Nga Ndriçim KULLA
Shkolla shqiptare sot po rënkon.
Rënkon thellë në shkretëtirë që e ka mbuluar tërë arsimimin dhe edukimin.
Nuk ka qenë kurrë në këtë gjendje siç është sot, as nën regjimin komunist.
Situata është shumë më e trishtueshme nga sa duket dhe fare pa shpresë.
Jo thjesht se lekët i marrin oligarkët, borxhet e Beketit, lobimet e ndërkombëtarëve dhe inceneratorët.
Jo vetëm se një e treta e shkollave shqipe po mbyllen nga mungesa e fëmijëve, të cilët po ikin bashkë bashkë me prindërit e tyre se i zboi regjimi, por më së shumti nga atmosfera e rëndë e dhunës ,përdorimi i drogës nëpër shkolla dhe nga një fryme e shthurur që shkon përtej fëmijës.
Dje isha i ftuar ne Universitetin Aleksandër Xhuvani të Durrësit, konkretisht në Fakultetin e Edukimit, për të bërë një bashkëbisedim me studentët mbi temën: Cilët jemi ne shqiptarët?, me cilësinë e autorit të librit” Kush jemi ne shqiptarit?”
Që nga pyetja e parë ndjeva një shqetësim të thellë për shkollën midis studenteve të masterit. Pyetja e parë ishte kjo: Çfarë do bënit ju profesor po të ishit vendimmarrës i arsimit në këto kushte, kur jeta e nxënësve është mbushur me dhunë, drogë me kacafytje dhe thika në klasa dhe në oborrin e shkollës? Studentët ishin shumë shumë të alarmuar për gjendjen e sigurisë, për agresivitetin e tyre, për edukatën e fëmijëve në rrugë në shkollë dhe familje.
Mbeti një bashkëbisedim, i cili si pa u kuptuar u mbizotërua tek shkolla e shthurur që narkoshteti e ka lënë në rënie të lirë dhe sidomos tek mungesa e edukimit ose edhe e edukimit të keq. Pikërisht mbi këtë teme u mundova ti përshtatesha bisedës që çasti e transformi , me ato mundësi që ka çdo njeri, kur objekti i bisedës të ndryshon nga rrethana të pa parashikuara.
Në fakt unë edhe në studimet dhe librat e mia të mëparshme transformimin rrënjësor të arsimit, e shikoj tek reforma thelbësore e shkollës në drejtim pedagogjisë dhe edukimit të saj.
Shkolla shqiptare kërkon shpirtin e saj për të cilin qan dhe po vuan.
Po a e ndjen ose e kupton Ogerta Manastirliu, çfarë do të thotë që shkolla sot kërkon shpirtin e saj për të cilin po rënkon dhe vuan?
T’ia përcjellësh këtë shqetësim asaj që e përfaqëson sot drejtimin e shkollës dhe edukimit, Ogertës është kohë e humbur; e njëllojtë sikur të lëshosh një britmë për ndihme në mes të shkretëtirës.
Çdo mendim reformues, çdo rrahje moderniste e zemrës, nuk është veçse një ide pedagogjike. Këtë na e mëson përvoja e viteve 30 të shek kaluar në Shqipëri në gjithë tërësinë e saj; e këtë thirrje-sfidë duhet ta kemi parasysh edhe në gjithë planin tonë reformues që na kërkon koha, për shkollën dhe sistemin arsimor shqiptar. Vetëm me anë të një aktiviteti pedagogjik të cilësisë më të lartë, vetëm me anë të një Shkolle që ka arritur ta kuptojë drejt dallimin e madh midis mësimit dhe edukimit, do të arrijmë ta udhëheqim aktivitetit tonë bashkëkohor, drejt përgatitjes së një brezi të ri të gatshëm për sfidat e së ardhmes, që e kishin aq për zemër mendimtarët reformues të atyre viteve. Por, nëse do të donim ta shprehnim këtë ide me anë të formulave të neoshqiptarizmës, që Branko Merxhani hodhi në shtypin e kohës plot 80 vite më parë, mund të thoshim se, çështja arsimore është çështja më me rëndësi e një vendi, ajo përbën gurin filozofik të gjithë dinamikës krijuese të brezit të saj të ri.
Prandaj, që të fitojmë një shesh sa më të lartë mendor të gjithë shoqërisë, Shqipëria duhet të kthehet në një “fabrikë pedagogjike” me një aktivitet produktiv të pareshtur, që të kombinojë bashkë edukimin dhe reformimin e sistemit të saj arsimor. Ishte një ide largpamëse për kohën, por ndoshta edhe utopike, pasi ende dhe sot pyetja mund të hapë shumë debate. Vallë, a e kemi Shqipërinë një “fabrikë të tillë pedagogjike”. Vallë, a e kemi sot një prodhimtari të tillë pedagogjike të denjë për përpjekjen edukative që kërkon koha. I gjithë qëllimi i edukatës, thotë Alfred Adler, njëri nga psikologët më të mëdhenj të shekullit XX, është të mbjellë në qenien shpirtërore të njerëzve kurajën dhe ndjenjën kolektive, pra pikërisht dy gjërat që ka më shumë nevojë struktura sociale e shoqërisë shqiptare.
Po vallë a i ka dhënë ende dhe sot shkolla shqiptare një qëllim të tillë edukimit të saj? Etapa e parë e organizimit të një jete mendore është zhvillimi i një lëvizjeje idesh mbi problemet shoqërore të një vendi, në majë të të cilave qëndron problemi arsimor ose, më mirë, krijimi i një Politike Arsimore. Por kur themi politikë arsimore, kemi parasysh një program teorie dhe veprimi të ngritur mbi një truall shkencor, që ka për bazë psikologjinë dhe sociologjinë e shoqërisë sonë dhe që përmban, nga njëra anë një sistem teorik të kuptueshëm dhe, nga ana tjetër, një sistem ndërtimi dhe zbatimi të gjithë aktivitetit arsimor të vendit. Kjo, për faktin e thjeshtë se nuk ka ndonjë “shkencë pedagogjike” që të ketë një formë të përbashkët praktike dhe mundësie arsimore që të arrijë të puthitet te gjithë popujt e të ndiqet prej tyre. Çdo popull, çdo shoqëri, ka edhe problemin e vet shkollor. Vlera kombëtare dhe shoqërore e këtij problemi është e lidhur ngushtë me interpretimin sociologjik dhe me psiko-sintezën e veçantë të çdo populli.
Në këtë perspektivë përpjekja pedagogjike përfaqëson një tendencë për transformimin, ndryshimin dhe zhvillimin e një reforme shoqërore, e cila, që të vihet në lëvizje dhe në zbatim, lyp më parë kuptimin dhe thëthitjen e thellë të të gjitha nevojave të shoqërisë, si dhe një përpunim mjaft të përparuar për kohën, si dhe thellësisht shkencor të idesë së organizimit kolektiv, gjëra këto që nuk mund të arrihen kurrë, pa një “ndërgjegje ideologjike. “Fëmijët duhet të edukohen jo në bazë të gjendjes së sotme të kombit, por në bazë të nevojave të ardhshme të përparimit shoqëror”, – thotë Kanti. Në këtë kuptim, “vetëm vlera shoqërore e njeriut arrin të japë vërtet një kulturë”, përcakton ai.
Atëherë, nëse përballet me parime të tilla, kuptohet qartë se krijimi i një Politike shkencore dhe bashkëkohore Arsimore është një problem tepër i vështirë e që kërkon një debat të gjerë ideor. Që të ngjitemi në sheshin e mendjes dhe të gjurmimit të modeleve dhe sistemeve më të volitshme që kërkon apriori një përpjekje serioze pedagogjike e këtij lloji, duhet të thëthijmë me tërë mushkëritë tona atmosferën e një jete mendore sa më të thellë, kombëtare dhe cilësisht shkencore. Janë përbërësit që i nevojiten sot aq shumë politikës sonë arsimore, pasi historia tregon se edhe kombe të mëdha e shumë më lart se ne në rrafshin intelektual u munduan për një shekull të tërë të derdhin ide e përpjekje të zgjedhura shkencore, për të arritur të shohin fillesën e një Politike të tyre kombëtare Arsimore.
E patën ndjenë këtë vështirësi e rrezik edhe Branko Merxhani me shokë, e u përpoqën t’i përgjigjeshin me hedhjen e ideve për krijimin e një shkolle të re shqiptare, ide këto që mund të rezultojnë mjaft të vlefshme për nivelin elitar dhe në rezonancë me mendimin më të përparuar të kohës që ato përmbajnë. Pasi kemi të bëjmë vërtet edhe sot me një pyetje të debatueshme nga pikëpamja shkencore: A kemi vallë një politikë arsimore tonën, domethënë një politikë arsimore që t’i përshtatet shpirtit, karakterit, historisë dhe natyrës së shqiptarit?
Ja cili ishte, në vija të përgjithshme, thelbi i përgjigjes që i dha asokohe këtij shqetësimi Ideja Pedagogjike e neoshqiptarizmës. “Gjendja e shpirtit të fëmijës është barometri i shëndetit dhe vitalitetit të një shoqërie”, – ishte kredoja më e rëndësishme pedagogjike e filozofit të madh të edukimit amerikan të asaj kohe, Xhon Djui, një model ky arsimor që i ka rezistuar kohës dhe përbën thelbin e shumë politikave të sotme arsimore në shumë vende të përparuara perëndimore.
Nisur nga kjo premisë, neoshqiptarizma theksonte se brenda qarkut të ideve tona fëmija duhet të zërë vendin e parë, dhe se çdo reformë shoqërore e suksesshme duhet ta nisë punën e saj që nga fëmija. Në këtë pikë, nuk mund të mos përmendim një ide të vyer të këtyre formulave të hedhur që në vitin 1929 në faqet e “Demokracisë”: “Nëse do të ndjekim pas zbulimet më të reja pedagogjike dhe do të përfitojmë, pa shumë kundërshtime, nga mësimet e mjafta të përvojës së popujve të tjerë, atëherë Organizimi i Arsimit Popullor shqiptar nuk duhet të fillojë me shkollën fillore, domethënë nga mosha gjashtëvjeçare e fëmijës, por që nga shkolla foshnjore”.
Përtej kësaj, vizioni për arsimin nuk mund ta anashkalojë një strukturim dhe një qeverisje pedagogjike të veçantë parashkollore. Madje, këtë hap ata e quanin pikënisjen e çdo Politike moderne Arsimore. Një largpamësi e shkëlqyer kjo, nëse kemi parasysh se, vetëm në këtë legjislaturë është vendosur si prioritet i Ministrisë së Arsimit bërja e detyrueshme e shkollës foshnjore për të gjithë fëmijët shqiptarë. Po njëlloj largpamëse është edhe ideja e tij që, nisur nga përvoja më e përparuar gjermane, kërkonte vendosjen e moshës së arsimit të detyrueshëm deri në 18 vjeç. Sot kjo gjë është bërë evidente, por në kushtet e një Shqipërie analfabete kjo ishte shenjë e një dije të thellë, e një vizioni të jashtëzakonshëm të pikëpamjes së neoshqiptarizmës për shkollën shqiptare.