Një pyetje për çdo demokrat: Kjo listë pasojash, a falet?

Nga Pranvera SHEHAJ

Në politikë, më shumë se kudo, ka raste kur nervi i argumentit nuk i dëshiron as lulet e të shkruarit e të të folurit. Janë ato raste kur fuqia e përmbajtjes e ndien të tepërt çdo tejzgjatje me qëllim shitjen bukur të mendimit. Të tillë rasti dua t’i nënshtrohem në këtë shkrim, si një komunikim i drejtpërdrejtë pa as më të voglën ëndje për ta moderuar a zbutur fjalën. E thjeshtë dhe e pa zbukuruar, natyrale sa e sinqertë, ashtu siç në këtë rast më duhet, ashtu kjo pyetje për çdo demokrat le të vijë.

Në 333 ditët e shndërrimit de facto të Shqipërisë në një shtet monist, kur drejtësia u shkërrmoq edhe ashtu e rënë siç ishte, kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u mohua, shumë më shumë se arrestimi i liderit të Partisë Demokratike ndodhi. Ashtu siç ishte planifikuar nga një shtet parapolitik, arrestimi antiligjor pa asnjë provë dhe fakt i liderit të partisë që ka qeverisur vendin për 13 vite ndër 34 vite pluralizëm politik, pati efekte që e tejkalojnë atë personalin.

1- Institucioni ligjvënës i parlamentit largoi për 333 ditë deputetin më aktiv të tij në veprimtarinë parlamentare, ashtu sikurse figurën më të guximshme të denoncimit publik me identitet të bandave dhe krimit që furnizojnë pushtetin nga foltorja e parlamentit. Përmes tij, u privuan nga përfaqësimi në parlament për 333 ditë, plot 6766 votues,shtetas shqiptarë, të deputetit të PD z.Berisha në vitin 2021.

2- Mungesa e pranisë së liderit në terren, kushtet politikisht demotivuese në të cilat u dirigjua aksioni opozitar për rreth një vit demoralizuan strukturat e PD. Përkundrazi, ishte humbja e shpresës se drejtësia do të vihej në vend, dhe jo mungesa e mbështetjes ndaj liderit të partisë, ajo që stimuloi lëvizjet kaotike dhe pozicionimin edhe të kontributorëve në strukturat e PD në rrethe, në pasivë dhe vëzhgues. Me përjashtime sporadike, në sinkron të plotë me emergjencën e kauzës për lirimin e liderit, strukturat e PD, kryetarët e degëve, deputetët e qarqeve kaluan shumëçka në dytësore duke hijëzuar mobilizimin intensiv aktiv, ndoshta duke qenë të bindur në aksiomën se pesha politike e lideritnuk balancohet, andaj rrugëtimi drejt betejës zgjedhore, pa lirimin e tij, do të ishte inerci.

3- Prevalimi i kauzës për lirimin e liderit demokrat, si pasojë të pashmangshme, përpos gjithë përpjekjve të gjithë aktorëve të PD për të vazhduar betejën politike, çoi në hijëzimin e vëmendjes ndaj çdo aksioni tjetër në funksion të zgjedhjeve elektorale, duke nisur prej takimeve deri tek konsolidimi i programit. Peshën politike të një partie e ka së pari lideri, dhe më pas ajo shumëfishohet dhe ndahet ndër gjithë protagonistët e tjerë në varësi të roleve. Në çdo hap që u përpoqëm të hidhnim në funksion të përgatitjes për betejën zgjedhore, mbysnim brenda vetes skepticizmin dhe dyshimin, a kishte peshë ajo që po bënim me liderin në arrest?

4- Ishin 333 ditë kur kryefjalë e aksionit opozitar ishte protesta, e formave të ndryshme, e ritmeve të ndryshme. Në çdo një nga protestat për të gjithë shumësinë e kauzave që të imponohen në një regjim autokrat modern, demokratët u privuan nga udhëheqësi i tyre politik fizikisht në terren. E këtu dua të ndalem, jo për faktin se kjo pasojë peshon më shumë a më pak se të tjerat, por për faktin se këtu si demokrate nuk mund të fal shumë më shumë se pushtetin. Këtu nuk di a falet shqiptari dhe shqiptarët që rëndonin padrejtësinë mbi supet tona duke na numëruar sa shumë a sa pak ishim në terren, dhe si të verbër e të shurdhët, që as e shihnin as e ndihnin këmbanën që binte edhe për ta, harronin se aty ishim pa liderin, edhe për ta.

5- Dobësia njerëzore është virus karakterial ndaj të cilit vështirë se ka imun. T’i besosh faktit se në kohë të vështira testohet qëndrueshmëria e bindjeve, për aq gjatë sa në kohë të vështira njeriut i kërkohet të japë pa i premtuar asgjë veç betejës së përbashkët në qëllim, nuk është detyrë e lehtë. Gjatë 333 ditëve të goditjes ndaj PD, u krijuan disa parti opozitare, të vërteta ose nën kamuflazh, si degëzime, fraksione ose dublime të PD. Ndihmesë për vegjetimin apo qarkullimin e tyre në terren dhe media ishte persekutimi një vjeçar i PD. Ndërsa në demokraci, çdokush ka të drejtën e një ëndrre politike, në kontekstin e autokracisë shqiptare, krijimtaritë e 1000 votave mbesin shumëfishim i autokratit dhe i mekanizmave të tij elektorale.

6-  Në 333 ditët e territ të pushtetit, arrestimi i liderit të PD, shërbeu si precedent që do të zbuste reagimin institucional dhe extra-institucional, brenda dhe jashtë Shqipërisë ndaj të burgosurit të parë politik të Shqipërisë post-komuniste, deputetit Salianji. Martir politik i censurës së fjalës së lirë, përllogaritja për reagimin ndaj arrestimit të tij, ndërkohë që ishte kryer akti i arrestimit të vetë liderit të të njëjtës parti, ishte e saktë: precedenti i fortë e forcon apatinë për viktimën e radhës.

7- Ka vetëm një faktor që opozita dhe pushteti, pakica dhe shumica në parlament, e kanë të barabartë në një regjim autoritar: koha. Njëjtë, përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, në kushtet e çdo forme pabarazie gare prej tashmë 3 viteve, ne kishim vetëm një faktor të barabartë me socialistët: kohën. Në 333 ditët që kaluam, edhe atë e morën. Ndërsa personaliteti politik që më së shumti historia politike e tre dekadave e njeh si njeriun e terrenit dhe njerëzve, aq sa të institucioneve, u mbyll brenda mureve të pamundësisë për t’i folur sy ndër sy mbështetësve, lideri i socialistëve dhe autokrati i shqiptarëve, linte gjurmët e atleteve në kantieret e Shqipërisë, fshatra e qytete, deri kur nuk ngurroi t‘u shkonte për t‘ua lypur votën atje në Evropë e gjetkë. Janë 333 ditët e takimeve të humbura, diskutimeve të humbura, duar të pashtrënguara, ankesa dhe probleme të padëgjuara, forcë e pashpalosur, shpresë e munguar. Gjithçka që mund të përvidhet kur përvidhet koha. Edhe atë e morën.

Përtej asaj ç‘mund të mendoja, është e gjatë lista e pasojave, së paku e tillë që kundër vullnetit tim nuk më lejoi t‘i dorëzohesha plotësisht optimizmit që vetë njeriut i përngjitet sa herë ai merr qoftë edhe vetëm pak. Ndërsa nuk shoh asnjë vlerë të shtuar të humanëvekur një njeri merr drejtësinë që i takon, di po ashtu se për të drejtën që na takon dhe për atë që meritojmë, nuk falenderohet e as mirënjihet askush veç ZOTIT. Ndaj mendimi që tek unë iu mbivendos çdo tentative për entuziazëm ishte në fakt një pyetje: Kjo listë pasojash, a falet?

Me mendjen në atë çfarë humbëm dhe me nevojën jetike për ta rimarrë në duar kohën duke i rekuperuar një nga një secilën prej pasojave, me mënyrën, këmbënguljen, forcën që si demokratë dimë dhe kemi brenda vetes, në krye më jehojnë disa fjalë të Churchill:“Pa Fitore nuk ka mbijetesë”. Duhet të jemi të kthjellët se nëse në këto 333 ditë na kanë cënuar fitoren, na kanë cënuar mbijetesën. Ndaj sërish pyes revoltën brenda çdo demokrati e në emër së paku të bindjes se s‘ka shqiptar që ia dëshiron të zezën me vetëdije këtij vendi, pyes revoltën brenda çdo shqiptari: Kjo listë pasojash, më thoni, a falet?Si demokrate, si shqiptare, e di, nuk falet. Ndaj në këtë shkrim modestisht mora kostot e të kujtuarit të asaj çfarë humbëm sepse vetëm kthjellimi për humbjet zgjon fuqinë e pashtershme për t‘u ringritur nga hiri duke e sfiduar edhe kohën.

About Redaksia

Check Also

Ata që nuk kënduan…

Nga Lutfi DERVISHI Çfarë do të ndodhte nëse do të reagonim po aq shpejt dhe fuqishëm …