Rama i shtyn koncesionin e Check-up Vilma Nushit deri më 2027, dy vite më shumë se kontrata

Koncesioni i Check-Up (kontrolli bazë mjekësor falas) në shëndetësi do të përfundojë afatin zyrtar më 2027, gati dy vite më shumë se në kontratën fillestare.

Sipas burimeve në Ministrinë e Shëndetësisë kontrata me kompaninë “3P Life Logistic” do të jetë aktive deri më 2027 si një shtyrje automatike për pezullimin që iu bë shërbimit gjatë pandemisë Covid- 19.

Kontrata e Check-Up u pezullua nga marsi 2020 deri në shtator 2021 për rreth 17 muaj, si rrjedhojë e masave kufizuese në lëvizje për parandalimin e virusit. Afati i pezullimit shkoi si shtyrje automatike që i lejon kompanisë ofrimin e shërbimit edhe për dy vite të tjera nga viti 2025.

Në vitin 2023 kompania koncesionare “3P life Logistic” raportoi të ardhura 730 milionë lekë dhe fitime me një vlerë rreth 214 milionë leka para taksave.

Koncesioni i check-up nisi punë në shkurt të vitit 2015. Kontrata koncesionarë kishte si qëllim kontrollin mjekësor bazë falas që është një program kombëtar i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.

Për këtë kontratë Partneriteti Publik-Privat në nivel vjetor janë parashikuar 475,000 përfitues të shërbimit, pra 39,583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti nëse ato realizohen apo jo./Monitor

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …