Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, kritikoi ashpër drejtësinë dhe Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar të kontrolluar nga kryeministri Edi Rama. Ai argumentoi se vendimi i fundit i gjykatës është në kundërshtim me parimin kushtetues të proporcionalitetit, duke e konsideruar atë antikushtetues.
Berisha theksoi se gjykatësit nuk janë analfabetë, por vendimet e tyre në çështjen Berisha bie ndesh me ligjin. Ai vlerësoi vendimin e gjykatëses Flojera Davidhi e cila mori vendimin sot që, sipas tij, veproi në përputhje me ligjin.
“Nuk mund të them se, e prisja dhe nuk e prisja të jem i sinqertë. Se unë e kam thënë dhe e them se, drejtësia kontrollohet totalisht apo në tërësi nga Edi Rama. Siç e patë, Gjykata Kushtetuese prap në vendimin e fundit.
Vendimi thoshte është shkelur parimi i proporcionalitetit, që është parim themelor kushtetues, që në atë moment vendimi bie. Që në atë moment Sali Berisha është dënuar në mënyrë antikushtetuese. Analfabetë nuk janë ata, ndonëse kanë probleme shumë të mëdha nga ana e njohurive, por analfabetë nuk janë asnjëri prej tyre.
Ata sipas tyre, gjysma qenka në rregull e gjysma nuk qenka në rregull. Ai është një vendim dhe ka një nen në Kushtetutë, pikërisht për vendimet e gjykatave që shprehet; vendimet e ligjshme të gjykatave. Se mund të gjindet gjykatës që shkel ligjet, nuk ke asnjë detyrim ndaj tij.
E kam thënë dhe e them, e kam vlerësuar dhe e vlerësoj çdo akt që përputhet me ligjin të çdo gjykatësi. Kjo gjykatëse mori vendim në përputhje me ligjin dhe unë e falënderova publikisht, kaq”, tha Berisha.