Dekomunistizimi, nevoja për të çrrënjosur të keqen

Nga Klea DUÇKA

Para pothuaj dy javësh, një ish-gazetë, tashmë e shndërruar në portal, kishte publikuar deklaratën e një ish- gjyqtari të periudhës së diktaturës, i cili, i ftuar në emisionin e një gazetari të njohur, rrëfente për aktivitetin e tij gjatë kohës që kishte qenë pjesë e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Gjakftohtë, por edhe tejet i kujdesshëm për të justifikuar në menyrë indirekte vendimet të cilat pranonte se i kishte dhënë, ish-funksionari i gjykatësmundohej që të shfajësohej deri në një farë mase duke sjellë si argument ligjet dhe represionin e egër të diktaturës, por edhe shprehur një lloj “pengu” në dukje, vecanërisht për një vendim me vdekje të dhënë prej tij ndaj dy personave të akuzuar për një atentat të mbetur në tentativë në vitin 1983, ndaj kryetarit të Presidiumit Popullor asokohe, Ramiz Alisë, të cilët në gjykimin e tij duhej të ishin falur.

Në të gjithë rrëfimin e ish-gjyqtarit, për të cilin është ndoshta e kuptueshme se si dhe përse vendosi të fliste pas kaq kohësh publikisht në një emision televiziv, nuk mbartet asnjë grimcë katarsisi, pendese apo keqardhjeje. Në përpjekje për të relativizuar përmasat e makabritetit të vetë(sipas perceptimit moral të dëgjuesve, jo të tij), mundohej që gjatë bisedës të theksonte se nuk kishte dhënë shumë dënime me vdekje. E gjithë biseda e zhvilluar mes këtij ish-gjykatësi dhe gazetarit që po e intervistonte, nuk është e para këtij lloji në studiot televizive të debatit dhe aktualitetit politik në Shqipëri. Më herët, një tjetër figurë aktive deri para pak kohësh në politikën shqiptare, që në periudhën e diktaturës kishte qenë prokuror, pasi rrëfeu përgjegjësinë për dënimet makabre, duke refuzuar të shfaqte pendesë, ashtu si ish-gjykatesi, i arsyetoi veprimet e veta me pretekstin e zbatimit të ligjeve dhe sistemit juridik të kohës, duke mos kursyer madje as ironinë.

Përdorimi i argumentit të ligjshmërisë apo zbatimit të urdhërave është një refren i njohur në histori, i përsëritur disa here gjatë dëshmive të gjeneralëve dhe dhe komandantëve tëSS, të dënuar për krime lufte gjatë procesit të Nurembergut. Adolf Eichmann, një Obersturmbannführer i SS, (që në shqip i korrespondon gradës së toger kolonelit), i dënuar me vdekje në vitin 1962 nga një gjykatënëJeruzalem, si i përfshirë direkt në gjenocidin dhe aktet makabre ndaj popullsisë hebreje në Austri dhe Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore, (praktikisht arkitekti i Holokaustit) i argumentonte krimet e tij me faktin se ai thjesht u ishte bindur urdhrave. Ky argument mund të ishte marrë parasysh, sikur të mos ishte për një psikolog nga Univerisiteti i Yale, Stanley Milgram, i cili pas një serie eksperimentesh provoi se cdo njeri i zakonshëm është i aftë, që me vetëdije të plotë të kryejë akte barbare mbi persona të tjerë, por në kushtet e të qenurit i urdhëruar për ta bërë, ndjen një sens të reduktuar përgjegjësie. Kjo gjetje implikonte se shumica e të dënuarve për krime lufte, përfshirë arkitektin e Holokaustit, Eichmann, ishin plotësisht të bindur se kauza e tyre ishte e drejtë dhe se po bënin gjënë e duhur, vetëm se peshën e përgjegjësisë kërkonin ta ngarkonin mbi shpatullat e eprorëve të tyre dhe sistemit apo ideologjisë së cilës i shërbenin. Me pak fjalë, më shumë se sa përbindësha, këta ishin njerëz tejet normalë dhe byrokratë mesatarë, që karakterizoheshin nga mungesa e empatisë sociale, duke e humbur aftësinë për të bërë dikotominë mes së drejtës dhe së gabuarës. Hannah Arendt, një politologe dhe filozofe judeo-gjermane, e përkufizoi këtë si “banaliteti i së keqes”, duke e cilësuar Eichmann si shembullin më ilustrues të tij.

Në këtë kontekst, e ashtuquajtura drejtësi tranzicionale ka të gjithë arsenalin dhe bazën e duhur politike dhe morale për t’i dënuar dhe vënë me përgjegjësi të plotë para drejtësisë, personat, të cilët, në emër të së drejtës supreme të predikuar nga ideologji ekstreme dhe për t’i shërbyer pushtetit represiv të regjimeve diktatoriale si në rastin e Shqipërisë, duke përdorur autoritetin e posteve apo funksioneve të ushtruara, kanë dënuar, persekutuar, apo ushtruar tortura ndaj individëve të konsideruar si kundërshtarë politikë të sistemit. Kjo lloj drejtësie u aplikua me dy standarde për regjimet fashiste dhe komuniste dhe në dy faza të ndryshme të historisë: Pas Luftës së Dytë Botërore, me dënimin e kriminelëve të luftës dhe ngritjen e tribunaleve nga Gjermania deri ne Izrael dhe pas Rënies së Murit të Berlinit dhe diktaturave komuniste të lindjes në formën e ligjeve të lustracionit dhe reformave të sistemeve të drejtësisë të vendeve të ish-Bllokut.

Në fazën e parë, në një periudhë kur bota kishte dalë nga dy luftëra të pergjakshme me dëme të konsiderueshme në njerëz, si dhe ekonomike e materiale, gjakrat, sidomos në Evropë ishin ende të nxehta. Palës humbëse do t’i duhej të paguante një cmim të madh, në menyrë të menjëhershme. Për këtë nevojitej një drejtësi e shpejtë dhe e pamëshirshme, qëllimi i së cilës ishte ndëshkimi. Pas përmbushjes së këtij qëllimi, me evolimin e ideve dhe një qasje të re ndaj së shkuarës dhe nocioneve të të drejtave të njeriut, moralit, ligjshmërisë dhe rritjes së bashkepunimit politik dhe ekonomik mes shteteve të botës, ajo u trasnformua dalëngadalë në një drejtësi “alla Hugo”, që do të synonte, edukimin, rehabilitimin dhe krijimin e normave të reja sociale. Austria dhe Gjermania inkorporuan në kushtetutat dhe kodet penale të tyre, ligjin e famshëm, NS-Verbotsgesetz, ne kuader të denazifikimit, që ndalonte, midis të tjerash, në mënyrë kategorike përfshirjen në politikë, të personave që kishin mbajtur poste të rëndësishme në administratën e Hitlerit, policinë apo ushtrinë e tij, si dhe glorifikimin e figurave e propagandës nazifashiste, apo edhe simboleve tësaj. Të njëjtin ligj, të riemërtuar me termin “Apologia del fascismo” do ta aplikonte po ashtu edhe Italia.

Në fazën e dytë, me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe Rënien e Murit të Berlinit, ishte radha e vendeve të dala nga diktaturat komuniste, (ndër të cilat, ajo e Shqipërisë, që ishte padyshim më e egra dhe më cnjerëzorja), që të përballeshin me të shkuarën e tyre.Ndryshe nga periudha e post Luftës së Dytë, tashmë bota kishte evoluar politikisht. Akti final i Helsinkit i vitit 1975 për të drejtat e njeriut, si dhe krijimi i entitetit konfederativ të Bashkimit Europian kishin ndryshuar pikepamjet dhe perceptimin kolektiv mbi normat sociale, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Këto rrethana influencuan për rrjedhojë edhe qasjen e vendeve të ish-Bllokut ndaj regjimeve të egra, prej të cilave dolën, si dhe metodën e aplikimit të drejtësisë ndaj xhelatëve dhe detoksifikimin nga mendësia qe kishin prodhuar këto diktatura. Kështu, pothuaj të gjitha vendet ish-komuniste adoptuan praktika dekomunistizimi të lidhura kryesisht me implementimin e paketave ligjore për lustracionin.

Edhe në Shqipëri, pas rrëzimit të sistemit, Partia Demokratike, e para parti politike pluraliste, kishte të parashikuar në nenin 2 të statutit të saj, procesin e dekomunistizimit si një nga prioritetet kryesore. Në përpjekje serioze dhe të vendosur për përmbushjen e këtij qëllimi, PD propozoi ndër vite gjatë mandateve të qeverisjes dhe jo vetëm, një sërë ligjesh dhe paketash ligjore, me propozime nga pastërtia e figurës deri tek hapja e dosjeve, propozime këto, shumica e të cilave u kontestuan nga Partia Socialiste, e cila kishte ardhur në skenën politike si rezultat i transformimit të PPSH në vitin 1991 dhe që kishte në radhet e veta jo vetëm ish-funksionarë të diktaturës, por edhe figura ish-hetuesish apo ish-prokurorësh.

Ndër ligjet më të rëndësishme të propozuara dhe miratuara si inciativë e PD në vitet ’90 mbeten padyshim ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, ligji nr. 8001, datë 22.09.1995 “Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare” (Ligji për genocidin) dhe ligji nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” (Ligji për verifikimin e figurave). Dy ligjet e vitit 1995, që synonin pastertinë e jetës parlamentare dhe demokratike në Shqipëri, megjithëse të legjitimuara nga Gjykata Kushtetuese në vitin 1996, që rrëzoi ankimimin e PS dhe PSD, u shfuqizuan me ardhjen në pushtet të PS në vitin 1997. Me rikthimin e saj në pushtet në vitin 2005, PD dënoi publikisht me anë të një rezolute të posacme, të votuar në parlament, krimet e komunizmit, ndërsa ne vitin 2008 riktheu ligjin për pastërtinë e figurës, i cili kësaj radhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010, pas ankimimit të paraqitur nga PS me pretendimin se ligji synonte forcimin e pushtetit personal të Sali Berishës, asokohe kryeministër i vendit.

Në të vërtetë, frika më e madhe e PS, ishte një hakmarrje e mundshme e opinionit publik dhe një zemërim popullor ndaj pjesës më të madhe të elementëve brenda saj, por edhe ndaj ish-elitës komuniste të mbetur ende gjallë, me të cilët PS kishte lidhje politike e deri diku ideologjike. Shumë prej anetarëve të saj kishin madje edhe lidhje familjare, si pasardhës të tyre. Ndërkohë, precedenti i vendosur nga Rumania, ku ligjet e lustracionit u kthyen në istrumente periferike nga qendra e djathtë për të fshirë politikisht komplet lidhjet politike me totalitarizmin, e shtoi edhe me tepër panikun se një skenar i tillë mund të përsëritej në Shqipëri.

Ajo që ndodhi pas ardhjes në pushtet të PS dhe me të cilën përballemi aktualisht është një hakmarrje e elitës së vjetër përmes trashëgimtarëve dhe një ricklim i së shkuarës në formën më të shëmtuar të saj. Pas kontestimit dhe bllokimit më shumë se një herë, të një procesi serioz dekomunistizimi, PS, pas ardhjes në pushtet ka treguar hapur me veprime konkrete se jo vetëm që nuk ka ndërmend të dënojë të shkuarën, por duke shfrytëzuar në mënyrë perverse mbetjet e indoktrinimit marksist në subkoshiencën kolektive shqiptare dhe fazën post-traumatike të represionit të mendimit të lirë, të cilën shoqëria jonë ende nuk e ka superuar plotësisht (sepse nuk është lejuar të rikuperohet), kjo forcë politike, tashmë e shndërruar në një sekt autokratësh, përpiqet të ringjallë metodat e vjetra të intimidimit për të konsoliduar dhe mbajtur pushtetin e saj. Nga dekorimi i 100 veteranëve të luftës, në mes tyre edhe e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha dhe ish-anëtarë të Byrosë Politike si Vito Kapo, tek tekstet e historisë në shkolla, që akoma helmojnë mendjet e gjeneratave të lindura në demokraci me narrativat e gënjeshtërta të shpikura nga regjimi komunist apo talljen me dëmshpërblimet dhe pensionet e ish- të përndjekurve politikë, pushteti ujit rrënjët e së keqes së ringjallur në një komb që po rrezikon të shuhet. Aparati shtetëror, i transformuar nga reforma në drejtësi në një avatar të diktaurës, me institucione që praktikojnë një drejtësi selektive dhe metoda të njohura për të intimiduar zërat opozitarë, censura e përgjithshme ndaj lirisë së medias dhe fjalës së lirë si dhe propaganda që kontrollon narrativën, manipulon opinionin dhe ushqen apatinë e përgjithshme kanë legjitimuar një konseguencializëm të përkohshëm, që përbën bazën e një fryme hakmarrëse ndaj të gjithë atyre që menduan se do të ishte e lehtë të shkëputeshin nga e errësira e së shkuarës.

Drejtësia tranzicionale nuk ka rezultuar plotësisht e suksesshme në disa prej vendeve komuniste të linjdes, por në rastin e Shqipërisë, ajo ka dështuar në mënyrën më spektakolare. Përgjithësisht  shoqëritë në këto vende, për shkak të “butësisë” të treguar ndaj represionit komunist në metodën e të trajtuarit, krahasuar me ndëshkimin e ashpër të rezervuar ndaj nazifashizmit dhe demonizimin e tij, kanë rënë pre shpeshherë e një “romantizimi” të së shkuarës, si në rastin e Gjermanisë Lindore pas rënies së Murit të Berlinit, ku ky fenomen mori emrin “Ostalgia” (nostalgjia per Lindjen). Megjithatë, kjo lloj nostalgjie është manifestuar më tepër në aspektin kulturor, apo të flirtimit me ideologjitë e dështuara marksiste, se sa në aspektin politik.

Në Shqipëri, shoqëria e dalë nga izolimi total, i përngjan hebrenjve gjatë eksodit të tyre në shkretëtirë, kur të lodhur nga endja 40-vjecare drejt Tokës së Premtuar, pa mundur ende ta shkelin, ata iu rikthyen nostalgjisë për tiraninë e faraonit dhe filluan të adhuronin idhuj të rremë. Në të njëjtën linjë, në pamundësi për të mbyllur plotësisht llogaritë me të shkuarën dhe shkëputur prej saj, vendi ynë është riskllavëruar në duart e një klike që ka në dorë të shkuarën dhe po shkatërron të tashmen, duke vrarë shpresat tek e ardhmja. Për këtë arsye është detyra morale dhe misioni politik i së djathtës shqiptare, që pas ardhjes në pushtet, në menyrë të disiplinuar dhe me vendosmëri maksimale, të cojë deri në fund përpjekjen e nisur në vitet ’90, për ta shkulur të keqen një herë e përgjithmonë me rrënjë dhe për të mbajtur gjallë kujtesën. Hartimi i një pakete të konstitucionalizuar, sipas modelit të NS-Verbotsgesetz të Gjermanisë dhe Austrisë përbën emergjencë kombëtare. Efikasiteti i aplikimit të menjehershem të kësaj pakete dhe ndëshkimi shembullor publik i të gjithë ish-gjyqtarëve, hetuesve, prokurorëve, funksionarëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, si dhe detyrimi ligjor i këtyre të fundit për të kërkuar falje publike për aktet makabre të kryera prej tyre gjatë regjimit, shoqëruar edhe me anullimin e pensionit të vecantë që ata marrin, për të derdhur më shumë para në fondin e dëmshpërblimeve per të përndjekurit, eshte hapi i parë kritik që do të lehtësojë më pas edhe procesin e detoksit nga indoktrinimi ideologjik, nëpërmjet rishkrimit të historisë në tekstet shkollore dhe zbatimit të rreptë të ligjeve të lustracionit në administratën shtetërore dhe në stafet pedagogjike të shkollave dhe universiteteve. Me interes, do të ishte edhe propozimi për ngritjen e një taskforce që do të merrej me sekuestrimin e të gjitha veprave të diktatorit, imazheve të tij apo simboleve të PPSH në qarkullim, si dhe monitorimin e tubimeve gjatë festave kombëtare apo ditëve përkujtimore, me qëllimin ndëshkimin e menjëhershëm në formën e gjobave të majme deri tek heqja e lirisë ndaj kujtdo, që në këto tubime do të shfaqet me portrete të elitës komuniste apo simbole të PPSH.

Edukimi i shoqërisë dhe sidomos i të rinjve me rrezikun që paraqet ideologjia marksiste, e cila jo vetëm rezultoi e dështuar kudo ku u aplikua, por edhe mori jetët e rreth 94 milionë njerëzve (rreth 15.6 herë më shumë se sa kampet naziste) në total, në të gjitha vendet e lindjes së bashku, përfshirë vendin tone është gjithashtu thelbësor për të evituar ri-indoktrinimin e gjeneratës së lindur në liri.

Divorci nga e shkuara dhe vrasja e së keqes konstante që varet sipër kokës sonë, si shpata e Demokleut përbën një domosdoshmëri për të gjetur busullën dhe dalë nga shkretëtira, në të cilën endemi prej 34 vjetësh, për t’u drejtuar së fundmi drejt një të ardhmeje nga e cila nuk kemi frikë, që e shohim me shpresën që kishim kur rrëzuam idhujt dhe që ofron mundësi.

Shkruar në kuadër të Laboratorit të Ideve të Departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike

About Redaksia

Check Also

“Gjësendet”, “gjykafshat” dhe të mjerat të drejta të njeriut

Nga Gent STRAZIMIRI Në fakt, është një gënjeshtër me shkrim, me vulë e me Vendim ‘Gjykafshe’! …