Nga Redin HAFIZI
Në një ndër takimet e tij në diasporë Adriatik Lapaj u pyet nëse fushata e tij financohet nga fondacioni Soros. Përgjigja e tij ishte se ai është paguar me paratë e Soros për disa gjyqe ku ai ka qenë avokat mbrojtës, raste më shumë sociale. Ndërkohë interesante ishte përpjekja e Lapajt për të debatuar me pjesëmarrësin që bëri pyetjen në takimin e Detroit. Lapaj e pyet personin që i bëri pyetjen për lidhjet me Soros se çfarë pune bënte në USA. Ai iu përgjigj se ishte kuzhinier në një restorant në atë zonë.
Më pas Adriatiku i drejtohet duke i thënë se kur mbaron punë, kuzhinieri shkon në shtëpinë e tij dhe nuk mendon më se çfarë punëdhënësi i tij i kërkon atij gjatë orarit të punës. Pra jeton jetën private, por pa harruar se këtë jetë e mundëson dhe përmirëson me paratë e rrogës së punës që bën. Ndërkohë Adriatik Lapaj thotë në këtë moment se edhe ai kur mbaron punë nuk mendon për punëdhënësin që e pagoi për punën e bërë në ato gjyqe si avokat. Megjithatë njerëzit e dinë se falë atyre parave Adriatik Lapaj jeton dhe shpresoj të prosperojë. Pra ishte Lapaj që me krahasimin e bërë përmes pyetjeve dhe kundrapyetjeve pranoi se punëdhënësi i tij është Soros, por ai, pra Tiku, nuk është aq i lidhur sa të mendojë për të edhe pas pune. Pra Adriatiku punon për Soros, por siç thotë, nuk i shërben atij. Kjo e bën atë edhe më shumë të pabesueshëm.
Përveç se të pabesueshëm, diçka tjetër e bën atë të duket i dobët përballë diasporës. Në Detroit ai deklaroi se nuk konkurron për të fituar, por thjesht për të sajuar kriza qeverrisje mes partive tradicionale në Shqipëri deri kur këto parti të lëshojnë terren për Adriatikun dhe grupin e tij që nga lëvizje sociale u kthye në lëvizje politike për të kërkuar votat e qytetarëve.
Ndërkohë duke e parë se në Shqipëri “balta” nuk e lejon atë të konkurrojë drejtë, Adriatiku ka zgjedhur diasporën për të promovuar sërish mashtrimet e vjetra të Erion Veliajt. Ai flet për baltë, por nuk ngurron që në podiumet e tij të promovojë bejtexhinj që hedhin baltë mbi anëtarë të diasporës vetëm se ndonjë prej tyre kërkon përgjigje. Përgjigjet bëjnë që të njihen individët që po kërkojnë vota për zgjedhjet e 2025. Megjithatë Adriatik Lapaj nuk e ka problem jo vetëm të bëjë “block” njerëz që e pyesin, por ai nuk e ka problem të drejtojë edhe bejtexhinjtë e “Shqipëria bëhet” që të baltosin dhe më pas të dhunojnë një komunitet të fortë dhe solid si diaspora e Michigan.
Në fakt në afërsinë me bejtexhinjtë fushata e Tikut i ngjan shëtitjeve të Taulant Ballës nëpër kafenetë e Europës. Madje aty ku isha ulur për të dëgjuar politikanin dhe lëvizjen, një Shqiptar më tha se ja tani ka ardhur të flasë “Tiku Folkloriku”. Ai më tha se Lapaj kishte ditë që vërdallisej nëpër Detroit dhe më në fund u rehatua me strukturën e bejtes, apo diku edhe kitarrës me këngë patriotike. Kjo ishte kudo në sallë dhe menjëherë në mendje më erdhi lëvizja që inicioi Kreshnik Spahiu me flamur, bejte dhe folklor, por edhe ai përfundoi si një humbës për ambicje politike dhe mbetet fytyrë altoparlanti në mbrojtje të mashtrimit më të madh të ekspozuar ndonjëherë në Shqipëri. Produkti më i fundit i këtij mashtrimi është një bashkim i lojrave politike të Erion Veliajt, ulërimave nacionaliste të Kreshnik Spahiut dhe aktivitetit të qejflinjve bejtexhinj të Taulant Ballës dhe Lulzim Bashës.
Tik Lapaj është fytyrë e re (jo edhe aq), por një teori dhe strukturë e vjetër. Unë isha në takim, e dëgjova, e pashë lëvizjen e tij. Më vjen keq që Shqipëria është katandisur në të tillë individë që kërkojnë të vrasin traditën politike në Shqipëri. Këta janë “bijtë” e Soros që kërkojnë të zhdukin Shqipërinë në gen dhe të krijojnë një tjetër popullsi mbi tokën ku kemi të parët tanë.