Si qeveria u merr paratë pensionistëve, të sëmurëve dhe nxënësve në shkolla

Klodian Tomorri

Konsideroni vetëm dy shifra. Qeveria shqiptare mbledh mesatarisht 28 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të ardhura në buxhet, kurse në Bashkimin Europian mesatarja është rreth 42 për qind e PBB.

Por nëse krahasohen investimet raporti është i përmbysur. Shqipëria investon mbi 6 për qind të PBB-së nga të ardhurat buxhetore. Bashkimi Europian në vitin më të mirë arrin të investojë rreth 2.7 për qind. Dhe kjo nuk e tregon të gjithë historinë. Nëse llogariten dhe koncesionet, rrugët që ndërtohen nga privatët, hendeku është shumë më i madh.

Pyetja është ku i gjen Shqipëria paratë të mbajë një nivel kaq të lartë investimesh publike? Dhe përgjigja është e thjeshtë. Nga tre kategori kryesisht. Qeveria u merr paratë pensionistëve, të sëmurëve dhe nxënësve në shkolla.

Qeveria shqiptare kursen minimalisht 1 miliardë euro në vit nga mbajtja e pensioneve në nivele qesharake, 400 milionë euro nga hedhja e barrës së financimit të sëmundjeve në xhepat e qytetarëve dhe po kaq nga nënfinancimi i sistemit arsimor. Këto dy miliardë euro kompesojnë plotësisht diferencën negative të të ardhurave që Shqipëria ka me vendet e BE-së si dhe i mundësojnë qeverisë të investojë mbi 2 herë më shumë në ekonomi.

Në rrafshin teorik orientimi i buxhetit drejt investimeve janë politika më e mirë buxhetore. Investimet rrisin ekonominë, krijojnë vende pune, nxisin prodhimin dhe shtojnë produktivitetin në ekonomi. Me pak fjalë ato rrisin tortën e ekonomisë dhe ideja është pikërisht kjo. Qeveritë tregohen agresive me investime për periudha të caktuara kohore për të rritur tortën, që më pas të shpërndajnë më shumë për të gjithë. Por problemi është se në Shqipëri kjo histori vazhdon prej më shumë se 20 vitesh.

Buxheti i shtetit nuk ka asnjë ndryshim nga ai i një familje. Një familje mund të vendosë të investojë në bono, hapjen e një biznesi apo në pasuri të patundshme me idenë që të ketë një të ardhme më të mirë ekonomikisht. Por nëse paratë që ajo investon i kursen nga ndërprerja e shkollimit të fëmijëve, kequshqyerja e tyre apo mos kurimi i sëmundjeve të të moshuarve, të ardhmen e ka shkatërruar. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri.

Por pse qeveria këmbëngul në këtë drejtim? A udhëhiqet mbajtja e investimeve kaq të larta duke shtrydhur të gjitha shpenzimet e tjera jetike vetëm nga qëllimi i mirë për të rritur tortën? Në fakt, ka dhe një incentivë tjetër. Pensionet nuk i vjedh dot. Ndërsa tenderat e investimeve po.

Merrni vetëm tre sektorë, që marrin tortën e madhe të investimeve. Infrastruktura, energjia dhe Teknologjia e Informacionit. Kostot e rrugëve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në çdo vend të avancuar të planetit.

Në sektorin energjetik janë investuar mbi 8 miliardë euro, por çuditërisht vazhdojnë ende të raportohen humbje teknike në nivele dyshifrore. Ndërsa në IT, Shqipëria ka krijuar një grusht të vogël biznesmenësh, të cilat kanë norma më të larta fitimi edhe se sa Apple. AKSHI ndan mesatarisht 100 milionë euro në vit në dy apo tre duar, pjesa dërrmuese e të cilave janë kosto korruptive.

Linja e fundit është kjo. Politika buxhetore e Shqipërisë nuk është asgjë tjetër vetëm një mekanizëm rentier, i cili thith paratë nga shtresat vulnerabël të shoqërisë dhe i çon ato për të pasuruar pafundësisht një grusht nënkontraktorësh të shtetit. Këta të fundit, ndryshe njihen edhe si oligarkë. Dhe për sa kohë kjo do të vazhdojë të ndodhë, shqiptarët do të vazhdojnë të braktisin vendin në masë, ashtu siç ka ndodhur.

Ata që mundohen racionalisht të shquajnë nëse kjo është një politikë e majtë apo e djathtë nuk janë asgjë tjetër veçse naivë. Ky është thjesht një sistem i krijuar nga incentiva për të vjedhur. Kaq e thjeshtë është.

About Krye Redaktor

Check Also

BE kthen mbrapsht 57% të eksporteve nga Shqipëria

Shifrat e tregtisë me jashtë pasqyrojnë një situatë katastrofike për cilësinë dhe sigurinë e produkteve …