Mes debatesh, nis punën komisioni Hetimor i Shëndetësisë. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir beqaj u rikhye në Kuvend me pranga në duar i shoqëruar nga policia. Beqaj u tregua i kujdesshëm që prangat të cilat i rrethonin duart, t’i mbulonte me xhaketë për t’i shpëtuar syrit të medias.
PD këmbëngul tek thirrja e Ramës dhe Vilma Nushit si dëshmitar dhe kërkon zgjatjen e afatit të këtij komision. Deputeti demokrat Edmond Spaho përsëriti në hetimorin e Sterilizimit edhe një herë kërkesën e opozitës për dëshminë e Edi Ramës në Komision.
“Pa dëshminë e Edi Ramës nuk duhet të mbyllet komisioni. Mazhoranca nuk ka pse të jetë kokëfortë. Nuk janë paratë e mia, por të qytetarëve. Jemi në parlament për të administruar paratë e qytetarëve. Vjedhje e turpshme dhe duhet mbajtur përgjegjësi”, tha Spaho.
Ndërsa deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ka kërkuar që biznesmenja Vilma Nushi duhet të paraqitet në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin dhe Check-up.
Korreshi ironizoi gjatë mbledhjes teksa u shpreh se biznesmenja duhet të paraqitet në Komision për të treguar përbërësit kryesorë që në divident mori 1.7 mln euro.
Saimir Korreshi: “Vilma Nushi duhet të vijë se s’bën, nuk është ndryshe nga ata që kanë përfituar nga koncesion. Edhe majonezë dhe ketchup-in e këtyre, shoqja Vilama duhet të vijë të na tregojë si është gatuar dhe se si kanë qenë përbërësit kryesorë që në divident mori 1.7 mln euro, këtë shqiptarët duhet me domosdoshmëri ta dinë. Sa i përket shtetasve të huaj, duhet ti përgjigjen në momentin që kanë pranuar të bëjnë tregti e biznes në Shqipëri, janë të detyruar e duhet të zbatojnë ligjet“.
3 italianët refuzojnë dëshminë te “Sterilizimi”
Po mbahet mbledhja e radhës e komisionit hetimor për “Sterilizimin” ku tre shtetasit italianë të thirrur për të dëshmuar kanë refuzuar pjesëmarrjen.
Kryetarja Albana Vokshi ka njoftuar se pasi komisioni iu drejtua policisë për ndihmë në mënyrë që këta persona të silleshin për të dëshmuar, blutë kanë kthyer një përgjigje ku njoftohet se këta persona janë shtetas italianë jashtë territorit të Shqipërisë, dhe për pasojë nuk mund të veprohet.
“Policia na ka kthyer një përgjigje ku thuhet se këta persona janë jashtë territorit të Shqipërisë, por gjykoj që për sa kohë që secili prej personave Umbro Stalccini dhe Elisabetta Anzanello, përveçse janë përfitues të kompanisë koncesionare kanë kompani të tjera të bazuara në legjislacionit shqiptar dhe përderisa janë përfitues të drejtpërdrejtë janë të detyruar të paraqiten në komision. Nëse vijojnë të refuzojnë, opozita ka mendimin dhe propozimin që të dërgojmë një shkesë drejt autoriteteve italiane për t’i informuar dhe kërkuar ndihmën që këto shtetas të zbatojnë legjislacionin shqiptar”, tha Vokshi.