Berisha: Këto kulla janë përbindësha të korrupsionit dhe të drogës!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një takim me pedagogë e deputetë. Berisha ka akuzuar Edi Ramën se është më keq se Enver Hoxha, pasi u vetëshpall kryetar i shkencës.  Gjatë fjalës së tij në takimin me studentët dhe pedagogët në selinë blu, Berisha theksoi se kjo diktaturë ia kalon dhe komunizmit qoftë në lirinë akademike, qoftë në buxhetin për shkencën.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë takimit me studentët dhe pedagogët në selinë blu, u shpreh se ‘Pakti për universitetin’ është piramida më e madhe në historinë e arsimit. ‘Asnjë prej pikave të premtuara nuk është zbatuar’, theksoi kreu i PD, Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha, u premtoi studentëve dhe pedagogëve, se me ardhjen e PD në pushtet, arsimi do të konsiderohet si çështja më serioze e kombit. ‘Ne do ta konsiderojmë arsimin si çështjen më serioze të kombit. Do përqendrohemi më së pari tek mësuesi dhe pedagogu’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi para studentëve dhe pedagogëve se me ardhjen e demokratëve në pushtet, do të hiqet mesatarja për pranimin në universitete. ‘Do heqim mesataren për pranimin në universitete. Studentët do marrin 200 euro çdo muaj si minimum jetik’, theksoi Berisha gjatë takimit në selinë blu.

FJALA E PLOTE

Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj për praninë tuaj këtu, pedagogëve, studentëve, deputetëve, të rinjve.

Në një debat për atë që përfaqëson gjënë më serioze të një kombi, për arsimin dhe në rastin tonë konkret, për universitetet.

Gjatë këtyre viteve të rivendosjes të një diktature, por jo më me drapër dhe çekan, por me krim, drogë dhe vjedhje, të mobokracisë, të cilën studiuesi më i shquar i formave të diktaturave, e konsideron formën më të keqe. Më e keqe se diktatura naziste, komuniste, është diktatura e bandave sepse kjo e fundit nuk ndjek asnjë rregull.

Meqë jemi këtu, kjo diktaturë e sotme, në raport me arsimin e lartë, ngjason shumë me diktaturën e shkuar, por ia kalon asaj disa herë në aspektin më thelbësor.

Kjo diktaturë ia kalon diktaturës që ne përjetuam gjer në vitet ’90 qoftë në lirinë akademike, qoftë në buxhetin për shkencën.

Kjo që ndodh me këtë diktaturë sot, tejkalon çdo imagjinatë.

Kryeministri, padrinoja, vetëshpallet kryetari i shkencës.

Kjo ka një domethënie shumë të thellë. Ju garantoj se Kim JOng-un nuk është kryetar i shkencës, dhe Enver Hoxha nuk ishte kryetari i shkencës.

Solli ligjin për të shpallur veten e tij kryetar të shkencës.

Por kjo dëshmon se çfarë vullneti patologjik ka ky për të asgjësuar autonominë e universiteteve, lirinë akademike, pa të cilat universitetet përthahen nga viti në vit.

E dyta, unë nuk kam këtu shifrat e buxhetit kur kam qenë pedagog, por kam një gjë ama, asnjë projekt nuk më është refuzuar mu, as kolegëve të mi, për arsye financiare. Absolutisht asnjë!

Dhe u them këtu, kishte prej tyre që kushtonin.

Nuk shkonte asnjë në ministri, maksimumi gjer tek zëvendësrektori për çështjet shkencore. Shumicën i kishte kompetencë zëvendësdekani dhe këshilli shkencor.

Mirëpo të atakosh lirinë akademike dhe të japësh një buxhet për shkencën që është 1 e 57-ta e mesatares së vendeve të OSBE, jo të OECD, se nëse e llogarit me OECD do ishte 1 e 500-ta, kjo do të thotë të bësh gjithçka për t’i falur, për t’i degraduar universitetet dhe trupën akademike të tyre.

Pedagogun e bën akademik, e bën dijetar, puna shkencore.

Sigurisht leksioni ka peshën e vet, vlerën e vet. Por në fund të fundit, pa kërkimin shkencor, pa hulumtimin, ai pedagog shndërrohet në një automat dhe kjo po ndodh tek ne.

Edi Rama u ka dhënë një goditje universiteteve me bordet, të cilat universitetet nuk i kontrollojnë.

I kontrollon më famëzeza ministre që ka pasur gjithë historinë e vet shteti shqiptar, e cila pasi la shëndetësinë me një vdekshmëri 4 herë më të lartë nga Covid-i se 95 përqind e vendeve të botës, iu besua arsimi vetëm për një arsye, si bashkëvjedhjëse me Edi Ramën, nga zyrat e bashkisë dhe në të gjithë jetën e saj.

Shqipëria nuk ka pasur kurrë një kabinet si ky që është sot me një koeficient intelektual inekzistent.

Dhe këto kanë tani në këshillin shkencor të shtetit aq përfaqësues sa ç’kanë rektorët.

Vjen Lubia me 3 përfaqësues, rektori me 3 përfaqësues.

Universitetet shkonfigurohen, humbasin.

Në universitetin e Gjirokastrës, një pjesë e mirë e pedagogëve janë nga Janina në Athinë ose rrinë nuk paraqiten fare për të dhënë mësim.

Është përgjysmuar trupa akademike e pedagogëve dhe asistentëve. Arriti në 11.600, është rikthyer në 5 mijë e sa.

Janë shtuar punonjësit, se janë shndërruar në qendra punësimi të militantëve, janë shtuar punonjësit sikur të ishte dyfishuar numri i studentëve.

Universitetet po i shkatërron korrupsioni.

Pakti për universitetet, piramida më e madhe e ndërtuar në historinë e arsimit.

Mashtrimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë.

Asnjë prej pikave të premtuara nuk është zbatuar.

Ka një pikë, një zotim, se duke filluar nga ai vit, buxheti për arsimin do ishte 5 përqind. Buxheti i këtij viti është 2.42 përqind të prodhimit të brendshëm. Edhe ky 2.42 përqindësh shpërdorohet pasivisht nga zyrtarët që nuk përfaqësojnë studentët, por qeverinë.

Studentët, që të gjitha premtimet ndaj tyre, asnjë i realizuar.

Studentët sot, përveç Britanisë së Madhe dhe Holandës, paguajnë tarifat më të shtrenjta në Europë. Po, po, studentët shqiptarë. Të vendit më të varfër.

Sistemi meritë-preferencë është sistemi parti-preferencë. Është njëlloj si portali një mësues për Shqipërinë, mësues për partinë ekzakt.

Asnjë nga kërkesat legjitime, premtimet, nuk u mbajt. Mjediset për studentët, bibliotekat, karta e studentit, falsitete.

Kampusi, i gatshëm për t’u ndërtuar dhe buxheti ishte rreth 35 milionë euro, duhej të ishte përfunduar disa herë. Tani imagjinoni ju, vijnë këto me këto qira që narko-euro po i çon në stratosferë, se këtu 58 mijë apartamente mbeten pa shitur, ato i mbajnë trafikantët pa shitur…

Këto kullat janë përbindësha të korrupsionit dhe të drogës.

Bardhyli shtroi çështjen e dyfishimit të programeve, prapa qëndrojnë absolutisht interesa korruptive.

Rendi dhe rregulli, goditen pedagogë në aktin më të rëndë, goditen mësuesit në Cakran nga nxënësit e shkollës, vritet 14-vjeçari në shkollë, në klasa të para u fillojnë Prindi 1 dhe Prindi 2, arsimi shqiptar që nga themelimi gjer sot, nuk ka pasur një agresion të tillë.

E pati një periudhë në vitin 1967 kur Enver Hoxha u ngrit edhe kundër rilindësve shqiptare, por prapë ky agresion nuk kaloi në një botë pa kufi dhe gjini. E sollën këta tani, një temë marksiste. Të gjitha këto u pasqyruan në arsimin shqiptar sikur të ishim kopshti i Xhorxh Sorosit dhe jo një vend me traditat tona.

Të nderuar pedagogë dhe studentë, ne sot jemi në një diktaturë dhe më mirë se ju, askush nuk e ka të qartë se kur pushtetet përqendrohen të gjitha në një dorë, kur kjo dorë e zezë firmos çdo leje ndërtimi që nuk e bënte kurrë kryeministri i diktaturës dhe nuk e bën kurrë sot diktatori i Koresë së Veriut, kur kjo dorë shpallet kryetar i shkencës, kryetar i bordit të ujërave, ky është përqendrimi më total i pushtetit në një dorë.

Kur në një vend zgjedhjet janë farsë dhe vota ekzekutohet para se të hyjë në kuti, vullneti i zgjedhësve kontrollohet me të gjitha format, shteti shndërrohet në një makineri elektorale, kjo është diktaturë, nuk ka gjë të përbashkët me demokracinë.

Kur në një vend, shteti shndërrohet në sipërmarrje të përbashkët me krimin, siç është faktuar tashmë në mbi 35 dosje të regjistrimeve të telefonave të koduar, të cilat shkojnë direkt tek Edi Rama, nuk mund të jetë demokraci, por kjo është diktaturë.

Dhe kjo diktaturë shtron para nesh detyrimin për t’u përballur me të me mosbindje civile.

Kur në një vend, 250 kilometra nga Kroacia, ndërtimi i një kilometri rrugë kushton 10 herë më shumë në Shqipëri se në Kroaci, kjo është një vjedhje e paimagjinueshme, prandaj edhe buxheti zbret në 2.42 përqind.

Kur një shkollë, që në vendet e BE me standardin evropian, ndërtohet me 700 mijë euro dhe këtu ndërtohet me 8 milionë euro, këtu gjithçka dëshmon për një shkallë ekstreme kleptokracie.

Pra, të gjitha këto janë realitet shumë i trishtë.

Të shtojmë këtu faktin që këtë regjim, ose ky regjim u mbështet fuqishëm nga monstra e njerëzimit që është në shumë aspekt Marksi dhe përtej Marksit, ky pati një mbështetje shumë të madhe se Shqipërinë e bëri kopshtin, na ndjekin ne këto, Enver Hoxha thoshte kopshti i lulëzuar i socializmit, njerëzit ishin në vuajtjen më të madhe dhe ne jemi feneri, edhe ky regjim me këto qëndrime, me këto vendime…

Nuk ka diskutim për t’i dhënë përgjigje studentëve se do të konsiderojmë arsimin çështjen më serioze të kombit.

E ka përcaktuar Zhan Zhak Ruso me vërtetësinë më të madhe.

Në këtë kontekst ne do marrim masa për rikthimin në shina normale.

Atyre që kujtojnë atë kohë, ne nuk arritëm nivelet që donim, por ama arritëm rritje vertikale në testin e PISA-s.

Dhe pasi ikën ato vitet, 8 vitet e tyre shënuan rënien më të madhe në botë.

Përsëri e them këtu, ne do përqendrohemi më së pari tek mësuesi dhe pedagogu.

Investimi për arsimin do ketë parësor investimin tek mësuesi dhe pedagogu. Vendosjen e personalitetit të tyre në piedestalin që meritojnë.

Në vitin 2013, mësuesin e vendosëm mbi mesataren në piramidën e rrogën.

Nuk i shkonte mendja kujt se 12 vite rrogat do ngriheshin njëlloj si në socializëm. Në socializëm rrogat nuk lëviznin. Edhe ky me ato mendësitë e vjetra të të atit i ngriu rrogat në mënyrën më kriminale dhe ne u vithisëm nga në krye të pagave të rajonit, në fund, dhe hajde tani ngjite të përpjetën që do e marrim.

Dhe do e ngjisim, nuk ka rrugë tjetër.

E shfrytëzoj këtë rast të ftoj pedagogët e universiteteve, të mos harrojnë një moment, sëmundja më e keqe e intelektualit është konfirmizmi.

Albert Ajnshtajni thotë diku, konformizmi ka fuqi shkatërrimtare më të madhe se bomba nukleare. Në kuptimin figurativ.

Ndaj dhe ne, duhet që së bashku me studentët, të bëjmë gjithçka për t’i dalë kundër këtij regjimi.

Të bëjmë gjithçka që këto muaj që kanë mbetur, me mosbindje civile, t’i dridhim themelet e tij.

Fuqia e universiteteve dhe studentëve është e jashtëzakonshme.

Nuk ka institucione të tjera një komb që mund të transformojnë më shumë se sa studentët dhe universitetet.

Ndaj dhe këto kohë, le të jenë kohët e tronditjes më të madhe të këtij regjimi.

Është radha jonë, ne do ta fitojmë këtë betejë.

Kjo diktaturë nuk ka të ardhme.

Europa provoi për herë të parë në histori narkoshtetin dhe narkodiktaturën.

E përcolli me indiferencë, por tani ky është një realitet i hidhur që duhet të shpëtojmë ne dhe Europa prej saj.

Ndaj dhe, duke u garantuar ju se programin e arsimit të lartë, do e hartoni ju me ekspertizën më të mirë, dhe se qeveria e PD do bëjë gjithçka për zbatimin e saj, rikthimin e universiteteve në qendra të fuqishme kërkimore dhe shkencore, heqjen e diskriminimit, ndëshkimit në pranimet universitare me të ashtuquajturën mesatare.

U ndëshkuan të gjitha zonat e varfra të vendit, kjo merr fund.

Nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e në vazhdim, vendet e lira i kanë të hapura dyert e universiteteve për fëmijët e tyre.

Kjo është e vërteta.

Po këta kanë një mendësi, çfarë t’u thuash mendësisë së tyre…

Po të shkosh të marrësh të gjithë gjimnazet periferike, e kanë nën 6.5 mesataren. E privon arsimin nga njëri nga funksionet bazë që është edhe lufta kundër varfërisë. E privon nga funksion, midis të tjerash.

Ndaj këto kohë që kanë mbetur, le të jenë kohë beteje për të vërtetat që ne besojmë.

Betejë për t’u dhënë shqiptarëve sistemin arsimor më cilësor të mundshëm në kushtet e këtij

vendi.

E njëjta gjë për shëndetësinë, por sot jemi te arsimi.

Ndaj dhe i ftoj edhe gjimnazistët, të mos harrojnë se në vitin e ri universitar, pa mesataren e partisë. Të hapura dyert.

Dhe jo vetëm kaq, po minimumi jetik do aplikohet për çdo student, 200 euro.

Karta e studentit do të pasurohet me një seri lehtësirash të tjera.

Ne, siç kam deklaruar këto ditë, do të fusim gjerësisht në përdorim kartën e konsumatorit për të rikthyer TVSH-në pensionistëve, rrogëulurve dhe atyre që janë në nevojë.

Por studentët nuk mund të mos jenë përfitues si këta të tjerët.

About Redaksia

Check Also

“New Eastern Europe” : Rama një autokrat që ka zhdukur demokracinë, pasoja të rënda nëse BE e mbështet

Alejandro Esteso Pérez Në pushtet të pandërprerë që nga viti 2013, kryeministri shqiptar Edi Rama …