të parakohshme. Po kur?

Kjo është pyetja kryesore që preokupon Gjermaninë këto ditë. Kur do të zhvillohen zgjedhjet e parakoshme? Pas prishjes së koalicionit qeveritar, kancelari Olaf Scholz (SPD) fillimisht caktoi datën 15 janar si datë për votëbesimin, por pas presionit nga Unioni dhe FDP, por edhe nga Të Gjelbërit, ende partnerë të koalicionit, Scholz u shpreh i gatshëm për një datë më të hershme.

Këtë gatishmëri ai e bëri të qartë në kuadër të samitit të BE në Budapest të premten, ku Scholz tha, se “tashmë kam njoftuar të mërkurën në mbrëmje se do të doja të mundësoja sa më shpejt zgjedhjet e reja në Gjermani, në mënyrë që të ketë qartësi shpejt pas largimit të FDP nga koalicioni.

Ne duhet ta diskutojmë datën sa më qetë të jetë e mundur”, tha Scholz. Sipas tij, do të ishte mirë që “të arrihet një marrëveshje mes grupeve parlamentare demokratike në Bundestag se cilat ligje mund të miratohen këtë vit”.

Por opozita, ashtu si edhe FDP-ja e larguar nga koalicioni kanë bërë thirrje për një votëbesim të menjëhershëm; Kandidati për kancelar i Unionit dhe kreu i CDU, Friedrich Merz foli të premten në favor të zgjedhjeve të reja në 19 janar. Nëse kjo do të jetë e mundur, mbetet e hapur.

About Redaksia

Check Also

Gallup: Rënie rekord e besimit të amerikanëve tek sistemi gjyqësor, akuzat ndaj Trump…

Besimi i amerikanëve në sistemin gjyqësor dhe gjykatat e vendit ka shënuar rënie në një …