Bardhi: Pa gratë në politikë, asnjë betejë nuk mund të fitohet!

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mbajti një fjalim  në tryezën e organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas, duke vënë në dukje rolin e grave në politikë.

Ai vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të zonjave dhe vajzave, të cilat kanë qenë shtylla kryesore e Partisë Demokratike në aksionet dhe sfidat e saj politike. Bardhi theksoi se angazhimi i grave në politikë është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për suksesin e çdo gare apo aksioni politik.

Në fjalën e tij, ai ndau përvojën e tij personale, duke evidentuar se shpesh zonjat janë më luftarake dhe të vendosura sesa burrat në momente kyçe. Ai gjithashtu u ndal te vështirësitë dhe presionet që gratë kanë hasur gjatë regjimit aktual, duke përgëzuar qëndrueshmërinë dhe kurajën e tyre. Sipas tij, pa përfshirjen e grave në ballë, çdo përpjekje politike do të ishte e paplotë dhe e dobët.

Fjala e plotë

Unë shikoj që në sallë ka zonja, gra dhe vajza, të cilat tashmë kanë një jetë që janë aktive në Partinë Demokratike, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë parti. I kam parë shpesh në aksionet politike të Partisë Demokratike, ku në shumë raste janë më aktive sesa vetë burrat.

Kjo ndodh sepse, sipas këndvështrimit tim, çdo parti politike që synon të ketë sukses në çdo garë apo aksion politik, duhet t’i ketë zonjat në ballë, në krye, aty ku e meritojnë.

Eksperienca ime e shkurtër, jo shumë e gjatë në politikë, më ka mësuar një gjë: atë që arrijnë zonjat në aktivitete, aksione apo fushata, ne burrat ndonjëherë e kemi të vështirë ta bëjmë. Prandaj, nëse duam të kemi sukses në sfidat që na presin pas disa muajsh, zotimi që Sekretari i Përgjithshëm mori sot përpara jush duhet të jetësohet.

Ky zotim nuk duhet të jetësohet thjesht si kuotë gjinore – një betejë që Albana dhe koleget e saj të nderuara në parlament e kanë zhvilluar gjatë miratimit të Kodit Zgjedhor – por duhet të jetësohet sepse roli juaj është i pazëvendësueshëm.

Personalisht, kam pasur fatin që gjatë kësaj kohe të drejtoj një grup parlamentar që ka më shumë zonja sesa ka pasur ndonjëherë më parë grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm tha që pjesëmarrja e grave e bën politikën më paqësore. Unë, nga ana tjetër, kam parë shpesh që zonjat e grupit tonë parlamentar kanë qenë më luftarake sesa shumë burra brenda grupit. Kjo do të thotë se sa më shumë zonja të kemi në grupin e ardhshëm parlamentar, aq më fuqishëm do të luftojmë të gjithë së bashku për të mbrojtur interesin publik.

Angazhimi në politikë nuk është i lehtë për zonjat. Veçanërisht, angazhimi juaj gjatë këtyre 12 viteve, për shkak të regjimit të Edi Ramës, ka qenë shumë i vështirë. Kam takuar mësuese, mjeke dhe zonja punonjëse në administratë që angazhohen në Partinë Demokratike, dhe që më tregojnë se si, edhe në vitin 2024, vijojnë të intimidohen dhe të përndiqen, vetëm sepse angazhohen në politikë dhe janë pjesë e Partisë Demokratike.

Por, ndonëse flasin për intimidimin, presionin apo përndjekjen që u bëhet çdo ditë, në çdo bisedë me to shoh vendosmërinë për të vazhduar përpara, për të qëndruar, për të sakrifikuar dhe për të bërë më të mirën, sigurisht për Partinë Demokratike, por mbi të gjitha për Shqipërinë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Kontrabanda e naftës bëhet vetëm me pjesëmarrjen e qeverisë, tani vjen vetëm me anije

Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë një deklarate për shtyp, denoncoi kontrabandën e naftës në …