Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar sot lidhur me shkeljen e afateve të Gjykatës së Apelit për zbardhjen e vendimit të dënimit të ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Sipas tij që nga dita e dënimit kanë kaluar 50 ditë dhe kodi i Procedurës Penale tani është zëvendësuar me Kodin e Fatmir Xhafajt.
Reagimi i Gjekmarkajt
Kodi i Procedurës Penale është një ligj i rëndësishëm i Republikës, dhe është në fuqi. Ky kod, përcakton se vendimi i një gjykate duhet të zbardhet brenda 30 ditësh. Vendimi i Apelit ndaj Ervin Salianjit, nuk është zbardhur edhe pse kanë kaluar pothuaj 50 ditë, nga momenti i shpalljes, duke i shkelur atij haptazi të drejtat, duke i mohuar rekursin në Gjykatën e Lartë, duke i vonuar rrugën drejt pafajësisë.
Në rastin e Salianjit, nuk është në fuqi Kodi i Procedurës Penale pra, por Kodi i Fatmir Xhafës!
Po ashtu Edi Rama e di para se të shpallet vendimi, e di çfarë thuhet, dhe e di ai se kur duhet zbardhur. I dënuari, dhe publiku nuk kanë pse ta dinë.
Mbërritëm në ditën kur ligji, kodi, afati është Qeveria dhe shefi i saj.
Dhe kuptohet që për kundërshtarin politik, nuk ka asnjë garanci kushtetuese, nuk ka barazi para ligjit. Ka burg, pa akuzë, ka dënim me vendim të fshehtë, të pazbardhur.