Është shtyrë sërish seanca në Gjykatën e Posaçme për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 16 Dhjetor në orën 11:00.
Shkaku për shtyrjen e gjyqit ka qenë i njëjti me atë të seancës së kaluar, ku avokatët kanë kërrkuar më shumë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Për këtë dosje është përzgjedhur me short gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila do të marrë vendimin nëse çështja do të dërgohet ose jo për gjykim. Ajo mund të dërgojë për gjykim dosjen, mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen. Davidhi brenda 10 ditësh cakton datën e seancës paraprake.
Ndërkohë, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj është pronocuar për mediat pas shtyrjes se seancës, ku tha se, Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar si prioritare çështjen e ish-kryeministrit dhe i është drejtuar me pyetje shtetit shqiptar.
“Seanca është shtyrë për në datën 16 dhjetor. Doja të bëja me dije se jemi njoftua se Gjykata e Strasburgut pa shteruar ende gjykimin në Gjykatë Kushtetuese ka kaluar në fazën e debatit çështjen e zotit Berisha. E ka konsideruar çështje prioritare dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar për procesin e parregullt ligjor. Janë të gjitha ankimet për detyrimin paraqitje, arrestin shtëpi, anti kushtetueshmërinë dhe pasojat që rrjedhim, ndërprerjen e aktivitetit si lider opozite dhe deputet.Të gjitha problematikat që i kemi paraqitur Strasburgu ka ecur në një shpejtësi pa precedent. Ne do presim shkresa ka ardhur drejtuar shtetit shqiptar, do plotësohen pyetje dhe do merret vendim”, tha avokati Gjokutaj.