Prishtina, 50 euro në muaj kush adopton qen, Rama jep 75 euro per pensionin minimal!

Komuna e Prishtinës ka në plan të ndajë nga 50 euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qen endacak. Ndërkohë në Shqipëri Rama jep 75 euro për pensionin minimal.

Sipas drejtorit për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica, qytetarët mund t’i marrin deri në 5 qen.

“Do t’i subvencionojmë qytetarët që janë të interesuar të adoptojnë qentë. Një person që e merr një qen do të subvencionohet me 50 euro në muaj. Qytetarët mund t’i marrin deri në 5 qen”, ka deklaruar drejtori për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica.

Derisa, këshilltari për çështje të sigurisë në komunë, Bajram Gecaj ka bërë të ditur se komuna tashmë ka nisur aksionin për dërgim të qenve endacak në strehimore.

“Të hënën në mbrëmje, si vazhdim i veprimeve të shumta për trajtimin e qenve endacak, Kryeqyteti me vendim të kryetarit, Përparim Rama, ka nisur aksionin për largimin e këtyre kafshëve nga rruga dhe dërgimin e tyre në strehimore të licencuar nga agjencia e veterinës dhe ushqimit, ku do të trajtohen si duhet dhe përgatiten më pas për adoptim”- ka shkruar ai.

Sipas drejtorit Fushtica, qëllimi është që të largohen qentë nga rruga dhe të vendosen në strehimore.

“Ky aktivitet do të vazhdojë për ditët në vazhdim. Qëllimi është që qentë të largohen nga rruga dhe të vendosen në strehimore të licensuar nga AVUK-u, ku do të trajtohen në mënyrë humane, dhe komuna do të vazhdojë të subvencionojë këtë strehimore për qentë që do t’i mbajë, ku do t’i përgatisim edhe për adoptim”, ka deklaruar Fushtica.

 

Komuna është duke e përgatitur rregulloren për trajtimin e qenëve endacak, ku përfshihet edhe mënyra se si mund të adoptohet një qen i tillë, të cilin do ta trajtojë falas në çfarëdo kohe veterinari i Kryeqytetit në qendrën për trajtimin e tyre e cila gjendet në Hajvali të Prishtinës dhe do të hapet së shpejti.

 

Bajram Gecaj ka potencuar se deri tani janë ndarë 1.3 milion euro për trajtim të qenve endacak.

Komuna e Prishtinës tashmë ka finalizuar punimet në ndërtimin e strehimores në Hajvali derisa edhe një e ngjashme pritet të ndërtohet në fshatin Slivovë.

Po ashtu, komuna ka edhe 18 pika ushqyese nëpër zona të ndryshme të qytetit.

About Krye Redaktor

Check Also

Çmimet e produkteve bazë rriten deri në 9 herë më shumë se inflacioni

Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore, deri në 9 herë më shumë se inflacioni, është …