Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e mbajtur në tubimin e përnatshëm qytetar thai se, Partia Demokratike do t’i deklarojë luftë të egër mjerimit dhe varfërisë, duke e bërë Shqipërinë një vend më të drejtë seç është tani.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore.
Mirënjohjen më të pakufishme për ju qëndrestare e qëndrestarë të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të çdo qytetari, kauzës së lirisë, dinjiteit dhe interesit kombëtar.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë, që me fjalët e tyre shpërndajnë të vërtetat në të katër anët e Shqipërisë, çjerrin vellon e zezë të censurës qeveritare mbi këtë vend.
Të dashur miq, sonte para jush duhet të shpall se PD do t’i deklarojë luftë të egër, të pamëshirë mjerimit dhe varfërisë.
Në një kohë kur në të katër anët e vendit ulërijnë trishtueshëm dhe lemerisin sirenat e varfërisë ekstreme, e varfërisë dhe mjerimit, PD vendos që në programin e saj të përcaktojë shpërndarjen e të ardhurave kombëtare para së gjithash dhe mbi të gjitha në luftë kundër mjerimit dhe varfërisë së shqiptarëve.
Kjo nënkupton që buxheti që vitin e parë të saj do përcaktohet kryesisht për pensione, minimum jetik, rroga, por jo vetëm kaq.
Miq, minimumi jetik 200 dollarë, rritja në vitin e parë e rrogave dhe pensioneve me 20 përqind, objektivi për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve dhe rroga minimale 500 euro, përsëri nuk i japin përgjigjen e merituar varfërisë në Shqipëri.
PD do të angazhohet për një rishpërndarje tjetër, e cila garanton luftën kundër varfërisë në çdo votër, në çdo qoshe, tek çdo individ shqiptar.
Nuk do shpërndahen vetëm të ardhurat. Jo, jo. Do shpërndahen edhe pasuritë.
Nuk mund të paguajnë energjinë elektrike me të njëjtin çmim që paguajnë rrogëlartit, ata që do marrin minimumin jetik 200 euro.
Nuk mund të paguajnë energjinë elektrike me çmimin që paguan një familje me rroga mesatare me një familje me rroga të ulëta, me dy apo tre fëmijë.
Jo dhe jo. Kjo është barazi e papranueshme, e dënueshme.
Merr fund!
Nuk mund të paguajnë faturën e ujit një familje me dy-tre fëmijë dhe me rrogë të ulët apo pensionisti sa një familje me rroga mesatare.
Jo dhe jo. Do marrin fund. Do ketë proporcionale të tjera.
Buxheti do përdoret për të qetësuar dhimbjet e mjerimit dhe varfërisë tek shqiptarët.
Nuk mund të paguajë për shërbimet publike njëlloj si rrogëlarti ashtu edhe rrogëulëti.
Njëlloj si ai që ka shkolluar fëmijët dhe i ka në punë me atë që i ka të vegjël dhe duhet t’i rrisë.
Jo zotërinj, Shqipërinë do ta bëjmë shumë më të drejtë. Do ta bëjmë të drejtë dhe të njerëzishme”, u shpreh Berisha.