Kryetari i PD, Sali Berisha, u shpreh se lëvizja e studentëve në 1990 ishte një lëvizje ku bijtë dhe bijat firmosën kundër pushtetit të etërve të tyre.
Duke kujtuar orët e para dhe ato që pasuan zhvillimet e atyre ditëve që filluan më datë 8 dhjetor, Berisha u ndal te udhëheqësi i studentëve, tribunin e vërtetë, Azem Hajdari, i cili u betua mes tyre se nuk do t’i tradhtonte asnjëherë dhe një gjë e tillë mund të ndodhte vetëm kur ai të vriste fëmijët e tij, Kirin dhe Rudinën.
“Në ato orë, në ato ditë më të para, spikati një student, një lider, një tribun dhe ky ishte Azem Hajdari.
Një guximtar, patriot, atdhetar, i vetëdijshëm se cila është rëndësia jetike e pluralizmit për Shqipërinë dhe Kosovën, mbasi një Shqipëri në diktaturë ishte një hipotekë, një barrë për shqiptarët nën pushtimin serb, se ata kishin më shumë të drejta individuale se sa shqiptarët në Shqipëri.
Qe një lider i pashoq, një tribun i vërtetë.
Në një moment shumë kritik dhe unë e kam treguar shumë herë atë moment.
Pasi u takova me të, të nesërmen me datën 9, kur u nisëm në mëngjes për të ardhur në sheshin Skënderbej dhe i sulmuan në një mënyrë shumë të egër, isha me Kujtim Çashkun dhe Besnik Mustafën, pastaj i them Besnikut që ka dhe të plagosur mes tyre dhe ti ndihmojmë, shkuam dhe i gjetëm tek cepi i një ndërtese të konvikteve, të tronditur, me hematoma, të rraskapitur, por të pamposhtur: ‘Ose do na lirojnë vëllezërit tanë, ose ne sheshin do ta bëjmë copë e thërrime’.
Për të mos bërë histori, atë ultimatum, ngjarjet u zhvilluan që unë të ja përcjellja Ramiz Alisë. Ky është ultimatumi i tyre, ishte ultimatumi i parë që në Shqipëri i jepej diktatorit, dhe unë i them që duhet të lirohen patjetër studentët.
Dhe e dyta, në botë kush, dërgatën përveç teje nuk i rraf. Ti i ke pritë dhe ua nxore në pritë, Hekuran Isait me sampistët. Si përfundim i liroi, por dinak, siç ishte ndërkohë kishte mbushur Qytetin e Studentit pëllëmbë, policë, ushtarë, gardistë.
Dhe nga ana tjetër kishte mbushur autobusët me prindër nga Tropoja në Sarandë për ti sjellë, se fëmijëve u ka marrë koka erë dhe të zbraste konviktet. Përgatitej gjithnë dy variantet, që në momentin kur u nxori në pritë ministrin e Brendshëm.
Në rast se ata do të zbrisnin drejt qytetit, kur e kishin lënë, kishin fiksuar orën 7. Natyrisht, sipas mendimit të pushtetit, ai i kishte marrë të gjitha masat ti shpërbënte dhe ti niste nëpër rrethe. Ishin studentë konviktorë, të themi të vërtetën, nuk kishte qytetarë atë natë, ishin vetëm dhe në këtë kontekst, të jesh trim në vetmi je dy herë trim. Ata trim në vetmi ishin, nuk kishin mbështetje.
Por pas një debati, të zbresin apo jo, që vazhdoi nja dy orë, sepse kërkonin të zbrisnin patjetër në shesh, ndërkohë që ajo mund të ishte jashtëzakonisht e dëmshme për arritjen e qëllimit, dal me Azemin dhe ata që ishin rreth tij, se u liruan shokët tuaj, ata në qiell, por tani, duhet heq dorë nga zbritja.
Ata menjëherë; tradhtar, tradhtar. E Azemi merr fjalën e u thotë, më dëgjoni pak; kur unë të ju tradhtoj ju, Kirit dhe Rudinës i fus thikën në bark para se të bëj një gjë të tillë. Këta u hipnotizuan, masa që ishte aty nga ky betim që shkonte në lashtësi, shtangu. Absolutisht ky betim, pavarësisht nga vrazhdësia e tij ekstreme, por ishte akti i një lideri që arriti një grup, i cili në këtë kauzë, kishte gjithsej 24 orë i bashkuar, arriti ta bindë menjëherë dhe filluan, rroftë heroi.
Pra, ishte një lëvizje me një tribun të vërtetë të vërtetë në udhëheqje, me një tribun të vërtetë, me një udhëheqës i cili në çdo hap, çdo moment, mendonte se si të përfaqësonte më me dinjitet bashkëstudentët e tij.
Dhe një gjë, prap duhet ta dini. Këta nuk ishin të persekutuar, studentë ishte privilegj, pedagog ishte privilegj. Baballarët e tyre ishin kryetarë kooperative, oficer, instruktor, por ama nuk ishin, se të deklasuarit në universitet nuk i sillnin. Në raste shumë të rralla.
Dhe atë natë, ata kanë bërë një debat gjer në 2 të natës, mos po dalim kundër baballarëve tanë. Në fakt po dilnin, ishin bijtë dhe bijat që po firmosnin kundër pushtetit të etërve.
Kanë bërë një debat 2-3 orë në një mencë, për këtë çështje, kur po rreshtonin kërkesat dhe të nesërmen zbritën madhështorë, epikë, të mbledhur në shesh plot, lexuan telegramin, e quajtën telegram drejtuar presidentit të Republikës, ku kërkonin pluralizmin si formën më të kulluar të demokracisë”, u shpreh Berisha.