Buxheti i shtetit po pasuron bandat, pse SPAK nuk sekuestrn asetet e krimit?

Gazetari Klodian Tomorri u shpreh skeptik me rezultatet SPAK-ut ndaj goditjes së krimit të organizuar. Ai deklaroi se nuk mjafton arrestimi i atyre ndaj të cilëve ngre akuza, por duhet të sekuestrojë edhe paratë e tij, sepse aty i dhemb më shumë krimit të organizuar.

“Pjesa që shoh si më shqetësuese në dosjen e SPAK, ka të bëjë me mpleksjen e krimit me biznesin, infektimin e biznesit nga krimi. Kemi folur shpesh, ekonomistët flasin, bujqësia jep kaq për qind GDP, etj. Tani jemi në situatë ku krimi është nga sektorët më me peshë në ekonominë kombëtare. Elbasani është rasti klasik. Në Elbasan, kompanitë më të mëdha që marrin tendera në bashkitë e qarkut, por edhe nga qeveria, janë biznese të përfolura për lidhje të forta me krimin.

“Viola Green” merrte tenderat e pastrimin të të gjithë bashkive nga Kuçova në Elbasan, Peqin, Cërrik. Kemi kompaninë “Bajrami” që merr tendera pafund, edhe në nivel qendror, që është denoncuar edhe nga kolegët e “Ina Media” sipas një hetimi të policisë për lidhje me krimin dhe kanë kërcënuar edhe administratorin e Universitetit të Elbasanit për të marrë tendera.

Jemi në një situatë ku buxheti i shtetit është shndërruar në një ushqyer të krimit, pasuron bandat, i fuqizon ato dhe qeveria shndërrohet në një pastrues parash, pra legalizon asetet e krimit.

Nëse ka një gjë shqetësuese që na tregon ajo dosje është pikërisht kjo që krimi është pleksur kaq keq me biznesin dhe është aktor dominant i tenderave publikë.

SPAK duhet të kishte proceduar përderisa ka ngritur akuzë për zotin Shega si trurin financiar që pastronte paratë e organizatës, duhet t’i kërkonte gjykatës sekuestrimin e kompanisë. Ka ndjekur të njëjtën metodë si me inceneratorin e Tiranës. Kjo pjesa e goditjes së krimit te paratë është metoda më efikase në luftën ndaj krimit. Këta mund të nxjerrin statistika sa të duan që kemi kapur kaq persona, në fund fare krimit i dhemb më shumë te paratë dhe aty duhet të jetë fokusi kryesor i drejtësisë”, tha Tomorri.

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …