Deklarata e anëtarit të Këshillit bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano:
Të nderuar qytetarë të Tiranës,
Në prag të miratimit të buxhetit për vitin 2025, jemi dëshmitarë të një situate skandaloze që kërkon vëmendjen dhe reagimin e çdo qytetari të përgjegjshëm. Bashkia Tiranë ka planifikuar të rrisë barrën financiare të qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve në thuajse 90,000 euro në ditë, një shifër tejet e lartë dhe krejtësisht e pajustifikueshme. Denoncojmë me forcë faktin se këto pagesa vazhdojnë të bëhen edhe pse inceneratori i Tiranës nuk ekziston.
Ky buxhet është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj taksapaguesve dhe një dëshmi e keqmenaxhimit total të burimeve publike. Në vend që të përdoren për shërbime thelbësore dhe projekte që përmirësojnë cilësinë e jetës, fondet publike vazhdojnë të shpërdorohen për incernerator që nuk ekzistojnë, kontrata të errëta, pa transparencë dhe pa asnjë rezultat konkret për qytetarët. Rrugët e Tiranës mbeten të mbushura me mbeturina, ndotja vazhdon të përkeqësohet dhe qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për një shërbim që nuk ekziston.
Viti që po lemë pas është një dëshmi e qartë e dështimit të Bashkisë. Sipas raportit 10-mujor, një institucion me një buxhet prej mbi 500 milionë euro, ka shpenzuar vetëm 190 mijë euro për strehimin, ndërkohë që situata është dramatike.
Në të njëjtën kohë, janë realizuar gjoba në masën 282%, duke u shndërruar në një mekanizëm represiv ndaj qytetarëve, jo një instrument përmirësimi.
Dënojmë me forcë çdo akt abuzimi, çdo shpërdorim të fondeve publike dhe çdo praktikë klienteliste që rëndon mbi qytetarët e Tiranës. Ky model qeverisjeje, që favorizon interesat e një grushti njerëzish mbi interesin publik, është i papranueshëm dhe duhet të marrë fund.
Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike angazhohen të denoncojnë çdo abuzim dhe të kërkojnë llogari për çdo qindarkë të shpërdoruar nga fondet publike. Qytetarët e Tiranës meritojnë një administratë që i shërben me ndershmëri, transparencë dhe përgjegjësi, duke vënë interesin e qytetarëve të parin. Qytetarët meritojnë nje administratë që incerneron mbetjet, dhe jo lekët e tyre!
Koha për ndryshim është tani. Nuk do të ndalemi derisa të rikthejmë dinjitetin dhe mirëqenien në qytetin tonë. Tirana meriton më shumë. Qytetarët meritojnë një të ardhme më të mirë.