Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës në përurimin e librit “Narkodiktatura shqiptare në oborrin e Europës” të publicistit Ndriçim Kulla, tha se, Sekretari amerikan i Shtetit dhe administrata u angazhuan në një grusht shteti.
Berisha tha se, në Shqipëri, Sekretari i Shtetit amerikan dhe administrata u angazhuan në një grusht shteti. Ai tha se, ka diskutime normale për Edi Ramën, por Ndriçim Kulla mendoj se ka bërë analizën më të vërtetë se kushdo tjetër ndonjëherë.
“I referohet Biblës, njeriu pa cilësi. Nuk ka asgjë më të vërtetë se sa kjo.
Bibla, sipas Mateut, flet për të urtit që do trashëgojnë.
Por edhe ata pa cilësi.
Dhe në qoftë se ka një krahasim dhe analogji, pas mijëra vitesh të shkruar ky libër, sot ata gjenden në Shqipëri.
Komunistët kishin të gjitha ato tipare, por ata kishin idealet e tyre të gabuara, por nuk ishin pa ideale.
Ato ishin ideale çnjerëzore, etj, por përsëri i kishin idealet.
Kurse Edi Rama dhe rilindësit e tij kanë vesin njerëzor, veset njerëzore si frymëzim, si ideal, si forcë shtytëse.
Lexojeni Ndriçim Kullën.
Nga Makbeth në Pragë, tek njeriu pa cilësi.
Nga tradhtar, tek kryetari i bandave.
Po pse ky libër, pse kjo kryevepër është po kaq e dobishme për kombin e madh të lirisë dhe për kombet e lira?
Sepse drama shqiptare, aq sa është shqiptare, aq është sorosiane, aq është edhe amerikane.
Kurrë nuk duhet të kemi frikë ne të themi të vërtetën,.
Asnjë komb tjetër në histori nuk ka derdhur gjak sa kombi amerikan për lirinë e kombeve të tjera.
Asnjë komb tjetër nuk ka kontribuar në lirinë e shqiptarëve sa kombi amerikan.
Por ky komb ka pasur edhe në të shkuarën e tij njollat e zeza të grushteve të shtetit. Historia tregon se rrëzimi i Mosadekut në Iran ishte një nga gabimet më të mëdha historike që u bë, dhe u rrëzua nga shërbimet e fshehta anglo-amerikane.
Ky nuk është i vetmi grusht shteti.
Në Shqipëri, Sekretari i Shtetit, administrata u angazhua në një grusht shteti.
Shpesh i shoh njerëzit që kur e dëgjojnë këtë fjalë, habiten. Jo, është e vërtetë kjo.
Dhe prapë, një mijë herë do e shpjegoj.
Sovraniteti i një vendi është i jashtëm, ka integritetin territorial, pavarësinë.
Por është edhe i brendshëm. Sovraniteti i jashtëm është shkretëtirë nëse kombet nuk kanë edhe sovranitetin e brendshëm.
Në diktaturë nuk ka sovranitet të brendshëm. Ka sovran që ka të gjithë pushtetin në duart e tij”, tha Berisha.