Sot ditëlindja e re Gjuhës Shqipe: 116 vjetori i alfabetit të saj!

Nga Sali BERISHA

Miq, më 14 nëntor 1908, filloi Kongresi i Manastirit me qëllim të standardizimit të alfabetit të gjuhës shqipe, që zgjati deri më 22 Nëntor. Kongresi bëri gjuhën tonë me alfabetin e shkronjave të saj native, alfabetin e vokacionit perëndimor të kombit tonë.

Pas lidhjes së Prizrenit, Kongresi i Manastirit është Kongresi i Bashkimit Kombëtar në gjuhë, kulturë, identitet!

Prandaj sot shqiptarët përulen me nderim dhe nderojnë 36 shenjtoret e gjuhës, kultures dhe identitetit tonë.

Por, ky përvjetor e gjen gjuhën dhe jo vetëm atë, por dhe kombin tonë të rrezikuar.

Gjuha shqipe mori një goditje të rëndë me Kongresin e Drejtshkrimit të nëntorit të vitit 1972.

Ky kongres u largua nga parimet e Komisisë së Elbasanit, dhe në një akt urrejtje patoligjike krahinore dhe fetare te diktatorit Hoxha, ai duke keqpërdorur rregullat e drejtshkrimit si gërsherë politike, arkivoi apo varrosi me rregullat që imponoi kundër dialektit të gegnishtes, veprat e pavdekshme të kollosëve të mëdhenj rilindas dhe të tjerë të kombit shqiptar.

Kështu sot nxënësve iu duken si të huaja veprat e Buzukut, Bogdanit, Marin Barletit, De Radës , Darës, Fishtës, Mjedës, Filip Shirokës,Vaso Pashës, Migjenit, Ndoc Nikajt, Martin Camajt, si dhe dhjetëra shkrimtarë dhe poetë të mëdhenj të Kosovës.

Arbitrariteti i kongresit hoxhist të drejtshkrimit duhet korrigjuar sa më parë, në mënyrë që gjuha të zhvillohet dhe pasurohet nga gjenerata në gjeneratë, dhe të qendrojë si garante e madhështisë origjinale të veprave të pavdekshme të krijuara në shekuj nga shkrimtarët, poetët, lavertarët e saj.

Nderim atyre burrave dhe grave mendjendritur që 116 vjet më parë bënë gjuhën tonë të bukur me germat e arta të saj!

Në foto komisioni bërthamë i Kongresit: 1) Gjergj Fishta, 2) Mid’hat Frashëri, 3) Luigj Gurakuqi, 4) Gjergj Qiriazi, 5) Dom Ndre Mjeda, 6) Grigor Cilka, 7) Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, 9) Sotir Peçi, 10) Bajo Topulli, dhe 11) Nyz’het Vrioni.


Foto nga Kel Marubi

About Redaksia

Check Also

Skandali 3 mln euro me shkollën në Manzë/ Garo: Do të hetohen dhe ndëshkohen abuzuesit me fondet e rindërtimit

Deklarata e zëdhënëses së PD, Floriana Garo: Ajo që po ndodh me fondet e rindërtimit …