110 milion eurot e Becchettitt/ PD kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin Rama!

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar një interpelancë urgjente në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me arbitrazhin e fituar nga biznesmeni italian Francesco Becchettin kundrejt shtetit shqiptar, në shumën prej 110 milion euro.

Kjo kërkesë vjen pasi Eurocontrol njoftoi zyrtarisht Qeverinë shqiptare se përmbaruesi i Becchettit ka ekzekutuar vendimin e arbitrazhit, duke marrë të gjitha paratë e hapësirës ajrore të Shqipërisë, të cilat mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol, që prej dhjetorit të vitit 2020.

Përmes një shkrese drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi shkruan se nga faktet dhe provat e vëna në dispozicion, ICSID ka konstatuar se si rezultat i veprimeve të paligjshme të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ku përfshihen Edi Rama, Erion Veliaj dhe Ëngjëll Agaci, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të një rangu më të ulët si Enkelejd Joti, Skerdi Drenova apo Gentian Sala, sipërmarrjet e biznesmenit italian Becchetti janë shkatërruar plotësisht. Më konkretisht, bëhet fjalë për mbylljen e televizionit Agon Channel.

Kërkesa e plotë drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali

Znj. Kryetare e Kuvendit,

Në prill 2021, opinioni publik shqiptar është njohur me vendimin “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të marrë nga Qendra për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve pranë Bankës Botërore (ICSID), e cila kishte vendosur t’iu akordonte palëve paditëse një dëmshpërblim në vlerën 110 milionë euro nga Republika e Shqipërisë, përfshirë interesat dhe shpenzimet gjyqësore.

Ky shpërblim iu akordua palëve paditëse Becchetti dhe të tjerë, pasi nga faktet dhe provat e vëna në dispozicion, ICSID ka konstatuar se si rezultat i veprimeve të paligjshme të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ku përfshihen Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, Erion Veliaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë Tiranë dhe Ëngjëll Agaci, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të një rangu më të ulët si Enkelejd Joti, me detyrë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (asokohe), ish-drejtor i përgjithshëm i Top Channel, shtetasi Skerdi Drenova, me detyrë administrator i Operator të Sistemit të Transmetimit (asokohe), ish-zëvëndësdrejtor i përgjithshëm i Top Channel dhe shtetasi Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive (asokohe), ish-drejtor i Top Channel dhe Digitalb, sipërmarrjet e biznesmenit italian Becchetti janë shkatërruar plotësisht.

Konkretisht ICSID, pasi shqyrtoi mesazhin e dërguar në datën 5 shtator 2014, nga Erion Veliaj, ish-Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, bisedën e zhvilluar në fillim të vitit 2014 me Ëngjëll Agacin, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, statusin në Facebook të Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë dhe deklaratat e tij në media në qershor 2015, arriti në përfundimin se vendimi i sekuestrimit të Agonset ishte finalizimi i një fushate politike kundër sipërmarrësit Becchetti dhe ortakëve të tij. Për ICSID ishte e qartë se në këtë rast nuk kemi pasur të bëjmë me një proces të rregullt ligjor, por vetëm me një proces të motivuar politikisht, që kishte për qëllim mbylljen e televizionit dhe shkatërrimin e sipërmarrjeve të biznesmenit italian Francesco Becchetti në Shqipëri (shih paragrafin 724 të vendimit).

Megjithëse, Kryeministri Edi Rama dhe ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj e kanë mohuar në vazhdimësi se Shqipëria do të paguante dëmshpërblimin prej 110 milionë euro sipërmarrësit Becchetti dhe ortakëve të tij, proceset e iniciuara nga qeveria shqiptare pranë ICSID dhe tribunaleve të tjera ndërkombëtare nuk arritën të prodhonin asnjë ndryshim, sa i përket detyrimit të qartë të shtetit shqiptar për shlyerjen e plotë të faturës financiare të mbylljes dhe shkatërrimit të televizionit Agonset. Në javën e dytë të nëntorit, mediat shqiptare raportuan gjërësisht se një përmbarues belg kishte arritur të ekzekutonte vlerën e plotë të dëmit në favor të biznesmenit italian nëpërmjet fondeve të Albcontrol, që mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol prej dhjetorit 2020. Sipas raportimeve mediatike, në 12 nëntor 2024, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol për kryerjen e ekzekutimit të plotë të vendimit të ICSID.

Megjithatë, deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, nga ana e qeverisë shqiptare dhe kompanisë Albcontrol nuk ka pasur asnjë reagim a qëndrim zyrtar sa i përket vërtetësisë së raportimeve mediatike dhe në funksion të transparencës së plotë me taksapaguesit shqiptarë, të cilët për shkak të veprimeve arbitrare e të paligjshme të kryera nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, si Kryeministri, Kryebashkiaku i Tiranës dhe Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë duhet të shlyejnë faturën më të lartë në historinë e arbitrazheve ndërkombëtare me palë shtetin shqiptar. Qeveria dhe kompania Albcontrol kanë për detyrë të informojnë Kuvendin e Shqipërisë, dhe nëpërmjet tij qytetarët shqiptarë lidhur me vërtetësinë e këtij procesi, përgjegjësit dhe pasojat e këtij dëmi kaq të lartë financiar.

Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve të detajuara lidhur me ekzekutimin e vendimit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID).

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

KRYETARI

 Gazment BARDHI

About Redaksia

Check Also

Skandali 3 mln euro me shkollën në Manzë/ Garo: Do të hetohen dhe ndëshkohen abuzuesit me fondet e rindërtimit

Deklarata e zëdhënëses së PD, Floriana Garo: Ajo që po ndodh me fondet e rindërtimit …