Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët ka denoncuar aferën e portit të Durrësit. Sipas tij, kjo është vjedhja më e madhe që u bëhet shqiptarëve, që prej bunkerëve.
Berisha ka përshëndetur edhe kompanitë që nuk morën pjesë në tenderin e Ramës.
“Afera e Portit të Durrësit përbën dënimin më të rëndë pas ndërtimit të bunkerëve nga Enver Hoxha për taksapaguesit shqiptarë.
Ju të gjithë jeni dëshmitarë se kur Edi Rama informoi publikun se do ndërtonte Dubai Sitin në Portin e Durrësit, ai deklaroi në mënyrë të përsëritur se për portin tjetër, taksapaguesit shqiptarë nuk do shpenzojnë një qindarkë.
Pra, sipas tij, portin tjetër do e ndërtonte privati.
E vërteta është se me Dubai Sitin e Durrësit, shqiptarët plaçkiten më shumë se kurrë përveç bunkerëve në historinë e tyre.
Territori tokësor dhe ujor i portit me mbi 1 milion e 400 mijë metër katrorë tokë, iu dhurua Alabarit dhe Edi Ramës, ndërkohë që vlera e tij është të paktën 3.8 miliardë euro.
Ai territor u dhurua për ndërtimin e 12.500 apartamenteve dhe 6 hoteleve me 6 yje, ultraluksoze, dhe ndërtimin e marinës ndër më të mëdhatë në Mesdhe. Pra, de facto ndërtimin e një parajse që përveç familjeve të emirëve të Emirateve të Bashkuara apo ndonjë tjetër, askush nuk mund ta kishte.
Porti mijëvjeçar i Durrësit, për Edi Ramën, do ndërtohej në Porto Romano dhe në shkelje të çdo ligji, ndryshoi ligjin e prokurimeve me një kompani të njohur holandeze, përsëri në shkelje të ligjeve, porositi projektin prej 12 milionë eurosh.
Informoi publikun, hapi tenderin dhe tha se 5 kompani të mëdha botërore i kemi të listuara për ndërtimin e portit në Porto Romano.
Por në ditën e mbylljes së tenderit, asnjë kompani nuk u paraqit për të marrë pjesë në këtë aferë monstruoze të Edi Ramës dhe unë i përshëndes ato”, tha Berisha.