Si i planifikoi Blendi Gonxhe vjedhjet sapo u bë ministër, miliona euro tendera deputetëve të PS

Partia Demokratike ka denoncuar ministrin e Ekonomisë, Blendi Gonxhe se ka dhënë miliona euro tendera të paracaktuar për deputetë të PS-së dhe kompani të cilave u është ndaluar pjesëmarrja në tendera publikë.

PD thekon se, sapo mori detyrën, Gonxhe nisi me planifikimin për strategjitë e vjedhjeve të radhës. Në Shkurt të vitit 2024 kur u krijua shoqëria aksionere në varësi të tij, Operatori i Blerjeve të Përqëndruara, Gonxhe nxitoi të emëronte në detyrën e administratores Arlinda Pogan, drejtoreshën e famshme të prokurimeve të përmendur së bashku me vetë Blendi Gonxhen pa hesap në raportet e KLSH-së për performancën gropë të prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Tiranë’.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, shprehet se zyrtarët e Ramës nuk penalizohen, por promovohen për shkeljen e ligjit.

Shkeljet

Autoriteti kontraktor i Blendi Gonxhes, në kundërshtim me parimet e prokurimit publik, ka përdorur marrëveshjen kuadër si mjet prokurimi, në kundërshtim me qëllimin e saj sipas nenit 52 të ligjit 162/2020 ‘Për Prokurimin Publik’ i ndryshuar.

Por ligji në dorën e maliqit Gonxhe dhe Pogas u përdor si mjet për të rritur fondin limit në miliona euro dhe siguruar lidhjen e kontratave me afat 4 vjeçar në kundërshtim me nenin 2, nenin 3, të LPP, por edhe VKM nr.285/2021 ‘Për miratimin e rregullave të prokurimit Publik’ indryshuar, neni 106 pika 3 ku shkruhet: “Autoriteti/enti kontraktor nuk lidh kontrata shumëvjeçare për punë, mallra ose shërbime, për të cilat bëhen planifikim dhe përdorime vjetore, që gjenden lehtësisht në treg dhe mund të prokurohen normalisht“.

Në DT, OBP-ja e Blendi Gonxhes ka përcaktuar se ofertuesve nuk u lejohet të mbështeten në kapacitetet e subjekteve të tjera, duke shkelur në mënyrë flagrante LPP i cili mbron këtë të drejtë të operatorëve ekzaktësisht me nenin 84 të tij.

Vlerësimi i ofertave u krye në zbatim të rregullave të “shefit” Gonxhe dhe jo legjislacionit për prokurimit publik, pasi fituesit e paracaktuar u shpallën të tillë me ofertat e paraqitura pothuajse sa fondi limit, kështu do paguhen:

  • 4.9 milion euro për të blerë bukë;
  • 1.6 milion euro për të blerë vezë;
  • 7.8 milion euro për të blerë bulmet;
  • 4.8 milion euro për të blerë ushqime bazë;
  • 4.6 milion euro për të blerë fruta-perime;
  • 5 milion euro për të blerë mish.

Kujt i shkuan rreth 29 milionë euro?

Teksa shqiptarët zhyten në varfëri, i bekuari i socialistëve, deputeti Xhamal Qefalia, favorizohet dhe shton pasurinë!

Pjesa më e madhe e 29 milionë eurove shkuan te operatori i shpallur fitues për 4 lote nga 6 gjithsej, kompania Dajti-Park 2007 shpk e familjes së deputetit socialist Xhemal Qefalia.

Pjesa tjetër shkuan te kompanitë e familjes së Shemsi Sinanit, të dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë me 4 vite burg për korrupsion me tenderat pikërisht lidhur me drejtorinë e burgjeve.

PD thekson se ““4S shpk” është njëra kompani e Sinanit, në letra në pronësi të të birit Xhino Sinani që nuk ka javë të mos fitojë kontrata prokurimesh publike, ndërsa Sinani Trading shpk është kompania tjetër pikërisht subjekti të cilin Shemsi Sinani përdori gjatë kryerjes së veprës penale për të cilën u dënua me burg nga gjykata e që në atë kohë mbante emrin M.B Kurti shpk, kompani të cilën e kishte vetë në pronësi direkte e pasi u kap në korrupsion ja dhuroi fiktivisht djalit tjetër të tij Ledion Sinanit”.

Dokumentet

 

“Harron Blendi Gonxhja dhe ushtarët e tij, se dokumentet mbeten dhe shpejt do vijë dita që paratë që ndan me shkelësit e ligjit do t`ja kthejë një më një shqiptarëve”, e mbyll fjalën Genta Vangjeli.

About Redaksia

Check Also

Vendimi për mbylljen e Tik Tok-ut, dështim dhe mosmarrje përgjegjësi për vitin më të errët të arsimit!

Deklarata e drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula Teatri i ministres së …