DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETJA E PD, ELDA HOTI
Sot jam ketu per te ngritur zerin per nje nga krahinat më krenare dhe historike të Shqipërisë, fatkeqesisht të lënë në harresë nga ata që flasin për “Shqipërinë 2030”, dhe harrojnë Shqipërinë reale, që në zona të caktuara është ende në vitet ’80.
Mirdita e njerëzve punëtorë e fisnikë meriton shumë, dhe asnjëherë premtime të pambajtura dhe rrena të përsëritura nga Rama dhe qeveritarët e tij.
Rruga e Lurës është simbol i kësaj harrese dhe mashtrimi ciklik. Një projekt i premtuar vite më parë, i promovuar me bujë nga Kryeministri, sot qëndron i bllokuar, i harruar dhe pa asnjë shpresë për realizim.
Fondet që duhej të përdoreshin për ndërtimin e kësaj rruge dhe zhvillimin e zonës, duket se kanë ikur në drejtimin e përhershëm, te investitorët strategjikë të qeverisë ose xhepat e qeveritarëve qendrorë apo vendorë.
Projekti për rikonstruksionin e rrugës Perlat – Fushë Lurë- Arrëz, me vlerë 12.5 mil euro, zhvilluar nga Fondi shqiptar i Zhvillimit është një kontratë kryekëput korruptive. Punimet kanë filluar që në 2022 dhe kanë mbetur pezull, ndërsa z. Rama ka deklaruar përfundimin e punimeve në dhjetor 2023.
Nënkontraktori ka braktisur punimet, ndërsa kontraktori bullgar në faqen zyrtare deklaron se kontrata ERDP/AITP/W/2020/14 e 23 shkurtit 2022, lidhur me FSHZH, ka nisur në mars 2023 dhe do përfundonte në mars 2024.
Ndërkohë, paratë janë lëvruar, sepse kontraktori vetëm si likujdim tvsh-je ka marrë 7 këste pagesash për këtë kontratë me vlerë 681 mijë euro.
Por rruga nuk ka përfunduar, as kur tha kryeministri, as kur tha kontrata. Fondi u vodh dhe mirditorët e dibranët mbetën pa rrugë.
Sa herë keni dëgjuar fjalime të bukura dhe premtime boshe nga Kryeministri që, kur vjen koha e zgjedhjeve, kujtohet se e ka origjinën nga Mirdita apo Shkodra, e ndonjëherë nga kudo tjetër që i leverdis.
Origjina dhe puna e qeveritarëve nuk matet me fjalë, por me vepra. Fatkeqësisht, Mirdita ka dëgjuar premtime me veshë, por me sy nuk ka parë asnjë investim.
Rrjedhimisht atraksionet turistike të kësaj zone, dhe më gjerë të Shqipërisë verilindore janë të izolurara.
Mirdita meriton investime, rrugë që lidhin komunitetet dhe zhvillojnë turizmin, arsim cilësor për të rinjtë dhe mbështetje për bujqësinë dhe blegtorinë që mbajnë gjallë ekonominë lokale.
Eshte koha qe ata që kanë qeverisur me premtime të rreme të mbajnë përgjegjësi për dështimet e tyre.
Mirditorët nuk duhet dhe as do të lejojnë që Mirdita të mbetet një pikë e harruar në hartën e Shqipërisë.
Me vendosmëri, ide dhe projekte Partia Demokratike sot dhe qeveria e saj nesër, do të kërkojnë dhe ofrojnë zhvillim, respekt dhe dinjitet.
Për Mirditën dhe gjithë Shqipërinë.