Greta BARDELI
Rritja e faturës të ujit për çdo familje në Shkodër me 84% është një tjetër goditje e rëndë, duke i shtuar një barrë të pakëndshme dhe të papërballueshme. Në një kohë kur shumë familje po luftojnë për të mbijetuar, ky vendim vetëm sa do të thellojë varfërinë dhe do të bëjë jetesën më të vështirë.
Rritjet e çmimeve të shportës, ilaçeve dhe pagesave të tjera janë një ngarkesë e rëndë, ndërkohë që pensionet që qeveria e konsideron si një “rritje”, janë të papërfillshme dhe nuk mjaftojnë për të mbuluar asnjë nga këto shtesa financiare që po rëndojnë mbi qytetarët.
Kjo politikë e kësaj qeverie e zhytur në afera korruptive reflekton mungesën e një plani të qëndrueshëm zhvillimor për zonat më të prekura, si Shkodra, ku mungojnë investimet dhe mundësitë për punësim. Ndërsa autoritetet qendrore krenohet me statistika të dyshimta të “rritjes ekonomike”, qytetarët përjetojnë realitetin e një ekonomie të shkatërruar, ku fatura e ujit është vetëm një nga pasojat që përkeqësojnë gjithnjë e më shumë situatën.
Ky vendim është një dëshmi tjetër e një qasjeje të gabuar dhe të pafuqishme të qeverisë për të menaxhuar situatën e vështirë ekonomike të qytetarëve, duke i shtuar vetëm barrë dhe duke i lënë ata pa mundësi për të përballuar jetesën. E gjithë kjo është një pamje e një politike që nuk përqendrohet tek nevojat e qytetarëve, por vetëm në mbushjen e arkës të shtetit, pa marrë parasysh pasojat që ka për jetën e përditshme të qytetarëve.