BELINDA BALLUKU NË 2013 DEKLARONTE 847 MIJË EURO PAURI
NË 2023 QARKULLIMI PASURISË ARRINË NË 1.6 MILIONË EURO (DYFISH MË SHUMË)
Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës njëkohësisht Zëvendëskryeministre në qeverinë Rama, mban gjithashtu edhe numrin dy të pasurimit fal pushtetit.
Në vitin 2013, kur mori detyrën e Drejtoreshës së Albcontrol, Belinda Balluku deklaronte një pasuri në prona të paluajtshme dhe para cash, që kapnin vlerën 847 mijë euro. Konkretisht, pronat e Belinda Ballukut në vitin 2013 ishin: 1 apartament 1+1, një vilë 2 katëshe me truall 406 m2, një apartament 89 m2, një shtëpi në Britaninë e Madhe, tre automjete si dhe disa llogari bankare me vlerë disa qindra mijë euro.
Këto janë pronat dhe llogaritë bankare të deklaruara vetëm në emrin e saj në vitin 2013, pa llogaritur këtu edhe ato të ish-bashkëshortit Sokol Balla. Belinda Balluku, sipas jetëshkrimit të saj të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, ka punuar nga viti 2000 deri në vitin 2004 në sektorin privat, kryesisht në kompanitë telefonike të kohës. Pas vitit 2004 ajo iu bashkua zyrës së shtypit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe deri në vitin 2011 ka qenë pjesë e administratës së kësaj bashkie si shefe e kabinetit. Pas marrjes së pushtetit nga Rilindja e Edi Ramës, edhe pasuria e deklaruar e Znj.Balluku nis të shtohet edhe më shumë.
Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, Edi Rama shpërbleu njeriun e tij të besuar, Belinda Ballukun me postin e drejtorit të përgjithshëm të Albcontrol. Në këtë detyrë, Balluku deklaron se ka përfituar nga viti 2013 deri në vitin 2019, një pagë mesatare vjetore, rreth 70 milion lekë, apo rreth 6 milion lekë pagë mujore. Kjo shumë, nëse I referohemi sistemit të pagave në Shqipëri është nga më të lartat që një zyrtar publik mund të ketë përfituar midis viteve 2013-2019. Gjatë drejtimit të Albcontrol, Belinda Balluku ka qenë shpesh në qendër të akuzave publike për skandale me tenderat për shpenzime luksi apo dhe festat luksoze për stafin.
Në vitin 2019, Belinda Balluku heq dorë nga paga 70 mijë euro në Albcontrol për t`iu bashkuar kabinetit qeveritar si ministër i infrastrukturës me një pagë mesatare vjetore prej rreth 22 milionë lekësh, apo rreth 3 herë më e ulët se ajo në Albcontrol. Nga viti 2013 deri në vitin 2023, në mungesë të deklaratës së vitit 2021, rezulton se Belinda Balluku ka dyfishuar pasurinë e saj. Nga 847 mijë euro, prona, llogari bankare, dhe të ardhura të deklaruara në vitin 2013, për periudhën 2014 deri në vitin 2023, kjo shumë kap vlerën e 1.6 milionë eurove.
Ndërsa i shfaqet qytetarëve me fjalimet e saj modeste, e si ministre me çizme, mediat kanë denoncuar vazhdimisht jetën e luksit të numrit 2 të qeverisë, me pushime në resorte luksoze apo për blerje në dyqanet më të shtrenjta të Evropës.
Edhe Balluku, nuk bën përjashtim nga mosdeklarimi i shpenzimeve të luksit apo udhëtimeve të pafundme, të cilat sipas ligjit janë të detyrueshme për tu deklaruar. Sipas denoncimeve në media, në vitin 2020, kohë kur Shqipëria ishte në karantinë dhe me një urdhër Kryeministri vendosi që kabineti të mos bënte pushime në Verë, Ministrja Belinda Balluku theu rregullin. Ajo, jo vetëm bëri pushime në kohë pandemie, por zgjodhi të pushonte në një prej resorteve më të shtrenjta të Ksamilit.