Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur te lufta mes familjes Rama dhe familjes Veliaj, e cila është shpërfaqur kohët e fundit me hetimet dhe procedimet penale ndaj Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
‘Dy familjet kryesore të pushtetit Rama e Veliaj janë vërsulur kundër njëra-tjetrës dhe gjuajnë me dosje të rënda’, tha Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD.
“Ndërkohë, zhvillimet në Shqipëri janë ato që rezolutat sanksionojnë, një sipërmarrje e shtetit me krimin. Kjo është e vërteta.
Në këtë sipërmarrje të shtetit me krimin, tashmë ka një luftë të egër.
Dy familjet kryesore të pushtetit janë vërsulur kundër njëra-tjetrës për ti nxjerrë sytë dhe gjuajnë me dosje të rënda njëra tjetrën.
Rama dhe Veliaj, Veliaj dhe Rama.
Pse po i përshkruaj unë këto. Po i përshkruaj se çfarë ndryshimi i madh si nata me ditën ekziston mes nesh dhe atyre. Rilindësve nuk them socialistëve, sepse socialistët janë shumë herë afër nesh se sa me rilindjen, ata që janë të ndershëm dhe të vërtetë.
Pra, ka një betejë aty e cila merr çdo ditë aspektet më të egra.
Erion Veliaj bën gjithçka që të arrestohet kunati i Linda Ramës, baxhanaku i Edi Ramës.
Rama çdo gjë që të arrestohet Veliaj me të shoqen, se të dy e meritojnë. Të gjithë e meritojnë këta. U thashë, këta e gjuajnë njëri-tjetrin me dosje.
Nuk do të ndalem në këtë luftë, e cila është më e egër se lufta e bandave ndaj njëra-tjetrës, se kjo luftë zhvillohet nga zyrat e pushtetit mafioz”, tha Berisha.