Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se cilat do të jenë hapat e tij të parë pas rikthimit të Trump në Shtepinë e Bardhë me 20 janar.
“Siç kam theksuar, i gjithë problemi im, dhe vendimi im për moslobim lidhej me ata që kryen grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare. Me përpjekjen antidemokratike për të kontrolluar opozitën, kontrolluar kryetarin e saj, për ta shndërruar opozitën në një vegël të Edi Ramës.
Tani që ata dorëzojnë pushtetin, unë pres dorëzimin e pushtetit nga ana e tyre, që unë të filloj përpjekjet e mia për të paraqitur këtë akt që do të ngelet, në historinë e demokracisë, si një njollë e zezë për ata që e vendosën.
Pra nuk ka asnjë sekret që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, por natyrisht duhet që administrata e presidentit Donald Trump të inaugurohet dhe të nisë punën në të gjitha institucionet”, tha Berisha.