Përzgjedhja e miliarderit Elon Musk nga presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump për të drejtuar një agjenci që do merret me rregullimin e shtetit të fryrë amerikan, ka bërë shumë bujë në mediat ndërkombëtare.
Plani i Musk është që të shkurtohen rreth 2 trilion dollarë nga buxheti prej 6.7 trilion dollarësh për shpenzimet.
Kjo do të thotë që të hiqet një e treta e shumës që shkon për burokracinë dhe korrupsionin.
Shteti i vogël ka qenë një politikë e ndjekur vazhdimisht nga e djathta. Edhe qeverisja e PD nën Sali Berishën arriti ta bëjë realitet shtetin e vogël, me një administratë më efikase me më pak punonjës.
Por ndërkohë, që nga ardhja e Edi Ramës në pushtet, administrata publike ka ardhur vetëm duke u fryrë. Ajo numëron mbi 185 mijë punonjës dhe është një nga administrata më të fryra dhe më të korruptuara jo vetëm në Europë.
Sipas raportimeve të BIRN, kjo administratë ka ardhur duke u fryrë sidomos në prag të zgjedhjeve.
Edhe sivjet ka nisur fryrja e administratës, janë janë shtuar të paktën 6 mijë vende pune nga Edi Rama.
Ironia është se ndërsa administrata fryhet, popullsia largohet masivisht. Pra, një administratë prej qindra mijëra personash i shërben një popullsie që është pakësuar me të paktën 1 milion persona gjatë këtyre viteve.
Jo vetëm kaq, por INSTAT raportonte para pak ditësh në mënyrë paradoksale se ekonomia në Shqipëri është rritur për shkak të ndërtimit, që vjen kryesisht nga krimi dhe droga, por edhe nga administrata.
Sa për të ilustruar korrupsionin dhe mungesën e eficencës në administratë, kujtojmë se para një muaji u raportua se 55 përqind e atyre fondeve të pakta që shkojnë për bujqësinë në vend, i merr administrata.
Ndërkohë vitin e kaluar, kjo administratë e fryrë dhe e korruptuar shpenzoi të paktën 3.6 milionë euro vetëm për bileta avioni.
Kurse vlera e korrupsionit të kësaj administrate arrin në miliarda.
Raporti i KLSH evidentoi mbi 72.3 miliardë lekë dëm ekonomik të shkaktuar nga administrata gjatë vitit 2023.