Hajdutët nuk përmbahen, koncesioni i ri Milot-Balldre, 21 milionë euro për kilometër!

Nga Boldnews.al

Ministria e Infrastrukturës ka shpallur procedurat për dhënien me koncesion të aksit rrugor Milot-Balldren, pas anulimit të projektit disa vite më parë.

Sipas dokumentave zyrtarë, koncesioni 35-vjeçar do të kushtojë rreth 365 milionë euro për një gjatësi 17 kilometra, duke shënuar rekordin e kostos më të lartë të shpenzuar ndonjëherë në vendin tonë, plot 21.5 milionë euro për kilometër.

Këtë të Enjte (19 dhjetor 2024), në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) është shpallur tenderi “Koncesion; Objekti: Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor “Milot-Balldre” dhe Lloji I Kontratës “Punë”.

Kjo procedurë hapet për herë të dytë. Në vitin 2018, qeveria shqiptare shpalli tenderin për dhënien me koncesion të aksit Milot-Balldre, për një vlerë prej 161 milionë euro. Ndërkohë që në atë kohë, kostoja koncesionare u konsiderua shumë e lartë, tashmë, pas 6 vitesh, i njëjti projekt risillet me një vlerë më shumë se dy herë më të lartë, plot 364.732.924 euro.

Sipas dokumentave zyrtare, ofertat duhet të paraqiten brenda datës 17 shkurt 2025.

“Skandali” në tenderin e parë

Në Shkurt të vitit 2018, Ministria e Infrastrukturës, shpalli procedurat për dhënien me koncesion të aksit rrugor Milot-Balldre për një periudhë 13-vjeçare. Kjo procedurë u mbështet në një propozim të pakërkuar dhe në fund u shpall fituese shoqëria “ANK”, e cila kontrollohet nga familjarët e afërt të ish-deputetit socialist, Ndue Kola.

Kontrata mes qeverisë shqiptare dhe “ANK” u nënshkrua në shkurt të vitit 2019, kur Ministria e Infrastrukturës sapo kisht nisur të drejtohej nga Belinda Balluku.

Kontrata u miratua në Parlamentin e Shqipërisë, pavarësisht kundërshtive të forta nga opozita, vendosjes së veton nga Presidenti i kohës, Ilir Meta, si edhe shkeljeve të shumta financiare të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Kontrata e parë u anulua në fund të vitit 2019, nën argumentin e paraqitur nga qeveria se kompania koncesionare nuk kishte aftësi financiare për të plotësuar detyrimet e saj.

Tashmë, koncesioni për aksin rrugor Milot-Balldre u rikthye sërish, me një kosto disa herë më të lartë se procedura e mëparshme, dhe me një afat tre herë më të lartë.

About Redaksia

Check Also

Vendimi për mbylljen e Tik Tok-ut, dështim dhe mosmarrje përgjegjësi për vitin më të errët të arsimit!

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula Teatri i ministres së …