Alimehmeti: Analiza dhe propozimet e Partisë Demokratike për ‘Buxhetin 2025’ dhe përmirësimin e qeverisjes

FJALA E DREJTUESIT TË KËSHILLIT BASHKIAK TË TIRANËS TË PD, ILIR ALIMEHMETI NË DISKUTIMIN E HAPUR MBI BUXHETIN 2025

Të nderuar miq,
Në emër të grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, ju falenderoj përzemërsisht që u bashkuat sot me ne në këtë dëgjesë mbi buxhetin e Bashkisë sonë, të Kryeqytetit tonë, të Tiranës sonë!
Jam i nderuar të shoh mes jush të rinj e të reja, aktivistë e aktiviste të paepur, por edhe profesionistë e profesioniste të nderuar.
Sot është zëri juaj që duhet dëgjuar e përçuar, prandaj më lejoni t’ju them shkurt pse jemi këtu.
Jemi këtu patjetër për të hulumtuar në detaj buxhetin për vitin 2025, por kryesisht për të marrë mendimet tuaj, për të shkruar amendamentet për ju dhe për të këshilluar përfshirjen e tyre në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Unë kam besuar dhe vazhdoj besoj fort te puna në grup, te aftësitë diplomatike dhe politike të znj. Zhulali, te aftësitë financiare dhe ekonomike të z. Teliti dhe të z. Pano, te aftësitë komunikuese dhe qytetare të znj. Kepi, te znj. Njuma, te znj. Kaceli dhe te z. Dushku, në simbiozë me të cilët do të çojmë përpara jo vetëm këtë panel sot por edhe punën në Këshillin Bashkiak sot e mot.
Sepse Partia Demokratike ka vlera, Partia Demokratike ka profesionistë, Partia Demokratike ka personalitete! Por, mbi të gjitha, sepse Partia Demokratike ka vullnetin për të vepruar!
Dikush prej jush mund të thotë se amendamentet që do të këshillohen nga Partia Demokratike nuk do të pranohen të integrohen në Buxhetin e 2025-s. Keni të drejtë! Sepse Erion Veliaj dhe drejtorët e tij, të vendosur nga Partia Socialiste, e të mbështetur nga parti aleate të tyre si PSD-ja dhe PDIU-ja, nuk kanë në vizionin dhe fokusin e tyre nevojat e qytetarëve dhe të qytetit, por vetëm nevojat e xhepave të tyre dhe të mandatarëve të tyre.
Po të ndalemi pak dhe të mendojmë “ku është sot Erion Veliaj dhe ku janë drejtorët e tij”?
Ai vetë është në qendër të vëmendjes negative politike, mediatike dhe gjyqësore, si rrjedhojë fillimisht e grykësisë dhe arrogancës së tij, por patjetër edhe si rrjedhojë e aksionit opozitar të parreshtur kundër vjedhjes së qytetit tonë, kryeqytetit të Shqipërisë.
Meritë e veçantë shkon për çdonjërin prej jush, për çdo të ri, për çdo aktivist, për çdo qytetar, primus inter pares Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Por këtë Erion Veliaj ia ka bërë vetes!
Ia ka bërë vetes kur firmosi për inceneratorët që nuk ekzistojnë e për të cilët edhe për vitin 2025 do të djegim të paktën 12 milionë euro të marra nga xhepat tonë.
Ia ka bërë vetes kur krijoi skemat e 5D-ve, që tani po shkojnë në skema të 10D-ve apo 15D-ve, duke marrë paratë e Tiranës dhe duke i kthyer drejtorët e tij në investitorë strategjikë me nga dhjetëra milionë euro secili të marra nga xhepat tonë.
Ia ka bërë vetes kur paguante mediat dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë me paratë e marra nga xhepat tonë, por që tani po i kthejnë kurrizin të gjithë, sepse fati i tij tashmë është shkruar.
Këto ia ka bërë vetes ai, por më lejoni t’ju them çfarë ju ka bërë juve dhe çfarë s’ka bërë për ju!
Që prej vitit 2015 e sot ai ka administruar disa miliarda euro të marra nga xhepat tonë!
Çfarë vepre e madhe është zhvilluar në Tiranë me këto miliarda euro?
Inceneratori imagjinar?
Pylli orbital imagjinar me 1 apo 2 milionë pemë imagjinare?
Shkolla, kopshte dhe çerdhe imagjinare?
Impianti imagjinar i përpunimit të ujërave të zeza?


Buxheti i vitit 2025 është një buxhet me karakter të fortë elektoral.
Mjaftojnë tre zëra të shpejtë për ta kuptuar:

  1. Investimet kapitale do të kenë një rritje minimale prej 4.2% në vitin 2025, vit zgjedhor, ndërsa në vitin 2026 do të bien direkt me 36.7% dhe rënia do të jetë edhe më e madhe në vitin 2027, kur do të shkojë minus 43.7%.
  2. Shpenzimet operative do të rriten me 35.2% në vitin 2025, pastaj do të bien me minus 17.1% në vitin 2026 dhe me minus 18.3% në vitin 2027.
  3. Shpenzimet e personelit do të rriten me 13.3% në vitin 2025 dhe do të mbeten të palëvizuara në këto shifra abuzive edhe përgjatë viteve 2026 dhe 2027.
    Kujdes ama miqtë e mi! Kujtoni ju se ky i kryen me të vërtetë investimet që deklaron, pavarësisht abuzimeve brenda tyre? Jua them unë juve!
    Jo! Jo, nuk i bën investimet!
    A e dini ju sa përqind e investimeve kapitale janë realizuar gjatë 10 muajve të parë të vitit 2024?
    Vetëm 26%!
    Kujtoni ju se ka ndodhur vetëm këtë vit?
    A e dini ju sa përqind e investimeve kapitale janë realizuar gjatë vitit 2021?
    Vetëm 39%!
    A e dini ju sa përqind e investimeve kapitale janë realizuar gjatë vitit 2022?
    Vetëm 34%!
    A e dini ju sa përqind e investimeve kapitale janë realizuar gjatë vitit 2023 që ishte edhe vit elektoral?
    Vetëm 50%!
    Pra ky njeri, kjo bashki, kjo hajni investon vjedh çdo vit 50% deri në 66% të investimeve! Çdo vit! Vit për vit!
    Kujdes sërish miq! Vëreni pak cilat programe janë prekur më shumë nga mosrealizimi i investimeve të deklaruara për vitin 2024 (10 muajt e parë)! Nga parashikimi:
    • Programi i strehimit social:
    o është realizuar vetëm në masën 12%! Ku është 88% që mungon?
    • Programi i emergjencave civile:
    o është realizuar vetëm në masën 13%! Ku është 87% që mungon?
    • Programi i planifikimit urban vendor:
    o është realizuar vetëm në masën 16%! Ku është 84% që mungon?
    • Programi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit:
    o është realizuar vetëm në masën 18%! Ku është 82% që mungon?
    • Programet e zhvillimit:
    o janë realizuar vetëm në masën 31%! Ku është 69% që mungon?
    • Programi i rrjetit rrugor rural:
    o është realizuar vetëm në masën 34%! Ku është 66% që mungon?
    • Mbështetja për zhvillim ekonomik:
    o është realizuar vetëm në masën 40%! Ku është 60% që mungon?
    • Mbrojtja nga zjarri dhe mbrojtja civile:
    o janë realizuar vetëm në masën 41%! Ku është 59% që mungon?
    • Shërbimet publike vendore:
    o janë realizuar vetëm në masën 41%! Ku është 59% që mungon?
    • Programi i transportit publik:
    o është realizuar vetëm në masën 42%! Ku është 58% që mungon?
    • Shërbimet bujqësore, siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit:
    o janë realizuar vetëm 44%! Ku është 56% që mungon?
    • Arti dhe kultura:
    o janë realizuar vetëm 49%! Ku është 51% që mungon?
    • Trashëgimi kulturore:
    o është realizuar vetëm 51%! Ku është 49% që mungon?
    • Arsimi bazë duke përfshirë edhe parashkollorin:
    o është realizuar vetëm 52%! Ku është 48% që mungon?
    • Dhe në total janë realizuar vetëm 44% e fondeve të programeve të buxhetit! Ku janë 56% e parave tona? Për çfarë shpenzohen?
    Nga ana tjetër:
    • Gjobat e qarkullimit janë mbirealizuar 282% në krahasim me planin!
    • Taksa e ndikimit në infrastrukturë është mbirealizuar 224% në krahasim me planin!
    • Gjobat e tjera janë mbirealizuar 157% në krahasim me planin!
    • Taksa mbi truallin është mbirealizuar 139% në krahasim me planin!
    • Parkimi me kontratë është mbirealizuar 135% në krahasim me planin!
    • Tarifa për shqyrtimin e lejes për ndërtime është mbirealizuar 131% në krahasim me planin!
    • Taksa e mjeteve të përdorura është mbirealizuar 114% në krahasim me planin!
    Për të mos përmendur taksa që as nuk duhet të ekzistonin fare si taksa “e përkohshme” për infrastrukturën arsimore.
    Pra, kur vjen puna për të futur dorën në xhepin e qytetarëve e bëjnë pa ngurrim dhe marrin deri në dy apo trefish më shumë! Nga secili prej jush!
    Ndërsa, kur vjen puna për t’i kthyer në investime paratë e zhvatura nga xhepat e varfër, atëherë jo, i ndryshon qëndrimi bashkisë apo hajnisë së Tiranës, quajeni si të doni, investon çerekun, maksimumi gjysmën e parashikimit!
    Për detaje më të hollësishme ekonomike dhe financiare, patjetër Partia Demokratike ka eksponentë të spikatur, por zëri më i rëndësishëm sot gjithsesi do të mbetet zëri juaj që do të përkthehet në amendamente nga ana jonë!

Do të thoni ju: A do t’i votojnë të majtët! Jo, të jeni të bindur që si dele të bindura me kokën poshtë dhe kartonin lart ata nuk do t’i pranojnë dhe do ta kalojnë buxhetin elektoral të hajnisë pa asnjë ndryshim.
Por, po ju përgjigjem me fjalët kuptimplota të Prof. Dr. Berishës:
“Këto amendamente janë premtimi ynë për t’u realizuar që në Buxhetin e parë që do të hartojë Partia Demokratike me marrjen e drejtimit të Bashkisë së Tiranës!”.
Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …