I pyetur nga gazetarët për qeverinë teknike, kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, kjo është një domosdoshmëri për të organizuar zgjedhje të lira dhe të drejta.
Berisha u shpreh se, është i gatshëm që qeverinë kujdestare të zgjedhjeve ta sanksionojë në kushetutë, siç ka bërë Greqia dhe Maqedonia.
“Sigurisht qeveria teknike është kërkesë themelore, por përveç saj, lirimi i të burgosurve politikë është një kërkesë tjetër. Kërkesat tashmë janë botërore, janë në rezolutat e mbarë botës, ndaj dhe ne do të luftojmë për zbatimin e këtyre kërkesave. Sigurisht çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë, se Edi Rama qeveri teknike nuk krijon, nëse nuk i imponohet.
Sikundër deklarova mbrëmë dhe deklaroj dhe sot para jush, se kërkesa për qeveri teknike, e cila mendoj unë, si akt mund të sanksionohet në kushtetutë në mënyrë që 4 apo 3 muaj para zgjedhjeve, sot e tutje të ketë një qeveri kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve për ti dhënë fund këtij debati.
Këtë e ka Greqia që kur ka përmbysur juntën e kolonelëve dhe ka parë veç të mirë prej saj. Këtë e vendosi Maqedonia në këtë nivel dhe ka parë vetëm të mirë prej kësaj. Ne nuk po e kërkojmë vetëm për veten tonë dhe vetëm për këtë radhë, ndonëse ne e kemi faktuar se bëjmë zgjedhje të lira, kemi faktuar rotacionin, por kjo le të bëhet një normë kushtetuese për Shqipërinë”, tha Berisha.