Zyrtari amerikan nuk e përcakton “non grata”: Nuk mund të flas për qëndrimin e administraës Trump ndaj Berishës

Ndryshe nga qëndrimet e mëparshme të zyrtarëve amerikanë që e etiketonin liderin e opozitës “non grata” Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, thotë se ai nuk mund të flasë në emër të administratës së re “Trump” për zotin Berisha.

Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u përcaktua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2021 për korrupsion madhor. Në atë kohë ai ishte vetëm deputet, ndërsa tani është kryetar i partisë kryesore opozitare. A mund ta ndryshojë kjo marrëdhënien mes Uashingtonit dhe zotit Berisha?

Alexander Kasanof: Dëgjo, Armand, normalisht nuk flas për personat e përcaktuar dhe hollësitë e atyre rasteve. Ajo që do të doja të ritheksoja këtu është se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar. Këto mjete janë ndërtuar për të ndihmuar agjencitë vendase në terren, sidomos agjenci si SPAK-u, që të arrijnë misionin e tyre, por janë ndërtuar edhe për të ndihmuar përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të reformave në vazhdim në sistemin e drejtësisë. Kjo është ajo që theksojmë. Dhe këtu do të mbetet theksi ynë dhe fokusi ynë i vazhduar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një pritshmëri të lartë në gjirin e opozitës, se administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund të ketë një qasje të re ndaj zoti Berisha. Dhe ka zëra të opozitës që presin që përcaktimi “non grata” të mund të anullohet. A ekziston një mundësi e tillë?

Alexander Kasanof: Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.

Zëri i Amerikës: Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm. Disa nga shqetësimet kryesore në të kaluarën kanë qenë blerja e votave, shpërdorimi i fondeve shtetërore nga partia në pushtet dhe ndikimi i krimit të organizuar në këtë proces. A ndani dhe ju të njëjtat shqetësime dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Alexander Kasanof: Pritshmëritë tona janë njësoj si për cilindo vend që zhvillon zgjedhje, që presim të shohim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që do të respektohet vullneti i popullit. Po ashtu, shpresojmë fort që do të shohim kandidatë që janë tërësisht të panjollosur nga korrupsioni apo nga lidhje me krimin e organizuar. Mendojmë se do të ishte rezultati më i mirë për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Në fund të muajit të kaluar (29 nëntor) në veri të Kosovës ndodhi një shpërthim që dëmtoi infrastrukturën kyçe të furnizimit me ujë të vendit. Sa mund të ndikojë kjo procesin edhe kështu të komplikuar të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë?

Alexander Kasanof: Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të tillë. Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi ndihmuar duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë si duhet të gjitha informacionet aty dhe të punojnë me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst për t’u siguruar që do të ngrihet një hetim i besueshëm. Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë.

Zëri i Amerikës: Gjatë vizitës së mëhershme në Prishtinë ju keni theksuar se veprimet e pabashkërenduara që janë ndërmarrë nga qeveria atje, ndërlikojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur në mënyrë të suksesshme Kosovën. Tani që në Uashington do të ketë një administratë të re e cila nuk është se pati marrëdhënie fort miqësore me qeverinë e parë Kurti, a mendoni se kjo do të ndikojë në qasjen ndaj dialogut Kosovë Serbi?

Alexander Kasanof: E përsëris, Armand, nuk është me vend që të flas për një administratë të re dhe se cilat do të jenë politikat e saj. Kjo administratë, edhe teksa i afrohet fundit, do të mbetet e përqendruar tek ndihma për Kosovën, mbështetja për Kosovën, jo vetëm për reformat dhe përpjekjet që po bëjnë në rrugën e integrimit me strukturat euro-atlantike, por edhe teksa punojnë për çështje që janë në thelb të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Po mbështesim një përfundim të suksesshëm dhe do të vazhdojmë t’u kërkojmë të dyja qeverive në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë përparim në atë dialog. Do të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë drejtim.

About Krye Redaktor

Check Also

Gjekmarkaj: Kjo është stina e fundit politike për Ramën! Të bashkuar do të sjellim fitoren e PD

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka postuar në faqen …