Tabaku: Të rinjtë në ballë të betejës për fushatën zgjedhore të 11 majit 2025

Partia Demokratike ka zhvilluar ditën e dytë të trajnimit të organizuar në bashkëpunim me Leadership Institute dhe FRPD, duke u përqendruar te të rinjtë dhe përgatitjet për fushatën zgjedhore të 11 majit 2025.

Deputetja Jorida Tabaku, e cila hapi sesionin e dytë të trajnimit, e cilësoi këtë nismë si një vlerë të shtuar për Partinë Demokratike dhe një mundësi për të rinjtë që të jenë në ballë të betejës elektorale. “Ky trajnim është një hap i parë drejt krijimit të një ekipi të përgatitur, që do të jetë në terren për të bashkëpunuar me ekipet zgjedhore dhe për të ndërtuar koalicione fituese. Të rinjtë duhet të jenë forca kryesore e ndryshimit dhe suksesi ynë do të varet nga përkushtimi dhe energjia e tyre,” tha Tabaku.

Ajo falënderoi drejtuesit e Leadership Institute, Ron Nehring, një ekspert ndërkombëtar i fushatave zgjedhore dhe ish-këshilltar i senatorit Ted Cruz, si dhe Peter Smallwood, një nga figurat e rëndësishme të Partisë Konservatore Britanike, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre me Partinë Demokratike. “Ron dhe Peter kanë sjellë një eksperiencë të jashtëzakonshme nga fushatat e suksesshme në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ky bashkëpunim na jep mundësinë të mësojmë nga më të mirët dhe të ndërtojmë një strategji të fortë për fushatën tonë,” shtoi ajo.

Tabaku theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për Partinë Demokratike, duke përmendur miratimin e rezolutave të IDU dhe EPP si një dëshmi e vlerësimit për vizionin dhe angazhimin e PD-së. “Kjo mbështetje na frymëzon të punojmë edhe më shumë për një fushatë që mishëron vlerat tona dhe qëndron në shërbim të qytetarëve,” deklaroi ajo.

Ky trajnim shënon një fazë të rëndësishme për Partinë Demokratike në rrugën drejt zgjedhjeve të majit 2025, me fokus të veçantë te përgatitja e të rinjve dhe ekipit të terrenit.

About Redaksia

Check Also

Berisha takohet me republikanët e Trump dhe konservatorët britanikë

Partia Demokratike forcon bashkëpunimin me Republikanët amerikanë dhe konservatorët britanikë për zgjedhjet e 11 majit …