“Kur do flasim”?, si metodë për të zhbërë kauzën e pensionistëve

Nga Erisa KRYEZIU

Prej muajit tetor, organizimi në protestë i pensionistëve ka ri-dimensionuar narrativën e qeverisë duke i vendosur ata në agjendën e ditës.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pensionistët kanë kërkuar trajtim dinjitoz me rritje pensionesh, ndërkohë qeveria ka organizuar takime me pensionistë.

Mirëpo në takimet në Tiranë, Durrës, Fier apo Korçë pensionistët përgjithësisht qëndruan dëgjues më shumë se sa folës të shqetësimeve të tyre, një metodë e përdorur sa herë ka pasur reagime qytetare ku thirrja “hajde flasim” nga Kryeministri Rama aktivizohet – kujto protestat e studentëve në dhjetor 2018.

Menjëherë pas organizimit në protestë të pensionistëve, qeveria me ministrat përkatës u mobilizua për të takuar pensionistë, për t’ju shpjeguar atyre si funksionon skema, pse nuk janë rritur deri më tani pensionet dhe se faji është gjetkë.

Të gjitha takimet u shoqëruan me foto, ku gjithëkush nga qeveria shpërndau foto me takime e përshëndetje mes pensionistëve të qeshur e gëzuar.

Pas përfundimit të shpjegimeve, bonusi për festat e fundvitit u bë ylli mbi pemën e Krishtlindjeve, duke i shërbyer të vetmit diskurs publik në vijim, atë të zgjedhjeve qendrore.

Hera e fundit kur Rama ka folur për pensionistët ka qenë 10 vite më parë.

Fillimisht në vitin 2013, teksa nisi fushatën elektorale për t’u bërë Kryeministër, duke e konsideruar rritjen e pensioneve si angazhim kryesor të qeverisë që ai do të formonte kur të vinte në pushtet.

Në 2014, teksa krijoi qeverinë u shpreh se “nuk mund të vazhdojë edhe 30 vite të tjera duke i parë pensionistët si qenie që thjesht duhet të mbijetojnë me një grusht lekësh”.

Mirëpo, prej asokohe e deri më sot pensionistët kanë qenë në vëmendjen e qeverisë për aq kohë sa ka zgjatur një “valle me dajre” në fushatë dhe kur vinte puna për të indeksuar pensionet.

Rikthimi i vëmendjes tanimë, na kujton se zgjedhjet janë pranë dhe fushata zgjedhore ka nisur.

Afrim Krasniqi, studiues dhe drejtues i Instituti i Studimeve Politike (ISP) shprehet se kjo vëmendje ndaj pensionistëve vjen në kohën kur brezi i ri është larguar dhe dy kategoritë kryesore të votuesve në zgjedhjet e ardhshme mbeten pensionistët dhe administrata.

“Fakti që Z. Rama po investohet shumë lidhet me kritikat në rritje, me pakënaqësitë për shkak se qeveria nuk ka arritur dot të bëjë as indeksimin gjatë viteve të pensionistëve dhe po ashtu nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që lidhen me rritjen e pensioneve apo benefitet e tjera në shërbime sociale”.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), prej vitit 2011 e në vijim nga Shqipëria largohen rreth 42 mijë persona në vit, ku 70% e tyre janë të rinj.

Krasniqi argumentoi se pensionistët kanë qenë votues besnikë të së majtës në Shqipëri dhe fakti se nuk ka një mobilizim prej tyre për të marrë pjesë në zgjedhje është shqetësuese për të majtën.

“Lëvizja e Z. Qori, e cila deri diku është një lëvizje brenda së majtës, një lëvizje e re politike, e cila deri diku ka një natyrë ideologjike dhe ka në fokus pensionistë dhe shtresat sociale është kthyer në kërcënim për Partinë Socialiste se çdo votë për të është votë që i shkon kundër formulës dhe synimit të saj politik,” u shpreh Krasniqi, duke pasur parasysh që protestat e pensionistëve janë thirrur dhe organizuar nga Lëvizja Bashkë.

Pensionistët faktor për mandatin e katërt

Në Shqipëri aktualisht janë rreth 700 mijë pensionistë. Pensionet vijojnë të jenë të ulëta, mesatarisht rreth 11,000-18,000 lekë në fshatra e qytete.

Rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës ka bërë që shumë pensionistë në muajt e fundit të 2024 të dalin në protesta. Protesta këto të organizuara nga një parti e re, sikurse “Lëvizja Bashkë”.

Ky organizim ka bërë që pensionistët të përmenden në të gjitha komunikimet e partive kryesore në vend, duke nxitur qeverinë për një narrativë mbrojtëse dhe deri diku justifikuese për çfarë nuk është bërë këto tre mandate për këtë shtresë të popullsisë.

Sipas Gjergj Erebarës, gazetar dhe njohës i ekonomisë, duke qenë se “Lëvizja Bashkë” ka arritur t’i bëjë pensionistët temë të debatit politik, kryeministri Rama është tërhequr në një diskutim tanimë jo-komod për pensionet.

“Kjo tregon nga njëra anë që partitë e reja kanë potencialin të ngrenë tema me rëndësi të madhe për qytetarët, ndërsa partitë e vjetra dukshëm dëshirojnë që këto tema të mos ekzistojnë kurrë, por nga ana tjetër edhe faktin që tema e pensioneve, ndryshe nga korrupsioni, nuk ka një fajtor të vetëm lehtësisht të identifikueshëm,” argumentoi Erebara.

Sipas tij, partitë e reja e kanë fushën e lirë për të ngritur problemin e pensioneve dhe shumë problemeve të tjera, për të cilat partitë e vjetra nuk e bëjnë dot, pasi janë përgjegjëse.

“Pensionet janë vetëm një prej shumë temave. Kushtet e banimit, shtëpitë e pa-përballueshme për të gjithë, lindshmëria e ulët, trafiku i rënduar, cilësia e jetesës, mbrojtja e mjedisit, të drejtat e njeriut, liria e shprehjes, të drejtat e pronësisë e shumë të tjera, janë tema politike që presin politikanin e duhur që të artikulohen,” vijoi Erebara.

Për Afrim Krasniqin, PS nuk i ka parë pensionistët deri tani si një shtresë ku duhet të investohet afatgjatë, ndaj edhe gjuha e përdorur ndaj përfaqësuesve të “Lëvizjes Bashkë” është denigruese.

“Prandaj edhe Z. Rama përdor gjuhë denigruese ndaj kësaj partie dhe ndaj kryetarit të kësaj partie politike. Duke e parë si kërcënim dhe për më tepër fakti që ata po organizojnë vazhdimisht protesta para Kryeministrisë shihet edhe si lëvizje, e cila mund të zgjerohet dhe mund të ketë potencial për të tërhequr numër votuesish që konsiderohen statistikisht si votues të PS-së.”

Qeveria vendosi të ofrojë bonuse për pensionistët për festat e fundvitit. Për ata që kanë pension deri në 20 mijë lekë, do të përfitojnë 15 mijë lekë shpërblim, ndërsa ata që kanë pension mbi 20 mijë lekë, 10 mijë lekë.

Kjo “praktikë shpërblyese” është traditë e qeverive shqiptare, e në këtë rast sipas ekspertëve i shërben fushatës elektorale për qeveritë që janë në krizë.

“Do të japë ndonjë shpërblim për rastin e Vitit të Ri, në mënyrë që të shpresojë që pas katër muajsh pastaj ky lloj shpërblimi të kthehet në votë elektorale,” u shpreh Krasniqi.

Rritja e pensioneve ende larg

Në takimet me pensionistët Kryeministri Rama është shprehur se reforma e pensioneve në 2014 ka pasur efekt.

“Ne hoqëm tavanin dhe të gjithë ata që dalin në pension nga 2014 e këtej, kanë pension më të lartë,” tha Rama në Durrës.

Sipas Gjergj Erebarës raporti mes të punësuarve dhe pensionistëve nuk është në favor të kontributeve për pensione, pasi në vend janë aktualisht 730 mijë të punësuar dhe 705 mijë pensionistë.

“Normalja është që të ketë një pensionist për 3 apo 4 të punësuar. Situata parashikohet të jetë edhe më problematike në vitet në vijim për shkak se krijimi i vendeve të punës është i ngadaltë, brezi 55-65 vjeç, në prag të pensionit, është më në numër se brezi 10-20 vjeç, pra brezi që pritet të dalë në tregun e punës gjatë dekadës së ardhshme,” argumentoi Erebara.

Sipas kryeministrit Rama aktualisht janë 600 milionë euro që qeveria duhet t’i gjejë për të mbuluar gropën e pensioneve.

Mirëpo, Afrim Krasniqi skemën e vitit 2014 e sheh si dështim.

“Fakti që pas një dekade përsëri rikthehet si çështje, do të thotë se ajo skemë ka dështuar dhe nuk ka funksionuar dhe në fakt borxhliu më i madh në sistemin e pensioneve në Shqipëri janë vetë institucionet shtetërore, të cilat për vite me radhë nuk kanë arritur të arkëtojnë shifrën e përcaktuar nga ligji dhe të krijojnë atë fondin e mbështetjes sociale në Shqipëri”.

Deri më tani, sipas njohësve të ekonomisë nuk ka pasur rritje reale të pensioneve.

“Pensionet nuk janë rritur dhe tendenca është që pensionet e reja, sipas skemës së vitit 2016, janë edhe më të vogla se sa ato të vjetrat,” tha Gjergj Erebara.

Sipas tij, masa e pensionit mesatar do të vijë në ulje ose do të qëndrojë në nivele të tilla edhe në vijim.

“Për vitin 2023 pati 40 mijë vetë që morën pension për herë të parë dhe masa e tyre e pensionit ishte 15 mijë lekë në muaj. Masa e pensionit mesatar aktualisht është 18 mijë”.

Edhe në buxhetin e vitit 2025 nuk parashikohet rritje të pensioneve, ndërsa vihet re se numri i shqiptarëve në prag pensioni do të jetë më i lartë se i atyre që pritet të hyjnë në tregun e punës.

“Qeveria parashikon që rritja nominale e ekonomisë në tre vitet e ardhshme të jetë 5%. Kjo do të thotë që edhe indeksimi i pensioneve me 2% në vit nuk është e lehtë sepse ndërkohë, numri i pensionistëve po rritet,” analizoi Erebara.

Në këto kushte, të pasurit një pension dinjitoz në Shqipëri është ende i pamundur, për aq kohë sa është sa 70% e pagës.

Për Erebarën, kjo mund të arrihet vetëm nëse rrëzohen qeveritë e korruptuara.

“Do të thotë që një person që ka punuar me pagë minimale prej 35 mijë lekë neto, duhet të ketë një pension në masën 25 mijë lekë dhe ai që ka punuar me pagë 100 mijë lekë ta ketë 70 mijë lekë. Kjo mund të realizohet në dekadat e ardhshme në rast se qytetarët do të gjejnë forcën të rrëzojnë qeveritë e korruptuara.”

Faji i “tjetërkujt”

“Sot pagat reale janë më shumë se ato që deklarohen, pikërisht për t’iu shmangur taksave. Ky që i merr bën dy gabime të mëdha, merr pjesë në vjedhjen e një pensionisti, e dyta, godet veten se kur del në pension do ketë pension të vogël,” tha Kryeministri Rama në Durrës duke ia hedhur fajin bizneseve.

Sipas Krasniqit kjo retorikë kundër biznesit është jo-normale, për aq kohë sa bizneset janë të detyruara të deklarojnë shpenzimet me ligj.

“Për sa kohë klientët kryesorë, ata që quhen oligarkë, investuesit kryesorë në Shqipëri, janë kategoria që kanë informalitet më të lartë, që deklarojnë numrin e investimeve të tyre, por nuk deklarojnë të ardhurat dhe nuk paguajnë në mënyrë korrekte detyrimet… para se të shkosh te kompanitë e vogla të duhet të mblidhesh me klientët kryesorë që janë të qeverisë dhe që kanë edhe potencialin më të madh për të ndikuar në thesin e madh të parave që shkon në politika sociale”.

Sipas Krasniqit kur qeveria thotë se ka rroga fiktive është detyrë e saj të publikojë emrat që publiku të njihet dhe qeveria të mbrojë të drejtat e punonjësve.

“Në një vend demokratik që pretendon të hyjë në BE, e para duhet të njësojë tregun, duhet të njësojë të dhënat dhe duhet t’i publikojë të gjitha rastet e individëve, të cilët kanë detyrime të tilla dhe afatet ligjore dhe masat që ka marrë qeveria kur ka pasur këtë informacion. Gjë që nuk ka ndodhur dhe duhet hequr dorë nga ideja e një amnistie që bëhet gjithmonë në prag të fushatës elektorale,” argumentoi Krasniqi.

Sipas drejtuesit të ISP-së një qeveri nuk duhet të kërcënojë biznesin por të ofrojë komoditet fiskale dhe administrative për të lehtësuar produktivitin e tyre. Ndërsa thekson se nuk ka konkurrencë pasi ka politika monopol dhe ligje të porositura për të favorizuar kompani të caktuara./ Citizens.al

About Redaksia

Check Also

Ata që nuk kënduan…

Nga Lutfi DERVISHI Çfarë do të ndodhte nëse do të reagonim po aq shpejt dhe fuqishëm …