Kryetari i PD, Sali Berisha ka denoncuar gjatë takimit me gazetarët edhe përpjekjet që po bëhen për të fshehur të vërtetën e parave që u gjetën në zyrën e bashkëshortes së Veliajt.
Berisha tha se, mjeku Prifti u arrestua në flagrancë për shumën që iu gjet në zyrë, kurse për Velicën po bëhen përpjekje për të falsifikuar dokumentin.
“Pse bëhet aktuale kjo?
Duhet ta dini se dosjen e inceneratorit të Tiranës, Dumani e ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës.
Ndonëse kallëzues është PD, në mënyrë antiligjore, antikushtetuese, Dumani refuzon t’i dorëzojë kallëzuesit të çështjes.
Pse e bën këtë? E bën këtë sepse ai mesa duket ka fshehur dhe ka manipuluar dhjetëra dhe qindra dokumente.
Sigurisht që ne do e sigurojmë dosjen se BKH ka njerëz dixhitalë. Ka edhe në gjykatë punonjës dixhitale të ndershëm, por ne dosja na takonte zyrtarisht se jemi kallëzuar, PD është kallëzuese e Erion Veliajt për djegësin e Tiranës.
Siç e shihni kjo është një veprimtari kriminale në të cilën bëhen çdo gjë për të fshehur gjurmët e krimit të madh.
A mund të imagjinoni ju, kontrollohet Velica, nuk kontrollohet banesa, thonë, i kontrollohet vetëm telefoni.
Shkojnë në galeri, i gjejnë çerek milioni euro kesh, të ndaluara, të dënueshme me ligj.
Profesor Edvin Priftit, për paratë e tij, të aktivitetit privat, që i kishte vendosur në vendin e gabuar, në zyrë, e morën zvarrë, e arrestuan në flagrancë e quajtën.
Kurse për Velicën, që nuk mund t’i kishte kurrë… pa le pastaj që u përpoq të akuzonte të tjerët se janë të filanit, të fishekut, mashtrime të turpshme, nuk i hyri ferra në këmbë, përkundrazi bënë përpjekjet më të mëdha të falsifikonin dokumentin.
Bënë një dokument të ri për 80 mijë dhe duan ta bëjnë për 20 mijë.
Por ai që ka firmosur, ka qëndruar. U zhduk përkohësisht, por ai qëndron se jo çdo njeri shitet dhe blihet siç bëjnë këta. Kjo është situata”, tha Berisha.