Studentja: Mjaft është mjaft! Ne të rinjtë jemi të fuqishëm për të ndryshuar Shqipërinë

Sara Bushati, një studente 16-vjeçare nga Tirana, mbajti sot një fjalim në tubimin e përnatshëm të organizuar poshtë banesës së liderit të opozitës Sali Berisha.

Në fjalën e saj, në ‘Rrugën e Shpresës’, Sara solli në qendër tragjedinë e Martin Canit, duke e lidhur atë me realitetin e hidhur të të rinjve që ndihen të pambrojtur dhe pa të ardhme. Ajo theksoi se, përballë këtyre sfidave, të rinjtë nuk mund të heshtin më, por duhet të veprojnë.

“Unë quhem Sara Bushati, jam 16 vjeç, një studente e thjeshte në një prej gjimnazeve të Tiranës. Sot kam dalë para jush jo sepse kam shumë përvojë në politikë, por sepse kam shumë për të thënë si një e re që i përket këtij vendi dhe këtij brezi.

Shpeshherë, në tavolinat e shoqërisë sime, politika është një temë që shmangim. Është e lehtë të largohesh nga ajo, të mendosh se nuk të prek, se është një botë e largët nga ne. Por së fundmi, nuk ka qenë kështu. Për fat të keq, ditët e fundit, nuk mund të flitet për asgjë tjetër. Politika nuk është më vetëm një debat në televizor apo një fushatë për vota. Politika është bërë një dhimbje, një tragjedi që na prek të gjithëve.

Një nënë dhe një baba kanë futur në dhe djalin e tyre. Një jetë është ndërprerë padrejtësisht. Po nuk është thjesht një histori. Është historia e një djali, një nipi, një miku. Është historia e një familjeje që nuk do të jetë më kurrë e njëjtë. Dhe nëse ndalemi për një çast, kjo histori mund të jetë e kujtdo prej nesh.

Në këtë vend, nuk duhet të jesh ekspert për të kuptuar se diçka nuk shkon. Kur padrejtësia bëhet normale, kur të rinjtë largohen sepse këtu nuk shohin të ardhme, kur njerëzit ndihen të pambrojtur dhe pa zë, atëherë është koha të ndalemi dhe të themi: Mjaft është mjaft.

Ne, të rinjtë, kemi një zë, dhe ky zë është i fuqishëm. Nuk është zëri i protestës për të shkatërruar, por për të ndërtuar. Nuk është zëri i urrejtjes, por i shpresës. Kjo nuk është një luftë për të fajësuar të kaluarën, por një thirrje për të ndrequr të ardhmen.

Unë jam këtu sot, jo për të kërkuar ndryshim nga ata që na kanë zhgënjyer, por për të thënë se ndryshimi fillon tek ne. Nuk jemi shumë të ri për të bërë një ndryshim. Jemi pikërisht në moshën kur ëndrrat bëhen plane dhe planet bëhen realitet.

Në emër të të gjithë atyre që nuk kanë më një zë, në emër të çdo djali, nipi, apo shoku që nuk do të jetë më me ne, le të flasim, le të veprojmë, dhe le të ndërtojmë një Shqipëri ku ëndrrat nuk varrosen, por rriten dhe lulëzojnë.

Martin u prefsh ne paqe dhe familiaret zoti i forcofte!”, u shpreh studentja.

About Redaksia

Check Also

Nis censura e regjimit në rrjetet sociale, Rama kërkon bllokimin e TikTok që ditën e nesërme

Njoftimi i AKEP: Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë …