Milosao Palushi, anëtar i Kryesisë së FRPD, mbajti një fjalën e tij gjatë tubimit në “Rrugën e Shpresës,” ku u ndal te ngjarja tragjike që ka tronditur gjithë shoqërinë shqiptare.
Ai shprehu dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e një jete të pafajshme, duke theksuar se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani është pasqyrë e qartë e dështimeve të qeverisjes. Sipas tij, dhuna dhe krimi kanë depërtuar në çdo aspekt të shoqërisë, duke përfshirë edhe shkollat.
Palushi ngriti alarmin për glorifikimin e dhunës dhe mungesën e vlerave morale, duke e cilësuar këtë një pasojë të një sistemi të kalbur.
“Këto dy ditë, zemrat tona janë të mbushura me dhimbje dhe zemërim për humbjen tragjike të një jete të pafajshme.
Martin Cani, një 14-vjeçar plot ëndrra dhe shpresa, u bë viktimë e një akti brutal që tronditi gjithë kombin.
Ky akt, ku një bashkëmoshatar i tij e goditi me thikë në zemër pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, është një pasqyrim i qartë i një shoqërie të lënë në kaosin e një qeverisjeje të dështuar.
Si mund të shpjegohet që fëmijët, në vend të librave, mbajnë armë? Si mund të shpjegohet që shkolla, vendi që ndërton të ardhmen, kthehet në një skenë krimi totalitar?
Si mund të pajtohemi me një sistem që ushqen dhunën dhe glorifikon gangsterizmin, ku arsimi dhe vlerat morale shtypen dhe përbuzën?
Çdo vit, kjo qeveri, në vend që të mbjellë shpresë, mbjell korrupsion, paaftësi dhe vrasje.
Paratë e buxhetit të shtetit – në fakt, paratë tona – përdoren për të mbështetur individë me precedente kriminale, ndërsa reformat për arsimin, drejtësinë dhe sigurinë janë kthyer në lojëra politike të kësaj udhëheqjeje që kemi në krye.’
E vërteta është e thjeshtë, por është e dhimbshme. Ne kemi një shtet që ka dështuar të mbrojë fëmijët tanë dhe ka dështuar të mbrojë individët e Republikës së Shqipërisë.
Ngjarja e Martin Canit nuk është vetëm një tragjedi familjare, por një alarm për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Unë i bëj thirrje gjithsecilit shqiptar, çdo prindi, çdo mësuesi dhe çdo të riu që ende beson në dinjitet dhe drejtësi, të mos lejojnë zërat e pafajshëm si ai i Martinit të mbyten nga indiferenca. Le të bashkohemi dhe t’i tregojmë kësaj qeverie të paaftë dhe të papërgjegjshme që koha e saj ka mbaruar”, u shpreh Palushi.