Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzoi ashpër presidentin, duke theksuar se, në vend që të ngrihet në lartësinë e detyrës, ai vjen në Kuvend dhe kërkon para për kolltuk dhe makina luksi.
Bardhi tha se, opozita respekton institucionin e presidentit, por kurrsesi nuk mund të anashkalohet fakti se ai është kthyer në “drejtues politik i fushatës së Edi Ramës”. Gazment Bardhi i kërkoi mazhorancës të mos e keqpërdorë presidentin si leckë.
“Presidenti është në detyrë për rehati. Kërkon makina komode, kërkon zyra të mëdha, çfarë nuk kërkon. Shpresojmë të mos kërkojë të hapë ndonjë sallon bukurie në Presidencë. I kemi dhënë fonde në vazhdimësi. Por kam qenë shpesh në Presidencë dhe, për ta thënë të drejtën, godina është mirë. Ky është presidenti i parë që kërkon kolltuk, automjete, e ku di unë.
Presidenti, para se të kërkojë kolltuk, karrige, parukeri, do të duhej të luante rolin si president i vendit. I është dhënë disa herë shansi të ngrihet në detyrën e kreut të shtetit, por nuk ka guxuar kurrë ta bëjë këtë. Ne e inkurajojmë të mos japë mesazh të ndasisë politike. I kërkojmë si institucion përgjegjës të marrë masa për ambasadorët. Presidenti shkarkoi një nga ambasadorët më të mirë që kemi pasur, ambasadorin në Gjermani. E shkarkoi pse nuk i vuri në dispozicion eskortën për të takuar fëmijët. Nuk merr asnjë masë për ambasadorët që shkojnë në takime politike. Në vend që të flasë për këtë, vjen e kërkon në Kuvend, kolltuk.
Sot nuk ka para për të sëmurët me kancer, por presidenti mori para për dorën që vrau, duke kërcënuar ambasadorin në Gjermani. Do duhet ta dinë shqiptarët këtë. Nëse keni respekt për presidentin, mos e përdorni si leckë”, thotë Gazment Bardhi.