Mosbindja Civile përballë regjimeve moderne: Numër apo Përmbajtje?

Pranvera SHEHAJ
Laboratori i Ideve, Departamenti Brain Gain, Partia Demokratike

Pjesa 1 nga 2

Nëse përpos kërkesave të opozitës, autokratët zgjedhin të mos bëjnë hap pas, tre janë të vetmet rrugë të përgjithshme se si diktatorët klasikë e modernë rrëzohen nga pushteti: së pari, përmes veprimeve të faktorëve të brendshëm të regjimit, siç janë grushtet e shtetit; së dyti përmes mobilizimit masiv, duke përfshirë revoltat dhe mosbindjet civile, deri luftërat civile; së treti vetëm vdekja për shkaqe natyrore i largon ata nga pushteti.

Ndërsa në vitet 1960 dhe ׳70, gati gjysma e autokratëve u larguan nga pushteti përmes grushteve të shtetit, pas përfundimit të luftës së ftohtë, ndryshimi i agjendës gjeopolitike të vendeve perëndimore, çoi në një rënie të numrit të diktaturave militare kudo në botë, nga 38% në gati 10%, por edhe në konsolidimin e regjimeve që kombinojnë zgjedhjet elektorale me forma autoritarizmi. Sot flasim për rreth 88 shtete të globit që përjetojnë një formë autoritarizmi e që korrespondojnë me 70% të popullsisë globale.

Prej vitit 1990, ndryshimi i panoramës solli për rrjedhojë edhe ndryshimin e formës për rrëzimin e regjimeve diktatoriale dhe autoritare, një trend të ri të politikës autoritariste: revoltat masive. Prej vitit 2010, duke nisur me një zinxhir protestash prej zgjimit arab që rrëzoi disa nga udhëheqësit më jetëgjatë, është konsoliduar bindja se autokratët modernë janë vulnerabël ndaj revoltave të masës dhe mosbindjeve civile. Trendi politik i revoltave të masës dhe taktikës së mosbindjes civile, insiston në rekomandimin për të qenë jo të dhunshme në mënyrë që të mos provokojnë reagimin e shtetit policor represiv shproporcional, çka step dhe çon në hapa pas protestuesit. Sipas studimeve të shumta politike, vetëm si masive dhe jo e dhunshme, mosbindja civile mund të funksionojë si një çelës për rrëzimin e regjimeve autoritare moderne dhe shtrimin e rrugës për vijën demokratike.

Të shumta dhe në unison janë studimet politike bazuar në realitetet autoritare në mbarë globin që dëshmojnë se protestat jo të dhunshme, kur janë masive, kanë gati 2-fish më shumë gjasa të kenë sukses krahasuar me konfliktet e armatosura (53% vs 26% sukses politik). Këtij rekomandimi faktik i shtohet një influencë në shkencat politike e ofruar nga Harvard Kennedy School: Rregulli 3.5%. Sipas të ashtuquajturit “numri magjik”, që një mosbindje civile ose revoltë masive të përmbushë qëllimin e saj, atë të rrëzimit të autokratit, duhet rreth 3.5% e popullsisë që të marrë pjesë aktive në protesta për të siguruar ndryshime serioze politike. Shembuj që përdoren për të mbështetur suksesin e këtij ׳numri magjik‘ nisin prej 1986 ku miliona filipinas mbushën rrugët e Manilas kundër regjimit të Marcos, në 2003 në ‘Revolucionin e Trëndafilave pa gjak‘ në Gjeorgji, apo në 2019 ku Sudani dhe Algjeria përmes lëvizjeve të rezistencës rrëzuan autoritarizmin e presidentëve pas dekadash në pushtet, etj.

Politika shpik formën e saj shpesh duke kundërshtuar vetveten, dhe ky postulat vlen edhe kur ajo studiohet si shkencë. Si për të treguar se strategjia e masivitetit dhe e numrit magjik 3.5%, edhe pse e vërtetuar shkencërisht dhe politikisht, nuk është e vetmja, sërish evidenca politike rendit disa raste kur masiviteti jo gjithmonë garanton përmbushjen e qëllimit të mosbindjes civile dhe jo gjithmonë triumfon përballë diktatorëve e autokratëve, si për shembull Bjellorusia më 2010 dhe 2020, Rusia më 2011, Algjeria dhe Jordania në Pranverën Arabe, etj. Në të tilla raste, masiviteti ka tronditur ekuilibrin e autokratëve, por pa mundur t‘i japë fund pushtetit të tyre. Arsyet kanë qenë të ndryshme, por vërtiten në tre shtylla kryesore: reagimi shproporcional dhe agresiv i regjimeve diktatoriale dhe autoritare, ndëshkimet e menjëhershme në forma të ndryshme pas protestave, si dhe çensura intensive për efektet që është duke prodhuar lëvizja. Për rrjedhojë, mund të themi se në regjime dhe autokraci, numri jo domosdoshmërisht garanton sukses dhe ky fakt hedh poshtë mendimin njëdimensional të analistëve politikë në Shqipëri se revolta mund dhe duhet të jetë vetëm dhe domosdoshmërisht masive.

Përballë qëndron një tjetër realitet. Ai i alternativës së pamundësisë për të garantuar masivitet të bindshëm: mosbindjet civile që triumfojnë falë përmbajtjes dhe jo numrit. Ndër ndoshta 15 rastet historike të mosbindjeve civile të shekullit XX dhe XXI që kanë ndryshuar historinë e shteteve dhe ku asnjëra nuk i përngjan tjetrës në formë e strategji, – të gjitha të nisura nga kërkesa ekonomike, sociale ose politike të një grupi të caktuar në shoqëri, – prej 1928 në Mbretërinë e Bashkuar (Deeds not words), po zgjedh ato që në kujtesë rrinë ndoshta më rehat: “Je suis le peuple”, protesta e jelekverdhëve në Francë (2018-2019) dhe “Zu viel ist zu viel”, protesta e fermerëve gjermanë në Berlin (2023-2024). Në të dyja rastet, kërkesa ishte ekonomike; në të dyja rastet filozofia ishte mosbindje civile; në asnjë nga rastet nuk u ndoq numri magjik i masivitetit; të dyja zgjodhën dhe u mbajtën mend për identifikimin në simbolikë dhe formë; përpos ngjyrimeve, më shumë në Francë e më pak në Gjermani, ato shkaktuan një çrregullim civil të jetës së vendit; në të dyja rastet mosbindja civile detyroi qeveritë respektive të bënin së paku një hap pas.

Ka vetëm një detaj që lëndon optimizmin për t‘u mbështetur në këta shembuj të fundit: as në Francë e as në Gjermani, kërkesa nuk iu drejtua një autokrati. Në një dilemë të fortë mbi strategjinë e mosbindjes civile që kërkojnë autokracitë, ku nga njëra anë masiviteti mbetet objektiv sfidues e kur edhe nëse arrihet jo gjithmonë fiton mbi tentakulat e autokratit, e ku nga ana tjetër forma të revoltuara të mosbindjes civile gjejnë përgjigje në dhunë dhe arrestime, çfarë do të sugjeronte politika si shkencë e si realitet si guidë strategjike për mosbindjen civile të Partisë Demokratike në kërkesën politike për qeveri teknike, qartazi drejtuar një autokrati? (përgjigje e dhënë në Pjesën 2 nga 2 të ciklit: “Mosbindje civile në kushtet e Shqipërisë: Dy shtyllat e çlirimit”).

About Redaksia

Check Also

O ne, o Franca, nuk e kemi dhe aq “euro-atlantike” drejtësinë…

Nga Gent STRAZIMIRI O ne, o Franca, nuk e kemi dhe aq “euroatlantike” drejtësinë… Një lajm …