Zhduket kujtesa historike/ Zona e ish-Bllokut mbushet me kulla, dyshime mbi burimin e parave

Ish-Blloku, dikur zona më popullore për lokalet dhe jetën e natës, po transformohet në një hapësirë të dominuar nga kullat. Një prej tyre është “The One”, një 10-katësh i projektuar “jo për të gjithë” me çmimin që kapërcen €4,500 për metër katror. Ky transformim urban po ridimensionon të ardhmen e zonës, duke ngjallur diskutim jo vetëm mbi burimin e parave, por edhe zhdukjen e kujtesës historike dhe ndikimet sociale.

“The One” po ndërtohet në kryqëzimin e rrugëve “Vaso Pasha” dhe “Brigada VIII”, zona më e lakmuar e ish-Bllokut. Me leje të siguruar nga qeveria në mars 2022, ndërtesa po zhvillohet nga kompanitë “Texas Development” dhe “Daton” të zotëruar nga vëllezërit Alban, Andi dhe Olsi Efthimi (Eftimi), si dhe Arjan (Orion) Cenalla.

Vëllezërit Eftimi zotërojnë gjithashtu studion “Atelier 4”, e cila ka projektuar “The One” dhe të paktën tre kulla të tjera në ish-Bllok: 9-katëshi te “Rruga Moskat” dhe dy 11-katëshit te “Rruga Nikolla Tupe” dhe “Sami Frashëri”.

E konceptuar për “banim dhe shërbime”, ndërtesa përmban elemente arkitektonike moderne që ndjekin një filozofi të “dualitetit gjeometrik”, duke reflektuar stilin e aplikuar më parë në ndërtesën seli qendrore të Bankës Credins në kryqëzimin tjetër, ndërtesë e projektuar gjithashtu – si studio lokale – nga “Atelier 4” (2007-2016).

Në dekadën e fundit, të paktën dhjetë kulla kanë ndryshuar rrënjësisht karakteristikat e zonës së ish-Bllokut, duke zëvendësuar vilat, që me ndryshimin e regjimit u kthyen në lokale të njohura. Projekti “The One” po zë vendin e një ndërtese trekatëshe ku më parë gjendeshin lokalet “Raum” dhe “Tribeca” vende mjaft të frekuentuara të jetës së natës në Tiranë.

Projekti po ndjek kështu modelin e rëndomtë të zhvillimit që favorizon ndërtimin ekskluziv dhe vertikal. Nga një zonë rezidenciale me funksion kryesor banimin apo rekreacionin, ish-Blloku po kthehet në qendër urbane luksoze me përqendrim të lartë zyrash dhe shërbimesh duke ngritur shqetësim për trafikun dhe mungesën e hapësirave publike.

Në këtë transformim, “The One” qëndron si shembull i përqendrimit të projekteve luksoze, ku shtrenjtësia dhe pamundësia për të aksesuar këto hapësira nga pjesa më e madhe e qytetarëve do të thellojë më tej ndarjet sociale.

Zanafilla nga një studio projektimi

“Atelier 4” është një nga studiot më të njohura në projektimin e ndërtesave publike dhe private në Shqipëri.

Studioja u hap zyrtarisht në vitin 2003 nga familja Eftimi, e njohur për kontributet akademike në hidro-gjeologji, urbanistikë dhe arkitekturë të çiftit Romeo dhe Tamara Gjoka-Eftimi, kjo e fundit ish-rektore e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT, 1997-2003).

Që në nisje, partner i tyre ishte Altin Premti, një ish-student i UPT-së, mik me djemtë e familjes. Më i madhi, Albani, i specializuar në Francë dhe Itali, iu bashkua grupit pas një përvoje në krye të departamentit të Urbanistikës gjatë mandatit të parë të Edi Ramës në drejtimin e Bashkisë Tiranë (2000-2011).

Kontakti me atë që më pas u bë politikani më i pushtetshëm në 25 vitet e fundit dhe ekspertiza e fortë që garantonin akademikët Romeo dhe Tamara Eftimi i dha rrugë suksesit të studios “Atelier 4” që falë edhe bashkëpunimeve me studio të huaja, ofroi studime dhe projektime të shumta.

Pas 20 vitesh në treg emri “Atelier 4” lidhet me dhjetëra projekte publike dhe private si rezidenca, vila, resorte, por edhe kopshte, shkolla, spitale, apo projekte madhore si aeroporte dhe stadiume.

Në portofolin e saj radhiten projektet restauruese si: TID VloraHotel DajtiMuzeu Etnografik i Krujës dhe Mozaiku i Muzeut Kombëtar.

“Atelier 4” rezulton projektuese e spitaleve të PediatrisëUrgjencës dhe Kardiologjisë në QSUT, gjithashtu spitalit të LaçitFierit dhe Krujës. Ngjashëm si studio lokale e projekteve të stadiumit Loro Boriçi, apo Elbasan Arena apo dhe Aeroportit të Kukësit.

Por ndër projektet më të përfolura janë Pazari i RiArTurbinaTeatri i Operas dhe Baletit dhe Selia Qendrore e Bankës Credins.

Paralelisht “Atelier 4” ka gëzuar bashkëpunime me studio ndërkombëtare si Bolles+Wilson te kulla pas 15-katëshit në qendër, 51N4E te Hotel Plaza gjithashtu në qendër, Coop Himmelb(I)au në dy kullat 21-22 katëshe që pritet të ndërtohen në Vlorë dhe së fundmi me NOA Architects në konceptin e një kulle paraqitur si “fshati vertikal” parashikuar për t’u ngritur në Komunën e Parisit.

Nga projektues në investitorë ndërtimi

Vëllezërit Eftimi po kthehen në “lojtarë të fortë” të sektorit të ndërtimit duke e kthyer në cikël të mbyllur sipërmarrjen e tyre të arkitekturës pasi prej vitit 2019 ata janë edhe investitorë ndërtimi. Kryesori në sipërmarrje duket të jetë Albani.

Në janar 2019 Alban Eftimi themeloi “Texas Development” dhe një vit më vonë e ndau sipërmarrjen me vëllezërit Olsi dhe Andi. Paralelisht riorganizoi portofolin e biznesit duke kaluar kuotat e tij në “Atelier 4” (60%) dhe “Texas Development” (80%) nën ombrellën e “Zurich Investment Group” themeluar në vitin 2021.

Bashkë me Altin Premtin – ortak në “Atelier 4”, – grupi rezulton në marrëdhënie biznesi me Armand Metanin dhe Orion Cenallën në “Futuris Gen”, “Oreo & Tony” dhe “Daton”.

Përveç studios “Atelier 4” të gjitha kompanitë e vëllezërve Eftimi rezultojnë me humbje. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar të vijojnë biznesin si ndërtues, pasi sektori operon kryesisht me parablerje – e ashtuquajtura shitje në ajër, – nën-kontraktim dhe kliring punimesh.

Në të vetmin bilanc të deklaruar (viti 2022), “Texas Development” deklaron rreth €170 mijë humbje dhe rreth €8.3 milionë kapital nga huamarrje apo parapagime porosish.

Projekti “The One” në ish-Bllok është projekti i gjashtë që “Texas Development” dhe partnerët e tij po zhvillojnë aktualisht, ndërsa mbeten në pritje të lejeve për të zhvilluar edhe tre projekte të tjera.

Projektet në zhvillim nga “Texas Development” dhe partnerët:

  • Rosé Residence – pallat 9-katësh “Rruga Emin Duraku”
  • South Residence – pallat 9-katësh “Rruga Gjik Kuqali”
  • Galeria Roma – pallat 9-katësh “Rruga Kavajës”
  • Lake Diamond Villas & Residences – bllok rezidencial vilash, “Rruga Mustafa Xhabrahimi” (Liqeni i Thatë)
  • The One – pallat 10-katësh “Rruga Vaso Pasha”
  • Unico Residence – pallat 11-katësh “Rruga Nikolla Tupe”

Projektet në pritje nga “Texas Development”:

  • Puzzle Tower – kullë 19-katëshe “Rruga Medar Shtylla”
  • Lake Diamond Tower – kullë 28 katëshe “Rruga Kristo Luarasi”
  • Aquazzura Tower – ende pa detaje, reklamuar si “kulla e parë në jug të Shqipërisë” (Vlorë).

Citizens

About Redaksia

Check Also

“New Eastern Europe” : Rama një autokrat që ka zhdukur demokracinë, pasoja të rënda nëse BE e mbështet

Alejandro Esteso Pérez Në pushtet të pandërprerë që nga viti 2013, kryeministri shqiptar Edi Rama …