Skema e Berishës për ti kthyer pensionistëve 500 euro në vit në xhepat e tyre pas 11 majit

Sali BERISHA

Jam para jush për të ftuar çdo qytetar shqiptar të shtrojë sot këtë pyetje vetes së tij: Si ka mundësi që një pensionist në Malin e Zi, i cili paguhej në vitin 2013, të paktën 20-30 përqind më pak se pensionisti në Shqipëri, merr sot 450 euro pension mesatar apo 280 përqind më shumë se një pensionist në Shqipëri.

Një pensionist në Serbi me të njëjtat kushte në vitin 2013, merr sot 440 euro pension mesatar, 270 përqind më shumë se pensionisti shqiptar.

Një pensionist në Maqedoninë e Veriut që merrte 20-30 përqind më pak se pensionisti shqiptar, merr sot 405 euro apo 250 përqind më shumë se pensionisti shqiptar si pension mesatar.

Shqipëria ka një pension mesatar 160 mijë lekë.

Bosnje-Hercegovina merr sot një pension mesatar pensionisti prej 340 euro apo 210 përqind më shumë se pensionisti në Shqipëri.

Kosova e kishte pensionin mesatar 190 euro dhe e rriti para një muaji me 20 përqind këtë pension.

Një mijë herë po të shtrosh këtë pyetje, po të kesh parasysh pasuritë e pakrahasueshme të Shqipërisë me këto vende, po të kesh parasysh faktin se në Shqipëri paguheshin në vitin 2013, 20 deri në 30 përqind më shumë se në këto vende pensionet, atëherë e kupton se kemi të bëjmë me një diskriminim të pafalshëm, çnjerëzor të kësaj shtrese, e cila ka shkrirë të gjitha energjitë e vet gjer në moshën e pensionist, ka krijuar të gjithë të mirat materiale të vendit gjer në atë moshë, pas kësaj trajtohet me pensionin që qeveria gjermane u akordoi qenve që mbahen në familjet gjermane, 130 euro. Dhe 90 ose 100 euro për macet, e vërtetë kjo.

Pra, sa më shumë të shtrojmë këtë pyetje, do arrijmë të kuptojmë abuzimin e çmendur të kësaj qeverie me të ardhurat kombëtare.

Të mendosh se në një buxhet 8.2 miliardë euro lë vetëm 16 milionë euro për këtë shtresë, pa t’u dridhur dora, ti nuk bën gjë tjetër veçse vendos me qëllim t’i lësh ata në mëshirë të fatit, pa ilaçe se nuk mund t’i blejnë, por edhe pa kafshatën e gojës.

Unë kam paraqitur këtu para jush paketën e emergjencës të minimumit jetik mbi 200 euro dhe llogaritjes së pensioneve mbi këtë minimum, pagën minimale 500 euro, por këto përsëri nuk mjaftojnë.

Pse nuk mjaftojnë? Sepse nga këto pensione, tre pensione u merren me TVSH-në, që ata paguajnë në çdo kafshatë ushqim.

A mund ta imagjinoni ju, paguan pensionisti 500 euro TVSH për ushqimet që përdor në muaj, paguan njëlloj sa presidenti i Republikës që merr mbi 5 mijë euro apo Edi Rama që i afrohet aty, për të mos thënë Dumani me 7 mijë euro.

A ka më çnjerëzore se kjo?

Po në kuadrin e programit tonë për të përmbysur shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, për të ngushtuar sadopak këtë hendek të frikshëm të krijuar në shoqërinë shqiptare, dal sot para jush për të informuar qytetarët se do vendoset me urgjencë karta e konsumatorit, me të cilën do rimbursohet 100 përqind TVSH-ja e produkteve bazë të shportës për çdo pensionist, për çdo familje në minimumin jetik, për çdo invalid, pa përjashtim.

Karta ka dy rrugë për të proceduar, ka një rrugë për të ulur TVSH-në ose për të hequr TVSH-në për ushqimet, por kjo përsëri barazon ata që nuk mund t’i barazosh.

Nuk mund të barazosh ti atë që merr 7 mijë euro për të fjetur mbi dosjet e krimit çdo natë, e plus sa merr nga krimi, me këtë që numëron kafshatat me 160 mijë euro.

Ndaj për të mos krijuar këtë barazi, jo, ekspertët sugjerojnë që të mbetet TVSH siç është dhe të gjithë këta, 780 mijë pensionistë, të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, etj, se edhe ata paguajnë TVSH, TVSH-ja e produkteve bazë t’u rimbursohet 100 përqind.

Ekspertët e ekonomisë dhe fushës dixhitale kanë një skemë të shkëlqyer për të shmangur çdo lloj evazioni, pasi çdo faturë e atyre që paraqesin këtë kartë, do depozitohet në një server dhe në krye të 6 muajve do bëhet bilanci, 20-30 ditë mbrapa dhe poseduesi i kartës do marrë të gjithë pagesat që ka bërë për TVSH-në.

Pra, nuk ka bonuse, nuk ka nevojë për bonuse dhe mëshirë pensionisti, pensionisti ka nevojë të bësh një hap drejt ngushtimit të hendekut të tmerrshëm që ke krijuar.

Ky është hapi tjetër i madh që ne ndërmarrim për të lehtësuar jetën e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm pensionistëve, por edhe familjeve në nevojë, të papunëve dhe me radhë.

About Krye Redaktor

Check Also

Shifra e frikshme/Paguan 140 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, paratë i vodhën

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për hetimet …