Vjosa, fasada e gjelbër e socialistëve të Edi Ramës

Nga Artan Rama

Pak ditë më parë në Tepelenë, në një sallë të mbushur me socialistë dhe fare pak të ndryshëm, Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, arriti në një konkluzion të posaçëm. Ajo deklaroi: …gjatë viteve të vështira të tranzicionit, Vjosa u ruajt, sepse njerëzit e braktisën për mungesë vizioni nga të gjitha qeveritë. “Ruajtja” nuk mund të merret e mirëqenë, ndërkohë që togfjalëshi “mungesa e vizionit”, është një fakt që pranohet botërisht.

Ka shumë diskutime për Vjosën, por me shpalljen e lumit park kombëtar vitin e shkuar, Kumbaro dhe qeveria së cilës ajo i përket premtuan se do të tregohen largpamës. Por, siç thotë populli: “nga e thëna në të bërë shkon në mes një lumë i tërë”. Sikurse shtrati, problemet e Vjosës janë të gjera dhe të thella, ndaj dhe energjitë e autoriteteve po shkojnë tek e thëna, jo tek e bëra, ende larg zbatimit të një vizioni të ardhshëm.

Vjosa Park Kombëtar nuk është ende e tillë; thjesht u morr vendimi për t’u bërë. Ujërat e ndotura urbane dhe ujërat e zeza vijojnë të derdhen në të. Minierat e Selenicës vijojnë nxjerrjen dhe përpunimin e zhavorrit bituminoz, duke depozituar një pjesë të mineralit dhe të skorjeve në “nën-zonën qendrore” të Parkut. Diku më lart, në Shushicën e Sipërme, një prej burimeve të lumit rrezikon të devijojë për të furnizuar ujësjellësin e Himarës. Afro dy vite pas shpalljes, Parkut i mungon drejtori dhe një staf i dedikuar menaxhimi.

Kumbaro thotë se rruga drejt Parkut është proces. Kështu po thonë edhe disa organizata jofitimprurëse. Por kur do të përfundojë ky proces? Askush nuk e thotë.

“Problemi me Vjosën është marrja e ujit”, – shprehet Profesori i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Lulëzim Shuka. “Nuk mund të jetë park, nëse i merr ujin. Ujëmbledhësi shfrytëzohet masivisht, nga Drinosi në Vlorë e më tej. Mbulesa bimore është shkatërruar nga mbikullotja”, – vijon ai.

Konflikti për ujin përmendet edhe në Planin e Menaxhimit (i sapo përfunduar), në të cilin thuhet se “tërheqja e ujit” përbën një kërcënim për Parkun. Miliona metra kub ujë në vit devijojnë shtratin për plotësimin e nevojave të njerëzve dhe të bujqësisë. Ende nuk ka asnjë adresim, (asnjë vizion) për zgjidhjen e këtij konflikti.

“Dy mbrojtje” = më shumë përplasje

Në një seksion të lumit, në grykëderdhje, mbi kufijtë e Parkut janë mbivendosur të tjerë kufij. Fjala është për një tjetër territor të mbrojtur. Pra, dy territore të mbrojtura që ndërthuren me njëra-tjetrën, duke formuar një pjesë të përbashkët. Konkretisht, një pjese të parkut kombëtar i mbivendoset një pjesë nga peizazhi i mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Mbivendosja mund të shkaktojë një konflikt, jo të parëndësishëm. Ato do të administrohen nga dy departamente, secila me kërkesa menaxhimi dhe me objektiva ruajtjeje të ndryshme. Kështu, Parku Kombëtar ka si objektiv ruajtjen tërësore të biodiversitetit, ndërkohë që Peizazhi i Mbrojtur synon, ndër të tjera, zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike për banorët dhe komunitetin e biznesit. Në këtë mënyrë, objektivat kontradiktore mund të çojnë në një administrim kontradiktor, duke minuar potencialisht këto objektiva. Për më tepër, mbivendosja mund të çojë në numërimin e dyfishtë të sipërfaqes, duke e zgjeruar artificialisht atë.

“Është një shkarravinë në nxitim e sipër”, – e komenton përplasjen, eksperti i GIS, Elson Salihaj, duke këqyrur hartat. “Një konflikt i panevojshëm, por që rrezikon seriozisht integritetin e Parkut, pasi zhvilluesit do të këmbëngulin që të zbatohet niveli më i dobët i mbrojtjes, për të bërë të mundur projektet dhe investimet e tyre brenda territoreve të mbrojtura”. I përqendruar mbi harta, ai tund kokën plot dyshim, por pohon me bindje se ajo  nuk mund ajo të quhet një ngatërresë e padjallëzuar.

Shumë nga ata që dëgjuan këtë muaj Kryeministrin e Shqipërisë, që të kritikonte demagogjinë e fjalimeve boshe për klimën në Samitin e Liderëve Botërorë në Azerbajxhan (COP29),  kujtojnë se vitin e shkuar, nga podiumi i Tepelenës, gjatë ceremonisë së shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, i njëjti kritikonte ata që kundërshtonin ndërtimin e aeroportit, që krahas avionëve do të shtonte emetimet e karbonit në territorin ligatinor të shpendëve në Nartë; i njëjti njeri që me lehtësinë më të madhe çeli portat që biznesmeni Jared Kushner të investonte paratë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë. Po nëse qëndrimet pro natyrës i shërbejnë kryeministrit për të sfiluar në vitrinën politike me kostum të gjelbër, ato kundër natyrës kombinohen me veprime konkrete në dëm të së gjelbrës.

Këtë shkurt qeveria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura. Këtej e tutje, brenda parqeve lejohet ndërtimi i hoteleve. Vjosa është një prej parqeve. Ndonëse e vështirë për të ndërtuar mbi shtratin e një lumi (pasi territori i mbrojtur përkon, saktësisht me rrjedhën e ujit), ndërtimi në park tani është i mundur edhe ligjërisht. Mjafton t’i hidhni një sy hotelit “Uji i Ftohtë” në anë të brigjeve të Vjosës pranë Tepelenës, për të kuptuar se sa lehtë mund të bëhet, teknikisht, kjo gjë.

Në ligjin e vjetër, nën-zona qendrore në parqet kombëtare ndahej në dy kategori (A dhe B) që dallonin mes tyre nga shkalla e ndërhyrjes. P.sh., në nën-zonën qendrore A nuk lejohej asnjë ndërtim. Ndërkohë, në ligjin e ri nënzonat u bashkuan në një të vetme, duke lejuar disa ndërhyrje. Kombinimi i neneve 16 dhe 33 lejoi “veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë…”, që do të thotë se në ligjin e ri mund të ndërtohen hotele me pesë yje, brenda nënzonës qendrore të Parkut.

Vjosa në rrjedhën e konsfiskimit nga qeveria

Kur Vjosa u shpall Park Kombëtar vitin e shkuar, shpallja synonte që ta mbronte nga ndërhyrjet dhe nga veprimtaritë e paqëndrueshme ekonomike. Por rreziku prej hidrocentraleve kishte rënë, qysh kur Rama kishte deklaruar në 25 shtator 2020 në X se hidrocentralet mbi Vjosë nuk do të ndërtoheshin. Por tani, ata që ishin ngritur kundër hidrocentraleve  kërkonin një tjetër angazhim: shpalljen e lumit Park Kombëtar. Kompania amerikane, “Patagonia Inc”, e cila krahas ushtrimit të biznesit, promovonte edhe zonat e egra të globit, u ftua që të bëhej pjesë e këtij angazhimi. Dhe ajo pranoi. Në rrethana ende të pasqaruara, edhe qeveria shqiptare, e njëjta që përgjatë një dekadë kishte kundërshtuar fanatikisht idenë mbi parkun kombëtar të Vjosës, nënshkroi në qershor të vitit 2022, Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Patagonian, ku së bashku binin dakord që të punonin për shpalljen e lumit dhe të tributarëve të tij, park kombëtar.

Marrëveshja, e shkurtër në tekst, kishte gjashtë nene gjithsej dhe vetëm një nen (Neni 3) specifikonte thelbin e saj“palët do të angazhohen për rritjen e mbrojtjes së Lumit Vjosa në nivelin e Parkut Kombëtar… siç përcaktohej në nenin 16 të ligjit” të vjetër të zonave të mbrojtura. Dukej një zhvillim i jashtëzakonshëm për një vend të vogël si Shqipëria, që në fare pak vite kishte ndërtuar me qindra hidrocentrale, duke shkatërruar habitate të rëndësishme natyrore. Kështu, siç mund të merrej me mend lehtësisht, ajo u shndërrua edhe në një moment të artë për zbatimin e programit të trushpëlarjes së gjelbër, madje i tejkaloi kufijtë kombëtarë. Në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe të përpjekjeve për shpëtimin e planetit, shpallja e të parit ekosistem lumor park kombëtar, shërbeu për t’i dhënë burokracisë së gjelbër globale moralin  e munguar.

Por shumë shpejt, ndërkohë që plani i ri i menaxhimit të Vjosës Park Kombëtar po përgatitej në terren, deputetët socialistë në Tiranë nxituan dhe ndryshuan ligjin e zonave të mbrojtura. Ndryshimet prekën edhe nenin 16, atë për të cilin palët ishin dakordësuar në Marrëveshje. Duke qenë se asokohe isha në dijeni të diskutimeve (ndonëse të mbyllura), mes përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, drejtuesve të Patagonias dhe ekspertëve të IUCN, unë e pyeta Patagonian, nëse këto ndryshime, specifikisht të nenit 16, kishin qenë pjesë e diskutimeve. Por Patagonia nuk përgjigje. U dërgova nga një kërkesë ekspertëve të E.C.O. (Instituti i Ekologjisë (Austri)), të cilët koordinuan dhe drejtuan planin e menaxhimit (të financuar nga Patagonia dhe nga buxheti i shtetit), por as ata nuk u përgjigjën. Vjosa ishte bërë aq e madhe, saqë shpërfillja e të dhënit llogari përpara publikut shqiptar dukej e justifikueshme.

Globalizimi i Vjosës nuk po ndihmon. Konfiskimi i çështjes së saj nga autoriteti shtetëror dhe nga struktura ndërkombëtare rrezikon kapjen e aspiratës komunitare, duke e demotivuar atë për të mbrojtur vetë burimet e saj.

Vjosa mbetet po aq e rëndësishme edhe pa qenë lumi i fundit i egër në Europë, po aq e fuqishme, madje po aq tërheqëse, edhe pa postimet e yjeve hollivudiane.

Prej dy vjetësh, Vjosa ka pushuar së qëni një çështje publike. Ajo është shndërruar në një dosje pune në duart e burokratëve. Por, kur të vijë një ditë që këta burokratë të largohen, po aq papritur sa u shfaqën, e ardhmja e Vjosës do të varet sërish nga banorët e saj: jo ata që e braktisin, por ata të cilët nuk largohen prej saj. Sepse vetëm ata kanë motive të thella dhe të qëndrueshme për një aksion të çiltër dhe të sinqertë. Ndoshta ka ardhur momenti për të ndërtuar këtë narrativë të re; aspak përjashtuese dhe akoma më përfshirëse.

Përvoja na ka mësuar se duhet të kuptojmë përpara se të veprojmë. Le të kuptojmë së pari se cilët janë mbrojtësit e vërtetë të Vjosës.

/Citizens

About Redaksia

Check Also

Po me shëndetin e demokracisë si i bëhet, zonja Ambasadë?

Nga Ilir LEVONJA Ambasada e Amerikës e nis deklaratën me një gjoja dhebshuri për një …