Rama dhe qeveria kanë marrë vendimin për kthimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në kullë.
Qeveria ka vendosur transferimin e pronësisë së stadiumit “Selman Stërmasi” Korporatës së Investimeve Shqiptare, me qëllim rijetëzimin e stadiumit.
Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet e përcaktuara, apo autoritetet e autorizuara prej tyre që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, autorizohet që në të njëjtën procedurë të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore. Shpenzimet për shërbimet e parashikuara në këtë pikë mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.