Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama në fushatën elektorale në vitin 2013, kur morën pushtetin. Premtimet për gjithçka falas, do të ktheheshin shumë shpejt, në shërbime me më shumë lekë, me thellim të varfërisë për qytetarët shqiptar që do të detyroheshin të emigronin, dhe parajsë financiare për vetë Edi Ramën por edhe të besuarit e tij në kabinetin qeveritar.
Plug do të ndalet në emisionin e sotëm, në pasurinë e kabinetit qeveritar, atë që vetë këta zyrtarë kanë deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, që përfshinë vetëm pasurinë e paluajtshme dhe përfitimet e tyre në vitet e fundit, apo e thënë më thjesht, atë që llogaritet si pasuri e ligjshme. Kryeministri Edi Rama dhe 17 ministrat e tij aktual kanë hyrë në zyrat e shtetit me një pasuri totale e përllogaritur në afro 3. 5 milionë euro, e sot fal pushtetit kjo pasuri është shumfishuar dhe përllogritet në 17,255,000 euro.
Mirëmbrëma miq, po fillon Plug! Javën e kaluar, treguam pasuritë e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili tashmë është nën hetim për korrupsion apo dhe pastrim parash. Sot, Plug, do të bëjë një vështrim të përgjithshëm për pasuritë e kabinetit qeveritar të kryeministrit Edi Rama. Do ta nisim me këtë të fundit, i cili ka pasur të ardhura të konsiderueshme nga puna si kryeministër, por jetesën duket se ia ka siguruar puna si “piktor” apo artist, çka shpjegon ndoshta (ironi) pse punët në këtë vend nuk shkojnë aq mirë, pasi Rama duket se pas 2013 ka punuar më shumë si artist…
Kryeministri Edi Rama është shembulli më konkret i pasurimit nga pushteti. Në vitin 2003, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, nën një lum akuzash për leje ndërtimi kilenteliste, deklaronte vetëm një apartament me vlerë 6 milionë lekë, ndërsa sot, pasuria e kryeministrit përllogaritet të ketë kapur shifrën 4 milionë euro, të paktën sipas qarkullimit vjetor për vitin 2023. Pasuria e kryeministrit u shtua me bashkimin e pasurisë së bashkëshortes së tij Linda Rama dhe në vitin 2013.
Pasuria e kryeministrit të sapozgjedhur dhe bashkëshortes së tij, deklarohej në 1. 4 milionë euro, e cila përbëhej kryesisht nga prona të paluajtshme dhe llogari bankare nga një raport i publikuar më herët, midis viti 2011 dhe 2013, kohë kur nuk ishte në pushtet dhe as kryetar bashkie, Edi Rama kishte shtuar një vlerë pasurie prej 290 mijë eurosh, e cila nuk justifikohej nga të ardhurat që ai dhe bashkëshortja deklaronin në atë kohë. Shtëpia e banimit në komunën Dajt në bashkëpronësi me bashkëshorten është deklaruar për herë të parë në vitin 2013 me vlerë 39,607,741 lekë dhe përbën zërin kryesor në shtesën e aseteve.
Rama deklaron se ka dorëzuar në ILDKPKI dokumente shtesë si leje ndërtimi dhe dokumente mbështetëse për burimin e krijimit, por këto nuk janë bërë publike. Në tetor 2013, subjekti deklaron se ka një detyrim të pashlyer për shtëpinë ndaj shoqërisë së ndërtimit në shumën 12,056,241 lekë “në pritje të miratimit të një kredie bankare”. Kredia bankare me vlerë 80,000 euro është lëvruar më 22 tetor 2013, me afat shlyerje 10 vjet. Ndërtimi i cilësuar si “Sarajet e Surrelit” është një tjetër hije dyshimi mbi pasurinë e çiftit kryeministror, pasi ky ndërtim me një sipërfaqe rreth 200 m2, sipas matjeve satelitore deklarohet të ketë kushtuar rreth 400 mijë euro, ndërsa për këtë objekt çifti kryeministror deklaronte se kishte paguar në vitin 2013 rreth 270 mijë euro, po pa specifikuar burimin e këtyre të ardhurave.
Midis vitit 2013 dhe vitit 2023, pasuria e familjes Rama, e qarkulluar në asete dhe llogari bankare, përllogaritet për të gjitha vitet së bashku të ketë arritur shifrën e 2.5 milionë eurove. Pra, vetëm brenda 10 viteve të fundit, Edi Rama ka pasur një qarkullim prej 2.5 milionë eurosh, apo rreth dyfish më shumë se pasuria e deklaruar në vitin 2013. Viti më i rëndësishëm financiar për familjen Rama, është 2023, ku qarkullimi financiar në asete dhe llogari bankare, kap shifrën totale e rreth 680 mijë euro. Zëri kryesor i pasurisë së familjes kryeministrore për vitin 2023, është blerja e një apartamenti nga Linda Rama. Apartamenti ka sipërfaqe 107 m2 me vendodhje në zemër të Bllokut. Vlera e deklaruar e blerjes së apartamentit është 429 mijë euro, apo rreth 4 mijë euro për metër katror. Ndërsa pagesa është bërë në dy këste, një në vitin 2023 dhe një këste do paguhej brenda verës së vitit 2024.
Në vitin 2019, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, deklaron edhe blerjen e një sipërfaqe trualli prej 80 m2. Vlera e kësaj sipërfaqe është deklaruar në ILDKPI për vetëm 3 milion lekë, në zemër të bllokut. Në deklaratën e vitit 2019, Linda Rama nuk e deklaron vendodhjen e kësaj pasurie. Por e zbulon në vitin 2021, kur deklaron se trualli është blerë në rrugën “Vaso Pasha”. Sipas llogarive, Linda Rama deklaron se ka blerë 80 m2 truall në Bllok për një çmim 375 euro, në një kohë që sipërfaqja e truallit në Bllok është shumë më shumë se sa çmimi që e ka blerë Linda Rama.
Këto të dhëna ngrejnë dyshime të forta për mos deklarim real të çmimit, ndaj i mbetet organeve përkatëse të zbulojnë të vërtetën.
Gjithashtu, Linda Rama ka blerë edhe një sipërfaqe ullishte në Surrel, pranë banesës, prej 781 m2, me vlerë 39 mijë euro. Të ardhurat e deklaruara të saj për vitin 2023 janë në total 120 mijë euro, apo shumë më të ulëta se shpenzimet e kryera për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Gjatë vitit 2013 deri në vitin 2023, Linda Rama ka shtuar rreth 6 mijë metra katror truall dhe ullishtë pranë banesës familjare në Surrel. Në total, sot sipërfaqja e pronës në Surrel kap afërsisht 10 mijë metra katror. Përgjatë kësaj periudhe, Linda Rama ka deklaruar blerje toke çdo vit me çmim mesatar prej 50 euro për metër katror.
Blerja me këtë çmim, shton një tjetër dyshim në pasurinë e kryeministrit dhe familjes së tij, pasi nga një hulumtim në agjencitë imobiliare, rezulton se toka të ngjashme si ato që ka blerë bashkëshortja e kryeministrit midis vitit 2013-2023, shiten minimalisht me çmim 80 euro për metër katror dhe maksimalisht me 180 euro për metër katror, pra shumë më i lartë se ajo i deklaruar Linda Rama.
Për vitin 2023, Edi Rama deklaron të ardhura nga paga dhe nga krijimtaria e tij artistike rreth 88 mijë euro. Pas suksesit si kryeministër i vendit, suksesi i tij shtohet edhe si artist. Gjatë dhjetë viteve të fundit, Edi Rama deklaron se ka arkëtuar rreth 250 mijë euro të ardhura nga shitja e librit ‘Kurban’ dhe veprimtaria artistike. Ndërsa deklaron vetëm të ardhura neto, ajo që ngre pikpyetje është pikërisht aktiviteti i kryeministrit Edi Rama si “artist” ku janë të paktën 2 ekspozita, me çmime relativisht të larta, në Gjermani dhe Japoni, të cilat duket se nuk bëjnë pjesë në deklaratën e pasurisë.
Siç këto ekspozita, që duhet të deklaroheshin edhe nëse kanë burime të tjera të ardhurash, ashtu edhe darkat e kryeministrit me Charles Mcgonigal në SHBA e Shqipëri, apo edhe ndjekja e ndeshjeve të basketbollit në NBA, duhet të ishin deklaruar si shpenzime, pasi e tejlakojnë vlerën e lejuar nga ligji.
Por udhëtimet dhe veshjet luksoze të qeveritarëve dhe familjarëve të tyre, nuk janë problem deklarimi, por nuk përbëjnë problem as për institucionet që duhet t’i hetojnë, qoftë edhe veç nga indiciet publike.
Linda Rama është një nga njerëzit e besuar të Geroge Soros në vendin tonë. Ajo ka qenë pjesë e Fondacionit Shoqëria e Hapur, që në fillimet e viteve 2000. Në vitin 1999, Linda Rama është bashkëthemleuese e “Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor-HDPC” e financuar nga fondacioni Soros, ku vetë Znj.Rama ka qenë Kryetare e Bordit. Pas lidhjes martesë me Edi Ramën në vitin 2010, Linda Rama bëhet subjekt i deklarimit të pasurive. Deri në vitin 2011, Linda Rama deklaron të ardhura kryesisht nga OJF-të e financuara apo dhe puna në Fondacionin Soros, të cilat llogariten me një normë mestare rreth 2500 euro në muaj.
Pas ardhjes së Edi Ramës si kryeministër i vendit në vitin 2013, Linda Rama zhduk nga deklaratat e pasurisë, emrin e “Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor”, ndërsa vijon të deklarojë të ardhura të konsiderueshme si eksperte. Kjo manovër e Linda Ramës, duket se është bërë për të shmangur konfliktin e interesit me bashkëshortin kryeministër. Arsyeja qëndron në faktin se Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor, financohet nga UNICEF apo Kombet e Bashkuara, organizata ndërkombëtare këto ku shteti shqiptar është i integruar dhe ka përfaqësi diplomatike. Këto organizata, çdo vit hartojnë raporte për qeverisjen në Shqipëri.
Që në vitin e parë të qeverisë së Ramës, të ardhurat nga konsulenca për Linda Ramën, kapin shifra marramendëse. Për vitin 2014, ajo deklaron rreth 85 mijë euro të ardhura nga ekspertiza dhe konsulenca.
TË ARDHURA NGA KONSULENCA LINDA RAMA 2014-2023
Për vitin 2013 deklaron 10 mijë euro
Për vitin 2014 deklaron 85 mijë euro
Për vitin 2015 deklaron 19 mijë euro
Për vitin 2016 deklaron 40 mijë euro
Për vitin 2017 deklaron 30 mijë euro
Për vitin 2018 deklaron 60 mijë euro
Për vitin 2019 deklaron 42 mijë euro
Për vitin 2020 deklaron 50 mijë euro
Për vitin 2021 deklaron 40 mijë euro
Për vitin 2022 deklaron 79 mijë euro
Për vitin 2023 deklaron 38 mijë euro nga HDPC
Total 493 000 euro për 10 vjet
Nga hulumtimi i PLUG, rezulton se Linda Rama është autore e studimeve dhe raporteve kryesore të UNICEF dhe OKB, që orientojnë zhvillimin e vendit tonë. Disa prej këtyre raporte janë ai i UNDP: Zhvillimi i Shqipërisë, Vlerësimi Financiar, dhe ato të UNICEF si: Fondi Social-një realitet mes sfidash lokale dhe kujdesi shoqëror në bashki-mjedisi institucional, kapacitetet, problematikat. Këto janë vetëm tre nga raportet ndërkombëtare për qeverisjen dhe politikat e qeverisë shqiptare, që janë hartuar nga Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Rama. Këto raporte janë edhe dokumentet që faktojnë se Linda Rama vijon të jetë drejtuese e Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor HDPC, e cila ofron shpenzon paratë e UNICEF apo OKB për llogari të Qeverisë Shqiptare, ku kryeministër është Edi Rama, bashkëshorti i Lindës.
Në raportin “Fondi Social – një realitet mes sfidash lokale”, del në pah konflikti i interesit i Linda Ramës me detyrën e bashkëshortit si kryeministër. Nga faqja zyrtare e UNICEF në shqip, raporti i sipërpërmendur është bërë me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimit Social Shtetëror, Inspektoratit të Punës dhe 61 bashkive të vendit, që në vitin 2022 drejtoheshin nga socialistët të gjitha. Ky raport, ku kanë kontribuar organet e pushteti lokal dhe qëndror që drejtohen nga Edi Rama, është hartuar pikërisht nga bashkëshortja e tij Linda Rama, e cila në deklaratën e pasurisë nuk ka pasqyruar se sa është paguar për këtë.
Por një vit më pas, pikërisht në deklaratën e pasurisë së vitit 2023, Linda Rama, rikthen pas 10 vjetësh në deklaratat e saj të pasurisë punën në HDPC, Qendrën për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor, të cilën e themeloi vet në vitin 1999. Në deklaratën e pasurisë të vitit 2023 Linda Rama deklaron të ardhura prej 38 mijë eurosh nga HDPC, qendra e cila ka marrë mbështetjen e 61 bashkive dhe ministrive dhe institucioneve në varësi direkte të kryeministrit Rama, bashkëshortit të Linda Ramës.
Në fund të vitit të kaluar, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi se ambicia e qeverisë së tij ishte që brenda vitit 2030, Shqipëria të tërhiqte 20 milionë turistë në vit. Pak ditë më parë, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, zonja Linda Rama, publikoi në rrjetet sociale studimin e saj më të fundit me titull “Tregu i Punës dhe Aftësitë përballë sfidës së 20 milion turistëve.” Pra, kryeministri shpall objektivat e zhvillimit të Shqipërisë, ndërsa bashkëshortja e tij i vlerëson ato.
Materiali përmbledhës i studimit niste me kryeministrin Edi Rama, kur ai vite më parë shpalli programin e Rilindjes Urbane për të nxitur turizmin, vazhdonte me lavdërimet e reformave dhe politikave të ndërmarra nga qeveria e tij gjatë këtyre 11 viteve dhe mbyllej me shkrimet e mediave ndërkombëtare, që e cilësonin Shqipërinë fanarin europian të turizmit. Të gjithë të lumtur dhe të gëzuar.
Nëse zonja Rama do të vlerësonte tregun e punës dhe suksesin e politikave të qeverisë në sektorin e turizmit për llogari të bashkëshortit të saj kryeministër, që ky i fundit të kishte një zë më tepër eksperti si input për vendimarrje, kjo nuk do të kishte asgjë të keqe. Problemi është se studimet e zonjës Rama kryhen për llogari të organizatave më më të rëndësishme botërore, të cilët janë dhe zërat më prestigjozë që vlerësojnë qeverisjen në Shqipëri.
Studimi për tregun e punës përballë sfidës së 20 milionë turistëve është kryer për llogari të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por BERZH nuk është donatori i vetëm, i cili ja ka besuar zonjës Rama vlerësimin e reformave dhe progresit në Shqipëri. Thuajse të gjitha studimet e UNDP-së në Shqipëri, po ashtu, kanë autorësinë e zonjës Rama dhe bashkëpunëtorës së saj Elena Polo. Nga vlerësimet për financat e zhvillimit e deri të analiza për pasojat e tërmetit. Organizata Botërore e Punës, po ashtu.
Studime e organizatave ndërkombëtare prestigjozë janë inputi kryesor mbi të cilin Shqipëria vlerësohet në arenën ndërkombëtare, Pra ato janë materialet mbi të cilat BERZH, UNDP, ILO dhe të tjerë i vënë notë progresit dhe qeverisjes në Shqipëri. Ndaj, pyetja që shtrohet natyrshëm është vetëm një; Sa të besueshme mund të jenë ato, kur kryhen nga një person i cili ndodhet në konflikt të hapur interesi?
Me apo pa vetëdije institucionet më të rëndësishme të botës kanë krijuar në Shqipëri një sistem të mbyllur, i cili tashmë po u heq shqiptarëve edhe mundësinë për t’u vlerësuar objektivisht nga ekspertë jashtë konfliktit të interesit. Megjithatë këtu vlen të theksohet diçka shumë qartë. Bashkëshortja e kryeministrit ka të gjithë të drejtën e saj të punojë si eksperte e BERZH, UNDP, Bankës Botërore e madje edhe e Departamentit të Shtetit dhe Komisionit Europian për të vlerësuar gjendjen e ekonomisë dhe ecurinë e reformave në Kazakistan, Gjermani apo dhe Shtetet e Bashkuara. Madje kjo do të ishte dhe motiv krenarie për Shqipërinë, që arrin të prodhojë ekspertë të këtyre niveleve.
Pas këtyre skandaleve, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në 4 nëntor të këtij viti, i ka nisur një letër të gjithë bordeve të donatorëve që bëjnë raporte monitorimi për Shqipërinë, me autore Znj. Linda Rama. Letra drejtuar UNDP, ILO, UNICEF, USAID etj vë në dukje se Znj. Rama sipas gjithë ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, është gjendur përballë konfliktet të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana juaj per të kryer matje , analiza apo vlerësime ekonomike apo sociale për Shqipërinë persa kohë që bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit.
Deputetët ngrejnë shqetësimin se Kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve te sponsorizuara nga institucionet tuaja dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikerisht znj. Linda Rama e cila për shkak te interes të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmerinë. Gjithashtu pasurimi i Zj.Rama dhe për rrjedhojë familjes së saj kryeministrore, ndonëse në këtë rast nga fonde jo publike por për shkak të lidhjes me qeverinë të raportimeve është e papërputhshme edhe me Kushtetutën e Shqipërisë.
Ekspertiza e Znj. Rama mund të përdoret në raporte për shtete të tjera, ku zonja nuk ka konflikt interesi. Grupi Parlamentar pasi sqaron gjithë problematikat që vijnë nga ky fakt shprehet se:
Në këto kushte ne shprehim shqetësimin që të dhënat tuaja të deritanishme janë të kontaminuara nga njëanësia e autores znj.Linda Rama dhe kërkojmë eleminimin të çdo lloj influence si autore apo nëpërmjet qendrave të krijuara prej saj ose me të ardhmen në projekte që lidhen me Shqipërinë./Syri,net