Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë takimit me bashkëkombasit në Greqi, u ndal edhe te vota e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Vota e diasporës ka rëndësi përcaktuese për Shqipërinë! PD do krijojë kuadrin më të favorshëm për rikthimin e emigrantëve”, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
“Ndaj dhe ju ftoj të angazhoheni në këtë fushatë, në të cilën vota juaj ka rëndësi përcaktuese për Shqipërinë, shqiptarët dhe të ardhmen e saj.
Ju garantoj se PD, nesër në qeveri me koalicionin e saj, do krijojë kuadrin ligjor më të favorshëm, më miqësor për rikthimin e emigrantëve shqiptarëve, investimet e tyre.
Kuadër, i cili ç’është i vërteta u instalua edhe njëherë, por tani do jetë shumë më i gjerë në mënyrë që suksesin që keni pasur në Greqi, të vini dhe ta transferoni në Shqipëri.
Ju dhe emigrantët e tjerë nga të gjitha vendet, por para së gjithash duhet të angazhohemi për pjesëmarrje masive në votime.
Roli juaj është i pazëvendësueshëm, është përcaktues.
Ne do bëjmë gjithçka për të intensifikuar takimet me ju, për udhëzimet.
Do jetë viti i parë që emigracioni dhe diaspora do marrin pjesë në votime.
Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka së bashku në mënyrë që me votën tonë të lirë të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo narkodiktaturë.
Ta bëjmë Shqipërinë një vend ku qytetarët e saj gëzojnë të drejtat që duhet të gëzojnë si qytetarë europianë dhe begatohen me mundin e djersën e tyre çdo vit e më shumë.
Do mund të dalin me mundin dhe djersën e tyre nga varfëria dhe të ecin drejt një jete normale.
Edhe njëherë, gëzuar Ditën e Flamurit, por gëzuar gjithashtu edhe festat e fundvitit të gjithëve ju, miqve tuaj grekë, të gjithë familjeve tuaja”, tha Berisha.