Mesazhi i Kasanof nxori zbuluar axhendën e Kim dhe Escobar!

Nga Armand MAHO

Deklarata e zotit Alexandër Kasanof, Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, në raport me zotin Berisha, mund të shihet farë mirë si një ndryshim 180 gradë i qëndrimeve të administratës së SHBA. Them 180 gradë, pasi deri më 20 janar është është ende administrata Blinken, ku zoti Kasanof është përfaqësues i saj.

Natyrisht spin doktorët e Ramës, nxituan ta përdorin në favor të pushtetit por ajo ishte një deklaratë që e thoshte thuajse troç, se ardhja e administratës së re konservatore mund të hedhë në erë të gjithë propagandën e iniciuara nga mazhoranca aktuale, të lobuara nga burime të dyshimta antishqiptare dhe të vulosura nga Blinken, natyrisht nën mbikëqyrjen e Soros.

Duhet theksuar se në këtë post zoti Kasanof, zëvendëson Gabriel Escobar i njohur për mbështetjen e pakufizuar që i jepte qeverisë Rama. Mediet e Kosovës raportuan se ishte shkarkuar nga kjo detyrë pas një afere që e lidhte bashkëshorten e tij me Ministrinë e Jashtme të Beogradit. Departamenti i Shtetit e mohoi shkarkimin e Escobar duke e justifikuar me një pozicion të ri që ai do  marrë. Në fakt ai është nominuar nga Biden si ambasador në Paraguaj, por të paktën deri më 22 nëntor kur është bërë up-date i fundit i faqes së Departamentit të Shtetit Sektori i Jashtëm, ai ende nuk është votuar nga Kongresi për të marrë detyrën dhe me ardhjen e administratës së re gjasat janë të pakta.

Pyetjes së VOA nëse administrata e ardhshme Trump mund të ndërmarrë hapa për heqjen e sanksionimit “non grata” për zotin Berisha, Kasanof iu përgjigj sa troç  aq edhe me elegance; “Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre”.

Bukur, qartë dhe pa gabime!

Është e vërtetë se zoti Kasanof erdhi në Tiranë për ti bërë sadopak makijazh “shit-sihanes” që kanë gatuar përfaqësuesit e Xhorxh Soros në Shqipëri me Reformën në Drejtësi, qoftë dhe për t’i shpëtuar sadopak fytyrën goditjes së zhdrejtë dhe me regji që i ka bërë SPAK korrupsionit në Shqipëri dhe politikës në veçanti (Altin Dumanin e ngriti në rangun e Dvoranit me dekoratën që i dha).

Por në kundërshtim me pritshmërisë e mazhorancës dhe Ramës,  dhe në ndryshim me paraardhësit e tij, ai preferoi të qëndrojë larg një çështjes “non grata”  së zotit Berisha e cila si lidhet ngushtë me një  çështje që prek direkt sigurinë kombëtare të SHBA-së. Atë të Korruptimit të ish Drejtorit të FBI-së së New Yorkut Charles McGonigal nga Kryeministri Rama.

Por ti marrim me radhë

Deklarata e zotit Kasanof se “nuk merr përsipër të thotë se çfarë do bëjë administrata Trump”, nxjerr zbuluar direkt homologen e tij Yuri Kim në Departamentin e Shtetit, dhe hedh dyshime serioze rreth agjendës së saj në Shqipëri

Si ish ambasadore e Shqipërisë ajo nuk linte rast pa deklaruar se “Qëndrimi i administratës Amerikane nuk ndryshon” apo se “SHBA do ndërpresë marrëdhëniet me PD në rast se Berisha rikthehet kryetar i PD”. Në fakt, marrëdhëniet me SHBA apo ambasadën jo vetëm nuk u ndërprenë, por deputetët e PD-së janë ata që thirren më së shumti atje, ende pa u ndërruar administrata. Ajo, zonja Kim, si diplomate karriere duhej ta dinte më mirë se kushdo se në diplomaci e gjeopolitikë s’ka asgjë të pamundur. Dëshirat apo interesat personale të një ambasadori jo detyrimisht shkojnë në vijë të drejtë me interesat e shteteve që ata përfaqësojnë.

Zonja Kim, e cila nuk foli asnjë fjalë për inceneratorët, për pastrimin e parave në ndërtim, që merrte në mbrojtje çdo të korruptuar në këtë vend që padrejtësisht kishte ngjitur shkallët e hierarkisë, nuk kishte pse i hynte një “zavalli” të tillë duke folur në emër të politikave të administratës. Ajo mund të fliste në emër të administratës që ajo përfaqësonte siç me korrektësi bëri zoti Kasanof, por jo në emër të administratave që ndërrohen çdo tetë apo katër vjet atje siç ndodhi aktualisht. Historia ka treguar që qëndrimet politike amerikane kanë ndryshuar për gjëra që as mund të imagjinoheshin siç fjala vjen ishte rasti i fundit me liderin e rebelëve në Siri, për të cilin SHBA jepte 10 milionë dollarë në këmbim të kokës së tij,  dhe jo më për një “bullshit” të Edi Ramës në Shqipëri,  siç po e tregon koha.

Gjithashtu, kjo deklaratë nxjerr zbuluar dhe qëndrimet e paraardhësit të zotot Kasanof,  Gabriel Escobar, i cili nuk ngurroi të gënjente dhe në prag të largimit të tij nga kjo detyrë, kur tha se “Mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë”.

Në fakt, ka pasur që çke me të. Neandra Modi ishte ai që mbartte mbi supe një akuzë mjaft të rëndë, nga Departamenti i Shtetit në sanksionimin e tij non grata në vitin 2005.  Ai akuzohej me një akuzë të ngjashme me gjenocidin, pas precipitimit të situatës në vitin 2001 në shtetin e Guajaratit, kur ai ishte kryeministër, në revoltat ku humbën jetën mbi 1000 persona.  Pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2014 atij iu lejua hyrja në SHBA dhe me fitoren e Trump në 2016 do mbante dhe një fjalim në kongres.

Zgjedhjet në Amerikë dhe fitorja e zotit Trump, dhanë një mesazh të qartë. I sulmuar, i akuzuar, i hetuar, madje deri në tentativë për ta vrarë, Donald Trump dhe Partia Republikane korrën një fitore historike. Menjëherë pas kësaj, pa u mbushur ende një muaj nga fitorja e tij, partitë konservatore këtej dhe përtej atlantikut  miratuan për Shqipërinë tre rezoluta, ku Edi Rama, dizenjohej në të njëjtat tipare autoritare dhe të korruptuari si Lukashenko i Bjellorusië.

Por zoti Kasanof si diplomat me përvojë i lexoi qartë dhe mirë mesazhet. Diçka që nuk ditën ose nuk donin ta bënin as paraardhësi i tij zoti Escobar që në mënyrë të pashpresë pret emërimin në Paraguaj, dhe as zonja Yuri Kim që ka dalë jo pak zbuluar me misionin dhe me agjendën e saj të dyshimtë në Shqipëri.

About Redaksia

Check Also

Pse Rama u rikthy në vendin e krimit?

Greta BEQIRI Edi Rama ka një problem të madh me kontrollin, thjesht nuk mund ta …