Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar edhe ekzekutimin e gjobës ndaj shtetit shqiptar, që e përfiton Francesko Beketi.
Berisha tha se, për këtë gjobë do të konfiskohen sarajet e Surrelit dhe pasuritë e tjera të Ramës për të kompensuar sadopak këtë humbje.
“Doja ta përmbyllja duke u ndalur në dy momente të tjera, në momentin për të cilin shqiptarët duhet të informohen, se nga buxheti i tyre, biznesmeni italian Beketi arriti të marrë, bazuar në vendimin e gjykatës ndërkombëtare, 120 milionë euro, krim i shëmtuar direkt i Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Të dashur qytetarë, 120 milionë euro përbëjnë katërfishin e shumës së parashikuar për indeksimin e pensioneve këtë vit, apo përbjnë tetëfishin e shumës së parashikuar për indeksimin e pensioneve vitin e ardhshëm.
Me këtë shumë, pensionet do mund të rriteshin përafërsisht 15-16 përqind.
Dhe kjo shumë që i merret buxhetit të Shqipërisë është kryekëput krim i Edi Ramës, io cili njëlloj si biri i të atit, xhelat i fjalës së lirë, i vuri drynin televizionit Agon Channel, sepse nuk sillej si Top Channel po tre televizionet e tjera shtetërore, por sepse zbatonte rregullat e informimit të qytetarëve shqiptarë.
Në një akt urrejtje ndaj fjalës së lirë, së bashku me Erion Veliajn, mbyllën televizionin dhe i bëjnë të mundur biznesmenit të rikuperojë në gjykatë ndërkombëtare dëmin që i shkaktuan.
Por atë dëm nuk e paguan me sarajet e Surrelit Edi Rama.
Nuk e paguan me 8300 metra oborr të këtyre sarajeve.
Nuk e paguan, siç thotë OSBE, as me 200 milionë euro të fshehura që në vitin 2014 në kontot offshore.
Nuk e paguan as Erion Veliaj me pasuritë e krijuara për veten, vëllain, bashkëshorten e me radhë.
E paguajnë qytetarët shqiptarët dhe ky është ndëshkim 100 përqind i pamerituar.
Garantoj qytetarët se një proces gjyqësor do hapet për këtë çështje, të cilën mercenar Dumani thotë nuk mund ta gjykoj dhe sarajet e Surrelit, kopshti i tyre dhe çdo pronë e këtyre hajdutëve, do konfiskohet për të kompensuar sadopak këtë humbje të buxhetit të shqiptarëve”, tha Berisha.