Me pranga në duar, Beqaj mbërrin në Kuvend për të dëshmuar në Komisionin Hetimor të “Sterilizimit”

Me pranga në duar, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, la qelinë këtë të martë për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për koncesionet në shëndetësi. Beqaj zbriti nga furgoni i policisë me duart në pranga, por të mbuluara me një xhup.

Beqaj do të pyetet nga deputetët në lidhje me të dy koncesionet, të konsideruara abuzive, teksa për sterilizimin ai është marrë zyrtarisht i pandehur për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Beqaj mori miratimin e Drejtorisë së Burgjeve për të dëshmuar në Kuvend, ndërsa një ditë më parë dëshmoi biznesmeni Ilir Rrapaj, gjithashtu i paraburgosur me kërkesë të SPAK.

Më parë ka dëshmuar në komision edhe Klodian Rjepaj, ish-zv.ministri i Shëndetësisë.

Në një prej seancave gjyqësore në GJKKO, lidhur me thirrjen në komision, Beqaj kërkoi të dinte qëndrimin e gjykatës, pasi ai paralajmëroi se do të nxjerrë sekret hetimor.

“Jam thirrur në Komisionin Hetimor për të paraqitur pretendimet e mia dhe për të dhënë sqarime para deputetëve. Kam ndërkohë nga një tjetër trupë gjykuese një masë sigurie (për dosjen SASPAC), sa kohë do më jepet për të përgatitur qëndrimet e mia? Ky nuk është shqetësimi më i madh, pasi do duhet t’i zbërthej në komision të gjitha aktet dhe argumentet, një pjesë e të cilave përbëjnë sekret hetimor, dhe deklarimet e mia atje mund të përbëjnë shkelje të vendimit të gjykatës për mosnxjerrje të sekretit hetimor. Dua të di qëndrimin e gjykatës”, u shpreh ish-ministri.

Ndërkohë, një ditë më parë dëshmoi për rreth 5 orë biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili është një prej përfituesve të koncesionit abuziv të sterilizimit. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme të komisionit pati përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës në lidhje me mosparaqitjen e dëshmimtarëve.

Më konkretisht, ditën e djeshme nuk u paraqitën biznesmenët italianë, përfitues të koncesionit të sterilizimit, teksa një emër tjetër që nuk po paraqitet në komision për të dëshmuar është dhe biznesmenia Vilma Nushi, e cila është një prej përfitueseve të koncesionit abuziv të check up-it.

Deputetët socialist u hodhën në mbrojtje të saj, si Plarent Ndreca apo Edona Bilali, madje sipas kësaj të fundit, Vilma Nushit nuk duhet t’i përmendej as emri, por t’i referoheshin me iniciale V.N., edhe pse ajo ka marrë miliona euro nga lekët e taksapaguesve shqiptarë.

Ndërkohë, kryetarja e komisionit Albana Vokshi deklaroi se ai komision nuk mund të mbyllet pa thirrjen e dëshmimtarëve kyç, si Vilma Nushi dhe sipas saj, ajo duhet të paraqitet edhe me Polici nëse do të jetë e nevojshme.

Kujtojmë se veç sterilizimit, Ilir Beqaj u arrestua në fillim të muajit korrik me urdhër të SPAK në lidhje me abuzimin me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ish-ministri drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Beqaj dyshohet se përmes njerëzve të besuar ka ndërtuar një skemë për të përfituar shuma të mëdha parash duke lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakryera, të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.

Gjithashtu, ai akuzohet edhe për fshehje pasurie, pasi dyshohet se është pronari “faktik” i restorantit “Gzona” tek Kalaja e Tiranës, si dhe i një automjeti që e ka në emër të bashkëpunëtorit të tij, po ashtu në burg, Ermal Kurtulaj.

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …